Ahmetaj në Gjirokastër me kandidaten Rami – “Projekti ynë është projekt fitues për qytetarin”

449
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, gjatë vizitës në qarkun e Gjirokastrës, i shoqëruar edhe nga kandidatja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në këtë qytet, Zamira Rami, zhvilloi një ‎tur në bizneset dhe dyqanet karakteristike të Qafës së Pazarit për te prezantuar projektet që Bashkia, me mbështetjen e qeverisë shqiptare do të realizojë, siç theksoi ai, pas fitores së 21 qershorit. Bëhet fjalë për katër projekte kryesore që përfshijnë ndërtimin e unazës së re të qytetit, projekti i restaurimit të fasadave dhe çative për rikthimin e ngjyrave karakteristike gri dhe të bardhë të qytetit, projekti i ndërtimit të pedonales në qendrën e vjetër të qytetit dhe projekti për kthimin e qytetit në një qendër të rëndësishme turistike.
Duke folur për projektin për Gjirokastrën, Ministri Ahmetaj tha se ‎”ndjesia fantastike që morëm sot nga bizneset e Gjirokastrës është se në këto dy muaj është rritur fuqia blerëse, është rritur xhiro dhe festivali Gjirokastrës gjithashtu ka qenë një atraksion turistik qoftë për turistë të huaj, qoftë vendas. Projektet që kemi për Gjirokastrën kanë për qëllim kryesor zhvillimin ekonomik në turizëm, të këtij qyteti i cili është i rrallë, përfaqëson vlera unike tradicionale. Projekti i parë në qendrën e vjetër të qytetit është rregullimi i gjithë fasadave, kthimi i shkëlqimit të gurit dhe ngjyrës së bardhë, është projekti i rregullimit të çative gri, ashtu siç i përshkruan Kadare në “Kronikë në gur” dhe ashtu siç është në sytë e çdo shqiptari madhështia e qytetit dhe siç thonë dhe të gjithë qytetarët, kthimi i qendrës së vjetër të qytetit ne një pedonale; projekti e kthen qytetin në një qendër biznesi po ashtu, dhe në një qendër turistike. Projekti urban i unazës së re të qytetit që devijon trafikun dhe çliron qendrën, është i domosdoshëm, e kemi filluar dhe jemi të bindur që në dy vitet që vijnë, bërja e unazës do t’i kthejë qytetit pastërtinë dhe madhështinë e dikurshme. Unë jam i bindur që projekti i Zamira Ramit, jo vetëm që do të jetë projekti fitues për Gjirokastrën në këto zgjedhje, por është një projekt fitues për qytetarin. Është një projekt që ka në qendër qytetarin, kthimin e madhështisë së dikurshme të qytetit, kthimin në një destinacion turizmi por edhe integrimin e të gjithë zonave agro-bujqësore në funksion të turizmit, qoftë kulturor apo kulinar, i cili, në informacionin që marrim, është duke u kthyer gjithashtu në një atraksion turistik për vendas dhe të huaj” – përfundoi Ahmetaj.
Ministri dhe kandidatja Rami kanë diskutuar me sipërmarrës të zonës edhe për problematikat me të cilat ata përballen aktualisht.
“Ai që është problem për ne dyqanet e zonës këtu është kalimi i makinave. Edhe për turistët përbën problem, pasi nuk kanë ku kalojnë, nuk ndalojnë dot për të parë në dyqanet tona, nuk janë te qetë, pasi çdo gjë është e lidhur – shprehet një tregtare. 
Nga ana e saj kandidatja Zamira Rami u shpreh se shumë shpejt qafa e pazarit do të kthehet në pedonale. Projekti i ndërtimit të unazës së re të qytetit, do të zgjidhë këtë çështje duke devijuar qarkullimin e makinave nga qendra. Ajo përmendi edhe rëndësinë e kthimit në identitet të qytetit karakteristik, përmes projektit të rregullimit të fasadave të qytetit duke u rikthyer ngjyrën e bardhe dhe gri të çative.
“Do të përpiqemi që me një guidë turistike të plotë të arrijmë të realizojmë një promovim të Gjirokastrës sepse duhet që turizmin ditor ta kthejmë në një turizëm të qëndrueshëm, që këto biznese të marrin më shumë jetë dhe të rriten në numër dhe Gjirokastra e këtyre ditëve të festivalit e mbushur plot me turistë të huaj dhe vendas të jetë Gjirokastra e gjithë vitit – tha Rami.
Sigal