Akademiku Artan Fuga: Gazetarët po të duan i bëjnë gjëmën Edi Ramës

451
Akademiku Artan Fuga ka komentuar raportin e kryeministrit Rama me gazetarët, nisur nga situata e krijuar pas seancës plenare të së mërkurës, ditë kur Kuvendi rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e ish-ministrit Tahiri. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, ai ka treguar mënyrën sesi gazetarët duhet t’i përgjigjeshin kryeministrit Rama.
Duke u ndalur tek teoritë e studimit në gazetari, akademiku Fuga tha se gazetari ka të drejtë të bëjë komente mbi politikanin, ndërsa ky i fundit nuk mund të komentojë gazetarin. Ai theksoi se referuar teorive në gazetari, thuhet se “gazetari është superior ndaj politikanit, nëse do i bën gjëmën politikanit”.
“Kryeministri është strateg komunikimi, a prodhoi në ngjarje a jo këtë nuk mund ta them. Midis gazetarit në terren dhe politikan, unë dua që të ashpërsohet gjuha. Kjo është ajo që pres. Unë e di si janë ata djem dhe vajza në terren, mes tyre ka ekselenca. Dëshiroj që nesër pasnesër të marrin guximin, dhe t’i përgjigjen po me aq guxim. Unë mendoj për qytetarin.
Nuk jam që politikani t’i bëjë furça medias, apo gazetari t’i përgatisë pyetjet politikanit e t’ia dërgojë paraprakisht me email. T’i thonin, kjo nuk është pyetje idiote, është në interes të publikut. Nëse unë do ju fyeja tani, ju s’do humbnit asgjë. Dinjiteti juaj nuk varet nga fjala ime.
Në çdo teori studimi në gazetari, vlerësohet se gazetari është superior ndaj politikanit. Gazetari i bën gjëmën politikanit. Librat e komunikimit nuk e lejojnë pushtetarin të bëjë komente mbi gazetarin, ndërsa gazetari ka të drejtë të bëjë komente mbi politikanin.
Këtu është problemi se ne opinionin publik mediat nuk kanë besueshmërinë që duhet. Kjo ndodh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë”, u shpreh akademiku Artan Fuga.
Sigal