Akuza për ministren Balluku: Mban peng statusin e minatorit

536
Sigal

Dje sërish minatorët kanë protestuar para kryeministrisë, për zvarritjen pa afat të dhënies së statusit të tyre nga qeveria. Minatorët mbeten peng edhe të krerëve të sindikatave të tyre, të cilët po bëjnë pazare me zyrtarët e lartë të qeverisë, duke shitur interesat e minatorëve në këmbim të disa thërrimeve lëmoshë që përfitojnë për interesat dhe xhepat e tyre. Rreth 6000 minatorë po mbeten peng i miratimit të statusit. Minatorët fajësojnë ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila sipas tyre po e mban pezull këtë proces. Statusi i minatorëve është një tjetër fushë ku ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ka harruar angazhimet e saj. Të gjendur sërish përballë vështirësive për mos realizimin e kërkesave, ata bëjnë fajtore Belinda Ballukun e cila sipas tyre e mban pezull procesin. “Ministrja Balluku nuk e njeh fare minierën. Mund të ketë një zv/ ministër që njeh minierat dhe fshihet. Nuk e dimë pse e mban peng” thonë minatorët. Rreth 6000 minatorë mbeten peng i miratimit të këtij statusit. Sipas tyre ministrja Balluku nuk po bën punën që duhet. “Unë do i thosha kritikën më të madhe. Qeveria e tij nuk mban era djersë por njerëz që nuk kanë eksperiencë as dinë të lexojnë por vetëm janë sahanlëpirës”, thotë një minator tjetër. Krahas trajtimit financiar, nëpërmjet statusit minatorët duhet të përfitojnë edhe shërbime shëndetësore dhe sociale, me synim integrimin e tyre pas shkëputjes nga puna në minierë, por mesa duket kjo e drejtë do të vonojë.