Agim Nesho; Të gjithë në mbrojtje të Kushtetutës

92

Të gjithë në mbrojtje të Kushtetutës

Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB

Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB dhe një prej diplomatëve më të njohur shqiptar bën thirrje në mbrojtje të Kushtetutës. Ish-ambasadori, tashmë edhe nënshtetas amerikan, shkruan i shqetësuar për grushtin e shtetit ndaj Kushtetutës dhe lojërat e pista të mazhorancës. Agim Nesho: Kur baballarët e kombit krijuan Kushtetutën Amerikane, një grua pyeti Benxhamin Franklin se çfarë modeli qeverisje kishin zgjedhur. “Republikë – tha Franklin, nëse ju mund ta mbani.” Shqetësimi i tyre qëndronte në mbrojtjen e shtetit dhe republikës nga arroganca e mazhorancës. Shqipëria, që me revolucionin demokratik të 90-ës idealizonte Perëndimin dhe sistemin Amerikan të qeverisjes. Por ndërsa amerikanët mbetën të vendosur dhe të përgjegjshëm në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shqiptarët mbeten peng të psikologjisë Lindore të pranimit të pagabueshmërisë së liderit, autoriteti i të cilit dominon. Shqipëria gjithmonë e më shumë po shket në një regjim autokratik dhe jo- liberal ku shteti ligjor gjithmonë e më shumë është vënë në funksion të interesave oligarkike të një pakice që dominon pushtetin politik. Balancat e pushtetit janë prishur, institucionet e shtetit janë kapur, parlamenti është një shtojcë e ekzekutivit, nuk ka as transparencë dhe as llogaridhënie. Thjesht nuk ka as republikë dhe demokracia vegjeton imagjinare. I vetmi institucion i pavarur që po reziston është institucioni i Presidentit të Republikës. Beteja e fundit ishte kapja e drejtësisë. Veprimi i fundit i regjimit për të kapur Gjykatën Kushtetuese nuk është një luftë midis Presidentit dhe mazhorancës së kapur të regjimit. Ajo është fillimi i instalimit të një shteti autoritar që kërkon të mbrojë interesat e tij, duke kapur drejtësinë nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës. Kushtetuta mund të jetë një ‘letër’ që mund të griset shpejt, por bashkë me të prishet kontrata sociale me popullin dhe e ardhmja që ai ka zgjedhur. Sot Ilir Meta nuk është vetëm Presidenti i Republikës që është garant i mbrojtjes së Kushtetutës, por edhe shtetari-qytetar në mbrojtje të Kushtetutës. Ai mund të ketë bërë gabime, duke ndihmuar në instalimin  e këtij sekti në pushtet në 2013, apo lejuar në heshtje disbalancën e pushteteve dhe marrjen e kompetencave të institucioneve të pavarura nga ekzekutivi. Por sot, Ai është gardiani i fundit i asaj që shqiptarët duhet ta kuptojnë që përbën qëllimin e ekzistencës (raison d’etre) të së ardhmes së tyre. Kjo është një çeshtje thelbësore për të ardhmen e shtetit Shqiptar.