Agron Duka: T’i themi “Jo” varfërisë, padrejtësisë, krimit dhe korrupsionit!

461
Sigal

Partia Agrare Ambientaliste, alternativë bindëse në politikën shqiptare

Partia Agrare Ambientaliste është ndër forcat e para politike të themeluara qysh në vitet e para të pluralizmit politik. PAA ka dhënë një kontribut historik në jetën politike të vendit dhe demokratizimin e saj. Mirënjohje për themeluesit dhe drejtuesit e PAA me në krye Meno Gjolekën. Por emri që në fakt është i lidhur organikisht me forcën tonë politike është Prof. Dr. Lufter Xhuveli, i cili është pjesë e rëndësishme e historisë së kësaj partie! Brenda një kohe të shkurtër kemi ideuar një platformë të bashkëpunimit qytetar për të kërkuar kthimin e dinjitetit të tyre dhe për të ngjallur shpresën tek ju se ky vend mund dhe do të bëhet! Kontributi që japim mund të jetë modest në këtë projekt të ri, në këtë nismë të mbarë, por kauza jonë është e madhe sepse e tillë është rëndësia që ka bujqësia, prodhimi, ambienti ku ne të gjithë jetojmë dhe meritojmë një jetë më të mirë. T’i themi jo varfërisë. Në konventën tonë madhështore ne të gjithë së bashku do t’i themi: “Jo” varfërisë, padrejtësisë, krimit, korrupsionit dhe arrogancës! Konventa do t’i japë jetë programit të ri të PAA sepse ne të gjithë së bashku i themi: Po shpresës! Po mirëqenies! Po zhvillimit të Shqipërisë sonë!

 

Nga konventa e VI e PAA do të jetësohen objektivat e programit të PAA

 

– Eliminimi i varfërisë dhe rritja e mirëqenies.

– Urbanizimi i hapësirës rurale

– Prodhime bujqësore e blegtorale cilësore dhe të sigurta.

– Zhvillim i qëndrueshëm bujqësor, mjedis cilësor dhe turizëm rural.

Për arritjen e e këtyre objektivave PAA synon:

• Rritjen e kontributit të bujqësisë në prodhimin e përgjithshëm dhe mbështetje të konsiderueshme buxhetore për këtë sektor.

• Rritjen e investimeve publike në zonat rurale

• Zhvillimin dhe modernizimin e agro-industrisë dhe sektorit të peshkimit duke mundësuar rritjen e punësimit.

• Ndryshimin domethënës të raportit import-eksport për produktet me origjine bimore dhe shtazore,duke plotësuar të gjitha marrëveshjet kornizë që kanë lidhje me sektorin.

• Uljen e TVSH-së së inputeve që përdoren në bujqësi si fara, fidana, plehëra, pesticide…etj në nivelin e mesatares së rajonit në 5-7%.

• Kontrollin për sigurinë ushqimore, standardet e produkteve dhe imputeve bujqësore.

• Politika efektive për subvencionet dhe ndryshim të skemës së përfituesve.

• Mbrojtjen e mjedisit në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm

Konventa kurorëzon një fazë tejet të rëndësishme të organizimit të partisë. Ne jemi të gjithë këtu të mandatuar nga degët dhe seksionet e PAA nga e gjithë Shqipëria për ta formalizuar këtë akt, dhe më tej për të marrë së bashku disa vendime më rëndësi të dorës së pare siç janë programi, statuti dhe organet e reja drejtuese. Konventa është një stacion i rëndësishëm në udhëtimin drejt suksesit, në zgjedhjet parlamentare të vitit që vjen. Garancia më e madhe, për të realizuar objektivat dhe prioritetet e programit te PAA do jeni ju. Me mbështetjen tuaj do ta bëjmë realitet që PAA, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të përfaqësohet me grupin e saj parlamentar. Ky është një objektiv realist, pasi besimi në elektorat dhe tek partnerët tanë politik po shkon gjithnjë e më shumë në rritje të vazhdueshme. Ju jeni në dijeni të sfidës së parë që Partia Agrare Ambientaliste ka marrë përsipër, atë për të kandiduar në emër të koalicionit opozitar, për zgjedhje të pjesshme për Bashkinë e Kolonjës, zgjedhje këto të imponuara pas ndarjes nga jeta të Kryetarit te kësaj bashkie z. Arben Malo. Ne emër të respektit njerëzor i shpreh familjes së tij dhe gjithë kolonjarëve, ngushëllimet e mia për humbjen e parakohshme, të njeriut të tyre të dashur. Sigurisht që ky besim i koalicionit opozitar, shpreh peshën e madhe dhe specifike, gjithnjë e në rritje, të PAA si brenda koalicionit ashtu edhe më gjerë, në arenën politike shqiptare.

Gruaja dhe rinia, dy shtyllat bazë të PAA

Programi i PAA është një dokument me rëndësi,për jetën politike të partisë. Në këtë dokument krahas objektivave, prioriteteve dhe propozimeve në fushën e bujqësisë dhe ambientit, janë të sanksionuara zgjidhjet tona, për të gjitha fushat e jetës. Në këtë program, sanksionohet se PAA është për një shoqëri të hapur. Për ne bashkëpunëtorë, janë të gjithë ata që ndajnë me ne, vendin ku jetojmë pavarësish nga origjina, besimi, kombësia, mosha, gjinia, posti apo formimi kulturor. Një vlerësim i veçantë në këtë program i bëhet gruas shqiptare, e cila vazhdon të përjetojë pabarazi në jetën sociale e politike. Ne i jemi mirënjohës, grave ambientaliste për punën dhe kontributin e tyre, edhe pse cdo ditë i takon atyre të përballen, me mjaft vështirësi. Ato do dinë të kalojnë pengesën e madhe, realitetin maskilist shqiptar. Përulemi përpara gjithë nënave, grave e të rejave të PAA. 

Rinia e PAA! Jam i bindur, që rinia ambientaliste do të jetë lokomotiva e ndryshimit të madh, për një Shqipëri Europiane. Historia përsëri kërkon nga të rinjtë, që të bëjnë realitet të ardhmen e kombit shqiptar, për një Shqipëri ndryshe nga kjo që kemi sot. Ne do të dimë të punojmë natë e ditë, që t’i sigurojmë ardhmërinë e sigurt rinisë tonë shqiptare, që ajo të mos kërkojë shanset e saj rrugëve të botës. Shqipëria ka shumë nevojë për ju, për dijet, forcën dhe kontributin tuaj. Sot më shumë se kurrë vlen thirrja: Mos Ik! Ti vlen për vendin tënd! Shqipëria është e jona! E rëndësishme dhe kredo e jetës sime ka qenë dhe është njeriu. Në çdo aktivitet të jetës, në sport, në biznes e sidomos në politikë, ne punët i kemi bërë duke patur parasysh njeriun. Nuk ka asnjë vlerë, një statut i shkëlqyer, një program partie a qeverie, nëse nuk i shërben njerëzve e nuk realizohet përmes njerëzve. Besimi, marrëdhëniet njerëzore, fjala e mbajtur , respekti e vlerësimi për cilindo që ka një kontribut për të dhënë, na kanë krijuar në radhë të parë një atmosferë komuniteti dhe bashkëpunimi.  Gjatë gjithë kësaj periudhe, ne jemi dëshmitarë, që rreth nesh janë afruar pa dallim të majtë e të djathtë, figura publike e me profil të lartë politik! PAA është e hapur për këdo që është i zhgënjyer prej demagogjisë e politikës konfliktuale.