Ahmetaj në Hungari: Shqipëria, vend tërheqës dhe favorizues për investitorët e huaj

473
Sigal

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, ka zhvilluar dje një vizitë zyrtare në Hungari, ku ka pasur takime të rëndësishme me investitorë potencialë. Gjatë takimit në Agjencine Hungareze të Investimeve, Ahmetaj u takua me përfaqësues të bizneseve të rëndësishme hungareze si, Grupi Energjetik MVM Ovit National Poëer Line Company Ltd, me të cilët u diskutua për sektorin hidrokarbur dhe mundësitë e investimit që ofron Shqipëria në këtë sektor. “Kompania Albpetrol, është një nga asetet më të rëndësishme shtetërore, – tha ministri , të cilën po mendojmë ta japim me joint venture ose privatizim. Është nje sektor i rëndësishëm dhe me hapësira të medha sidomos me ardhjen e TAP në Shqipëri, në kuadër të të cilit  ka filluar edhe procesi i shpronësimeve”. Ministri theksoi se Shqipëria është një vend tërheqes dhe me klimë biznesi shumë favorizuese për investitorët e huaj, duke bërë të mundur edhe interesin për investim dhe zhvillimin e industrisë në Shqipëri. Ministri zhvilloi një takim edhe me përfaqësuesit e kompanisë farmaceutike Gedon Richterz, Sandot Kovats, të cilëve Ministri Ahmetaj u tha se, “Shqipëria ofron shumë oportunitete duke qenë një treg në rritje, vetëm vitin e fundit ky treg ka shënuar një rritje prej 10%. Dhe kjo sepse shqiptarët kanë filluar të përdorin kualitetin edhe tek medikamentet dhe nënproduktet e tjera farmaceutike”. Me tej Ahmetaj u prit nga Zv. Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë, z. Peter Szijjarto. Gjatë pasdites, Ministri Ahmetaj do të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit e OTP Bank, një bankë serioze dhe e mirënjohur, e cila gjithashtu ka shprehur interes për tregun shqiptar.