Aksidenti i deputetit të PDIU, reagon PD: Rakipi po fshihte diçka në makinë, kush e mbron

489
Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të dëshmive të dy kushërinjve të Sait Sorrës, i cili u përplas për vdekje nga deputeti Aqif Rakipi. PD ka bërë thirrje ditën e djeshme sërish për hetim të plotë të rrethanave të aksidentit fatal të shkaktuar nga deputeti i PDIU, Aqif Rakipi në autostradë dhe kërkoi përgjegjësi të plotë para ligjit për deputetin, nisur nga dyshimet e forta se ngjarja po fshihet pasi ai njihet si mik i kryeministrit Rama. PD ngre dyshime se çfarë fshihte në makinë deputeti kur bëri aksidentin. Por nga ana tjetër paralajmëron se kushdo që po e favorizon do të mbajë përgjegjësi. Dëshmia e kushërinjve të Seit Sorrës, viktimës së aksidentit, është tronditëse dhe tregon se kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale. Kushërinjtë e viktimës, dëshmitarë okularë, rrëfejnë se deputeti, mik i Ramës, Aqif Rakipi, sapo ka përplasur për vdekje Seitin, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Ata thonë se deputeti Rakipi, iku pa u ndalur fare, sikur donte të fshihte diçka. Largimi i tillë nga vendi i ngjarjes është kriminal dhe i thellon përmasat kriminale të ngjarjes. Familjarët e jo vetëm ata janë shprehur se deputeti nëse do të ishte vërtetë i pafajshëm dhe njeri human, duhet të qëndronte në vendin e krimit dhe t’i jepte ndihmën e parë të aksidentuarit. Por ndyshe ka vepruar deputeti. Ai e kru aksidentin dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Mësohet, gjithmonë sipas të dhënave zyrtare që ka paraqitur policia, se deputeti është dorëzuar në komisariatin e Policinë numër 2 në kryeqytet dhjetë minuta pas aksidentit. Por largimi i tij nga vendi, është shkalje e parë e ligjit pas kryerjes së aksidentit. Një tjetër shkelje sipas policisë është edhe shpejtësia tej normave të lejuara të qarkullimit rrugor, me të cilën po udhëtonte deputeti. Të dhënat janë bërë të njohura nga policia, ndërsa vet deputetit, është shprehur se ka bërë të pamundurën për të shmangur aksidentin, por nuk arriti dot. Kjo sipas tij ka ndodhur për faktin se kalimtari i ka dalë menjëherë përpara dhe përpjekja për të devijuar makinën nuk ka rezultuar e suksesshme. Ekspertiza në këtë ngjarje ka nxjerrë fajtor viktimën. Sipas ekspertizës, ka qenë kalimtari ai që i ka prerë rrugën deputetit që po udhëtonte. Ndërkohë e ndodhur para këtyre fakteve, prokuroria dhe gjykata vendosën të procedojnë në gjendje të lirë deputetin. Por nuk ka qenë e këtij mendimi, Partia Demokratike, e cila me anë të një deklarate hedh hie dyshime lidhur me veprimtarinë e deputetit. Sipas PD-së, deputeti që njihet si mik i Ramës fshihte diçka në makinë dhe për këtë arsye nuk priti policinë në vendin e ngjarjes, por u largua. 

“Çfarë po fshihte deputeti mik i Ramës?
A ishte ai në gjendje të intoksikuar nga alkoli apo substanca të tjera? Çfarë kishte në makinë miku i Ramës, i cili nuk donte që policia ta gjente makinën në vendngjarje e ta kontrollonte? Dhe më e pakta, pse një i zgjedhur, një deputet, nuk kujdeset për viktimën, nuk i ofron ndihmën e parë por ikën me shpejtësi pa u ndalur menjëhere pasi ka përplasur për vdekje një njeri? Nxitimi i policisë dhe organeve ligjzbatuese për të shpallur fajtor viktimën e për të nxjerrë viktimë fajtorin vetëm pse është mik i Edi Ramës, është skandaloz, është revoltues, është poshtërues. Partia Demokratike bën thirrje për hetim të plotë të rrethanave dhe përgjegjësi të plotë para ligjit për deputetin. Partia Demokratike paralajmëron këdo person që po favorizon mikun e Ramës në kurriz të viktimës, se çdokush që shkel ligjin do të mbajë përgjegjësi”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Sigal