Agostin Marku, ish- deputet i PS-së: Rama, me hashashizimin e vendit, kriminalizoi votën

660
Sigal

Ekskluzive me ish-deputetin e PS-së Agostin Marku: Socialistët, shtresa e mesme, pensionistët, ish- ushtarakët, fermerët, minatorët dhe emigrantët, ndihen të tradhëtuar nga “Rilindja”. Rama 800 mijë vota  nuk i mori në zgjedhjet pa kundërshtar dhe jo më tani, sepse ai u vu në shërbim të monopoleve duke thyer besimin e elektoratit. Nëse Ilir Meta merr qeverisjen e re, u shërben edhe socialistëve, të cilët duan sundimin e ligjit dhe të shtetit ligjor.

 

Agostin Marku, ish- deputet i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” shkruan se “Lazarati” i ndërmarrë nga kryeministri Rama në 2015, shërbeu për të marrë nën kontroll monopolin e hashashit, sepse me hashashin kriminalizoi votat në 2015, 2017 dhe në 2019, ndërsa përmasat e mëdha të kultivimit të hashashit në këtë vit, janë potencial financiar i rilindasve, për të blerë votat edhe në 25 prill 2021. Zoti Marku pohon se socialistët janë të zhgënjyer nga qeverisja e kryeministrit Rama, sepse nuk mbajti asnjë premtim dhe i braktisi socialistët dhe të Majtën, derisa u vu në shërbim të oligarkëve. Zoti Marku, pohon se Presidenti Meta ka qenë kryeministri më i suksesshëm i socialistëve dhe, nëse ndërmerr iniciativën, që nnë 26 prill të marrë kreun e qeverisë së re, atëhere do të ketë përkrahjen edhe të socialistëve, të cilët duan sundimin e ligjit dhe të shtetit ligjor.

 

-Zoti Marku, kryeministri Rama, në fillimin e fushatës elektorale, çon me urgjencë projektligjin për hapjen e kumarit, kur para 4 viteve, ato i mbylli me forcë, duke shkatërruar mijëra biznese, la të papunë dhjetëra mijëra shqiptarë, burgosi ata që e kundërshtuan atë operacion policor. Sipas jush, cilat janë arsyet politike që kryeministri Rama “Rilind” kumarin?

– Kryeministri Rama “Rilind” gjithçka që nuk duhet në këtë vend dhe lufton e shkatërron atë që duhet. Kjo tashmë shihet e dëgjohet nga kushdo dhe cilido shqiptar që ka sy e veshë. E rëndësishme është që këta shqiptarë që kanë sy e shikojnë dhe që kanë veshë e dëgjojnë, të kenë edhe memorien e fresket që të reflektojnë dhe t’i japin atë që meriton me 25 Prill 2021. Ai dërgon me urgjencë në parlament projektligjn për hapjen e kumarit, kur para katër viteve, ato i mbylli më forcë dhe shkatërroi me dhunë, sepse tani është koha më e përshtatshme për t’i miratuar dhe për të pasur monopol edhe  këtë sektor. Ndryshe më vonë nuk do t’i binden as të tijët, sepse mjaft mirë shumë prej tyre deputetë,  do t’i lejë në baltë, duke i mos i kandiduar, sipas teorisë së limonit të shtrydhur, që i shkon më për shtat se çdo politikani tjetër. Të gjitha veprimet kryeministri Rama i bën gjoja në emër të reformave. Pra edhe rastin e mbylljes së  kazinove para katër viteve e ka bërë në emër të reformave, por në fakt veprimet e tanishme tregojnë se e ka bërë pikërisht se nuk kishte akses dhe kontroll ndaj tyre. Forma e vetme për t’i menaxhuar, kontrolluar dhe patur monopolin, ishte që të shkatërrojë tregun dhe investimin e mijëra bizneseve, duke lënë të papunë dhjetëra mijëra shqiptarë, ishte t’i rihapte tani. Pra atij nuk i intereson fare se ka shkatërruar biznese, apo ka lënë mijra veta pa siguruar bukën e gojes. Për atë, në sherbim të monopoleve, konçensioneve dhe oligarkisë, duhet vënë gjithçka; partia, morali, vota, besimi, ideali, fjala reforme, burimet njerëzore, integrimi e çfarë të ënderrojë në darkë për ta realizuar të nesërmen.

–  Paralelisht, në fillimin e qeverisjes në mandatin e qeverisjes së parë kryeministri Rama ndërmori operacionin policor të luftës kundër hashashit, që u kurorëzua me rënien e Lazaratit. Mirëpo, këtë vit hashashizimi i Shqipërisë ka marrë përmasa të mëdha. Rastësisht, kjo, në vitin elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021?

– Në fillimin e mandatit të parë qeverisës kur kryeministri Rama ndërmori operacionin policor të luftës kundër hashashit, që u kurorëzua me rënien e Lazaratit, cilido e përgëzoi, sepse u mendua se tashmë çështja e kultivimit të drogave dhe tregtimit të tyre do të marrë fund në vendin tonë. Jo pa qëllim edhe organizmat ndërkombëtarë, e sidomos strukturat e BE-së, e përshendetën dhe inkurajuan qeverinë në këtë ndërmarrje të vështirë, por të domosdoshme. Edhe ajo pjesë e asaj opozite, që e kundërshtoi ishte në gjysëm zëri kundërshtie, duke përmendur më shumë veprimet e dhunshme tek-tuk ndaj trafikanteve, dhe në heshtje duke përshendetur veprimet e qeverisë. Por realisht nuk ishte e thënë që kjo qeveri të paktën për një rast të vetëm, gjatë mandatit të përmendet për një veprim në sherbim të sigurise dhe luftës kundër prodhimit dhe trafikimit të drogës. Nuk u desh shumë kohë të vërtetohej se ai veprim i qeverisë nuk ishte për të luftuar këtë fenomen të rrezikshëm, por përkundrazi për ta shtrirë në të gjithë territorin dhe me pronarë të rinj. Pra, nuk ishte asgjë tjetër, veçse një veprim për të marrë monopolin edhe të kësaj industrie të fuqishme me të ardhura të konsiderueshme, për t’i përdorur siç u vërtetua më vonë deri dhe në kriminalizimin e votës. Kështu nga militantë histerikë të rilindjes, persona të inkriminuar dhe në tërësi bota e krimit, që u vendos përkrah kryeministrit për të siguruar vota edhe në 2013, ndanë zonat e influencës dhe shumë shpejt, Shqipëria do të gjelbërohej nga kanabisi. Megjithëse nuk ishte e vështirë të konstatohej ky gjelbërim i vendit me kultivimin e drogërave nga më të fortat, pothuajse çdo natë në mediet kombëtare dhe rrjete sociale, do të kishim të njëtat deklarata nga titullarët e Ministrisë së Brendshme, se në Shqipëri nuk mbillet dhe as kultivohet asnjë bimë kanabis apo lloj tjetër drogë. Kështu çështja e kanabizimit të Shqipërisë është bërë çdo vit, por ka pasur oshilacione, dhe në vitet elektorale ka arritur kulmin. Kjo është vënë re në çdo vit elektoral të qeverisjes së këtij kryeministri ashtu siç tashme e shikon kushdo edhe tani kurbën e rritjes në këtë vit, që ka marrë përmasa të mëdha. Pra, kjo nuk është diçka rastësore pasi përkon në vitin elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. E njëjta strategji, nga i njëjti dirigjent, nga e njëjta strukturë dhe më të njejtin qëllim. Të kriminalizojë sa më shumë njerez duke shtuar botën e krimit, që të jenë në shërbim të blerjes dhe kriminalizimit të votës elektoralë. Në çdo shtet të botes tashmë është vertetuar katërcipërisht se kur dhe ku është kultivuar dhe trafikuar drogat e çdo lloji, kanë pasur vrasje, përplasje, krim, vota të deformuara për të ruajtur pushtete të pamerituar dhe që të gjitha së bashku sjellin pasiguri e deformim të sistemit demokratik. Ndaj kjo duhet të jetë një arsye më shumë që ky popull të zgjohet dhe t’i thërrasë ndërgjegjës sa nuk është vonë.

INFO

Për Ramën, në shërbim të monopoleve, koncensioneve dhe oligarkisë, duhet të vihen gjithçka: partia, morali, vota, besimi, ideali, fjala reformë, burimet njerëzore, integrimi dhe e nesërmja e shqiptarëve

 

Zoti Marku, kryetari i PS-së, duke hapur zyrtarisht fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, u kërkoi drejtuesve politikë dhe kryebashkiakëve “rilindas” 800 mijë vota dhe 74 mandate, por nuk iu drejtua elektoratit të Majtë dhe as socialistëve. Sipas jush, pse Rama votat nuk i kërkoi nga socialistët?

– Pavarësisht se është shpallur dekreti i zgjedhjeve parlamentare, realisht dhe ligjërisht fushata elektorale nuk ka filluar, por përsëri kryeministri nuk do t’ia dijë edhe në këtë drejtim. Ai u kërkoi drejtuesve politikë dhe kryebashkiakëve rilindas 800 mijë vota dhe 74 mandate, sepse e di shumë mirë se nuk ka asnjë argument, apo arsye që të marrë jo aq, por as gjysmën e tyre. Si mund t’ja sigurojnë 800 mijë vota dhe 74 mandate, drejtuesit e tij politikë dhe kryebashkiakët rilindas kur ato u deskretituan në fushatën pa garë në vitin 2019, duke marrë minimumin e votave që ka marrë e majta edhe në situatat me kritike të saj? Nuk iu drejtua elektoratit të Majtë dhe as socialistëve për votat, sepse Rama nuk punoi për afro tetë vite për të merituar votat e socialistëve dhe progresistëve. Socialistët, shtresa e mesme e popullsisë dhe të varfërit përfundimisht ndjehen të tradhëtuar nga kjo qeverisje.

INFO

Meta hyn tek politikanët që janë më produktiv në ekzekutiv dhe nëqoftëse ndodh një gjë e tillë unë do ta quaja një politikan të guximshëm për të lëshuar pushtet dhe privilegje duke pranuar sakrifica për të bërë shtet në shërbim të qytetarëve

–  Një kryeministër që ka qeverisur 2 mandate rresht, i akuzuar për korrupsion, për inkriminim, për kapje të pushteteve, për përpjekjet e tij të instalojë shtet monist, çuditërisht emëron drejtues politik në qarqe për fushatën elektorale, ministra dhe ish ministra të cilët janë akuzuar për korrupsion. Pse kryeministri zbaton këtë strategji elektorale?

– Përvoja demokratike e shumë vendeve të zhvilluara na ka treguar së është shumë e vështirë që e njëjta forcë apo bllok politik të qeverisë pa ndërprerje më shumë se dy mandate. Edhe sikur të kishte qeverisur në mënyrën më të mirë të mundshme, ne nuk jemi Gjermania dhe as Suedia. E them këtë, sepse edhe vetë kryeministri, jo vetem që e di shumë mirë se kjo nuk mund të funksionojë, por dhe është i ndërgjegjshëm se si ka qeverisur dhe çfarë interesash ka mbrojtur.  Nuk mund ta realizojë këtë ëndërr, ndaj po vepron ekzakt sikur kemi parë në sistemet moniste, të cilet për të krijuar përshtypjet sikur kanë reflektuar, apo për të justifikuar gabimet kurban bëjnë lëvizje të tilla dëshpëruese, si ndërrime drejtuesish politik, apo pse jo dhe strukturë qeveritare apo emra të veçantë ministrash. E gjitha kjo strategji është thjesht për të bërë përpjekje për të ruajtur sa është e mundur atë kontigjent “rilindas” që i ka mbetur aktualisht.

– Shkojmë në zgjedhjet parlamentare pa u dënuar krimi elektoral i dosjeve 339 dhe 184, fakte të dokumentuara nga Prokuroria të shitblerjes dhe manipulimit të votave, tjetërsim i rezultatit zgjedhor nga ministra, kryebashkiakë e deputetë socialistë. A mendoni se në zgjedhjet e 25 prillit 2021 vota do të jetë e garantuar se nuk do të blihet masivisht, nuk do të manipulohet?

– Për mua nuk është ndonjë gjë e papritur që me këtë kryeministër nuk mbyllet asgjë, as edhe çështja e dosjeve për të ndëshkuar korrupsionin apo krime të natyrave të ndryshme. Po të ndëshkohen krime të kësaj natyre, atëherë me këtë kapje pushteti, si mund të ndëshkohet dirigjenti i tyre që është vetë ai që drejton këto pushtete të kapura? Fakti që nuk ka ndëshkime tregon se pavarësisht që trumbetohet më të madhe reforma në drejtësi, akoma në Shqipëri çalon shumë sistemi drejtesisë. Kjo është alarmante, por jo të biem në pesimizëm. Ky popull është që ka shkelmuar diktaturën 50- vjeçare në vitin 1990, jo të mos largojë një klikë të korruptuar sado e pasuruar me paratë e drogës dhe krimit. Populli të ndëshkon pikërisht kur drejtuesi kalon në delir. Dhe deliri i madhështisë tashmë ka kaluar çdo hallkë të këtij pushteti, ndaj sido që të jetë klima parazgjedhore, unë besoj se vota popullore, do ta ulë me këmbë në tokë këtë delir. Sado kanabis të mbillet, sado vota të blihen, sovrani shqiptar është aq i zgjuar sa te largojë deformuesit e demokracisë dhe abuzuesit e pushtetit.

 

Si mund t’ja sigurojnë 800 mijë vota dhe 74 mandate, drejtuesit politikë dhe kryebashkiakët rilindas kur ato u deskretituan në fushatën pa garë në vitin 2019, duke marrë minimumin e votave. Socialistët, shtresa e mesme e popullsisë dhe të varfërit përfundimisht ndjehen të tradhëtuar nga kjo qeverisje

–  Zoti Marku, një lajm që u përhap dje, se Presidenti Meta mund të marrë postin e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, a mendoni se ngjall shpresë tek socialistët e zhgënjyer nga “Rilindja” Socialiste?

– Nuk e di sa i vertetë është ky lajm kur me sa di unë, nuk është akoma i konfirmuar nga vetë Zoti Meta. Dihet tashmë jo vetëm nga opinioni publik dhe politik, por dhe nga njerëzit mbarë në Shqipëri se Politikani Meta hyn në kategorinë e politikanëvë aktivë dhe dihet se është shumë më produktiv në poste ekzektutive se ato ligjvënëse apo honorifike, siç është funksioni presidentit. Tashmë, ai, ka dhënë prova që në moshë të re në funksione ekzekutive në politikën e jashtme, në diplomaci, poste të tilla si zv/kryeministër në kohën e krizës kosovare me një menaxhim të shkëlqyer, apo dhe kryeministër në kohën kur qeverisja e PS-së ka patur treguesit më të mirë ekonomikë dhe zhvillimorë. Ka patur edhe shumë funksione në kohë e situata të tjera të vështira ku është shquar për kompromise transparente politike, në shërbim te konsolidimit të demokracisë duke afruar shumë herë edhe dorëheqjet në shërbim të zgjidhjes së krizave. Përmenda më konkretisht ato funksione të periudhës para 2005 që përkojnë me qeverisjen e socialisteve, dhe në një moshë farë të re, me ato suksese të padiskutueshme të një politikani shumë energjitik që ka lenë gjurmë te pashlyera në historinë e sukseseve të socialisteve. Gjithashtu është një ndër politikanet e rrallë në politikën shqiptare si personalitet i fjalës dhe premtimeve të mbajtura. Përfundimisht, Meta hyn tek politikanët që janë më produktiv në ekzekutiv dhe nëqoftëse ndodh një gjë e tillë unë do ta quaja një politikan të guximshëm për të lëshuar pushtet dhe privilegje duke pranuar sakrifica për të bërë shtet në sherbim të qytetarëve. Një ndërmarrje e tillë i shërben edhe socialistëve, të cilët më shumë se kushdo duan sundimin e ligjit dhe të shtetit ligjor, dhe e kanë provuar suksesin e Metës në qeverisjet e suksesshme të PS në mandatet 1997-2005.

-Falëminderit!

Jakup B. GJOÇA

INFO

Nëse Ilir Meta merr qeverisjen e re, kjo u shërben edhe socialistëve, të cilët më shumë se kushdo duan sundimin e ligjit dhe të shtetit ligjor, dhe e kanë provuar suksesin e Metës në qeverisjet e suksesshme  të  PS-së  në mandatet 1997-2005