Aksidenti tragjik në Durrës, reagon presidenti Begaj: I tronditur për ngjarjen ku humbën jetën dy vogëlushë! Ngushëllime familjarëve, institucionet të marrin masa

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas aksidentit të rëndë të ndodhur mesditën e kësaj të diele në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, ndërsa një i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Begaj shprehet se është thellësisht i tronditur nga ngjarja tragjike dhe lutet për shpirtrat e dy të miturve që humbën jetën, duke u shprehur ngushëllime të sinqerta familjarëve të tyre.

NOA

Ai gjithashtu ka uruar shërim të shpejtë për fëmijën e plagosur, i cili po trajtohet në Spitalin e Traumës.

Presidenti u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë rrugore dhe të kryejnë një hetim të plotë për zbardhjen e aksidentit. Njëkohësisht, ai apelon ndaj qytetarëve për më shumë përgjegjshmëri në respektimin e rregullave të qarkullimit.


Reagimi i presidentit Begaj: 

I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë.
Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre!
Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël.
Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital.
Institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit.
Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë!