AKU fsheh pronarët dhe kompanitë që po helmojnë shqiptarët

673
Sigal

Skandalet e ushqimeve: Shqiptarët po vdesin nga sëmundjet kanceroze, që përhapen më shumë nga ushqimet e infektuara

AKU fsheh pronarët dhe kompanitë që sjellin në Shqipëri produkte ushqimore të prishura

 

Para disa ditësh, AKU publikoi lajmin “ e madh” që sekuestroi 45 ton margarinë, e cila shitet në vendin tonë si gjalpë. Madje, thua se demonstronte një ushtrim teorik matematikor, dha gjithë skemën e mashtrimit të shitjes së margarinës si gjalpë.

Lojërat e AKU-së

Mirëpo, AKU “harroi” detyrën e saj ligjore: T’u thoshte shqiptarëve se cilat ishin kompanitë që importonin margarinën, cilat kompani e ambalazhonin këtë margarinë si gjalpë, cilët janë pronarët e këtyre kompanive? A u hoq përgjithmonë licenca këtyre kompanive, si masa më e rreptë e penalizmit? Sa kohë kishin këto kompani që mashtronin shqiptarët me margarinë të cilët e shisnin si gjalpë? Në cilat dyqane, supermarkete u tregtua margarina si gjalpë? AKU, duke informuar shqiptarët për përgjigjet e këtyre pyetjeve, do të bënte transparencën e plotë, në mësyrë që shqiptarët të bojkotojnë edhe dyqanet që shesin produkte ushqimore të tjetërsuara. Mirëpo AKU nuk dha këtë informacion. Atëherë, pyesim AKU: Përse nuk u bë e plotë transparenca e kontrollit? Përse AKU nuk zbatoi ligjin, që e detyron të informojë shqiptarët se cilët janë ata që tregtojnë ushqime të tjetërsuara dhe të infektuara për qëllime tregtimi duke rrezikuar shëndetin publik të shqiptarëve? Mos vallë AKU mbron interesa të bizneseve, duke mos publikuar emrat e kompanive dhe të pronarëve, që tregtojnë ushqime jashtë çdo standardi?

180 ton mish me salmonelë, AKU akoma nuk ka publikuar emra

Para disa muajsh, në portin e Durrësit u sekuestruan disa kontejnerë me 180 ton mish me salmonelë, të importuar nga Brazili. AKU, deri më sot, nuk ka bërë publike, se cila kompani dhe emrin e pronarit të saj,e ka importuar nga Brazili 180 ton mish me salmonelë. Madje, AKU nuk ka bërë transparente, as se kjo sëmundje e mishit me salmonelë ishte në vendin e origjinës, apo u infektua gjatë transportit. Nëse sëmundja e salmonelës ishte në vendin e origjinës, do të thotë, se mishi i importuar u ble i tillë, për një çmim qesharak dhe do të tregtohej në Shqipëri me çmim shumë të lartë, pra me ndërgjegje importuesit e mishit rrezikojnë shëndetin publik të shqiptarëve në emër të babëzisë së fitimit maksimal. Mosbërja publike e emrit të kompanisë dhe pronarit që importoi 180 ton mish me salmonelë nga Brazili, sipas burimeve konfeidenciale, ka të bëjë me raportet e ngushta që ka biznesmeni me një ish-ministër të shkarkuar kohët e fundit nga qeveria, asokohe, ministër në detyrë.

Kos me vaj palme dhe djathë me allci

Fermerët në Lushnjë e Fier derdhin qumështin në rrugë, sepse kompanitë që përpunojnë qumështin nuk kanë më interes ta blejnë qumështin, ose duan ta blejnë me çmim fare qesharak. Tregu ynë është i tejmbushur me produkte blegtorale, që, nëse shikon etiketën e produkteve dhe nënprodukteve, lexon se disa kompani të prodhimit të produkteve, edhe pse nuk kaun ferma blegtorale, që të justifikojnë sasitë e mëdha që tregtojnë në treg, shkruajnë se ato prodhime janë produkt ekskluzivisht i tyre. Para disa javësh AKU, denoncoi disa ton qumësht pluhur dhe vaj palme, që sekuestroi në një kompani në Divjakë. Ky është një shembull, që kosi, djathi në treg prodhohen edhe nga pluhuri i qumështit, nga vaji i palmës dhe nga allçia, pavarësisht se etiketa e ambalazhimit shkruan se janë prodhime nga qumështi i freskët. Vetëm kompanitë e vogla të përpunimi të qumështit përdorin vajin e pjalmit dhe pluhurin qumësht? AKU nuk ka denoncuar asnjëherë emra të kompanive kryesore të përpunimit të qumështit në vendin tonë, edhe pse ato nuk mund të justifikojnë sasitë e mëdha të produkteve dhe nënprodukteve të qumështit me sasitë e qumështit të freskët që grumbullojnë. Kjo dot ë thotë se AKU nuk garanton produktet ushqimore në treg, porse AKU thjesht është bërë si polici bashkiake, që vetëm gjobit disa shkelës. Ja pra, pse kompanitë e përpunimit ë qumështit nuk kanë interes të mbledhin qumështin e fermerëve. Kanë lëndë të parë pluhurin, vajin e palmës, allçinë për të prodhuar kos dhe djathë…

Fara kanabis me certifikatën e farave bujqësore

Në vitet 2015-2017 kur në Shqipëri kultivimi i kanabis u bë masivisht, askush nuk hetoi, se nga hynë tonelatat e farave të kanabis, e cila ishte farë e zgjedhur, e ardhur nga një vend evropian. Sipas burimeve të mirinformuara, nga porti i Pireut u futën në vendin tonë tonelata fare kanabis, të cilat u certifikuan si farëra bujqësore në dogana. Natyrisht, është AKU organizmi shtetëror përgjegjës për certifikimin edhe të farave bujqësore që futen në vendin tonë. A është hetuar si u futën tonelatat e farave të kanabisit në Shqipëri?

Perime dhe fruta me pesticide dhe hormone

AKU, ndonëse ka laborator, nuk ka publikuar asnjëherë rezultate të analizave të bëra në treg për perimet dhe frutat. Madje, nga Greqia është sekuestruar disa herë tonelata me domate e perime të tjera, të cilat, pas analizave, kanë rezultuar me përmbajtje më të lartë se normat e lejuara të kimikateve, të cilat janë mbetje kimike në perime nga përdorimi pa kriter i hormoneve, pesticideve dhe plehrave kimike. AKU nuk mund të garantojë dot shqiptarët se këto produkte që shiten në tregjet tona janë të certifikuara. Përmbajtja e lartë e kimikateve në perime, fruta por edhe në mish, (si rezultat i ilaçeve dhe hormoneve që u jepen kafshëve për rritjen e peshës) shkaktojnë pasandaj ndërhyrje deri në ADN e njeriut, duke shkaktuar sëmundjet kanceroze dhe leucemi.

Miell me radioaktivitet në tregun shqiptar

Gazeta “Telegraf” e para ka qenë që ka denoncuar para 3 vitesh skandalin e miellit serb, që importohej në Shqipëri, e varfër nga përmbajtja e lëndëve ushqimore, që në Serbi destinohej vetëm për ushqim për kafshët, ndërsa në Shqipëri përdoret përmiell dhe për të të gatuar bukë. Madje, ky skandal shkoi edhe më tej, sepse mielli i importuar nga Serbia, sipas të dhënave, vinte edhe nga Ukraina dhe republika ish sovjetike, të prodhuara në zonat e ndotura me radioaktivitet nga Çermobilli.