Në një prononcim nga Porti i qytetit bregdetar, Kreu i PD në Durrës, Ferdinand Xhaferraj ka folur për koncesionin 30 milionë euro që qeveria ia ka dhënë tashmë një kompanie malteze për kalatën nr.6 për përpunimin e konteinerëve.
Xhaferraj i drejton disa pyetje Ramës lidhur me pronarët e kompanisë, historinë që fshihet pas koncesionit dhe pse nuk respektohet detyrimi ligjor teksa në fund e pranon se nuk pret përgjigje nga kryeministri.
Sipas tij për këtë çështje duhet të përgjigjet SPAK, teksa thekson se mandati i Ramës po mbaron dhe ai bashkë me abuzuesit e tjerë do të dalin para drejtësisë.
Deklaratë e Kreut të PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj
Është e disata herë që Partia Demokratike nga porti i Durrësit dhe për Portin e Durrësit ka denoncuar skandale të kësaj qeverie lidhur me këtë aferë korruptive. Porti i Durrësit është një aset ekonomik që po të shfrytëzohet si duhet mund të shërbente për të përmirësuar jetën e shumë familjeve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Por sikurse ne kemi ekspozuar me fakte, nuk po shfrytëzohet për të përmirësuar jetën e qytetarëve por po shfrytëzohet vetëm për të pasuruar xhepat e qeveritarëve.
Kush është skandali më i fundit që ka denoncuar Partia Demokratike?
Dhënia me koncension e kësaj hapsire këtu që quhet Terminali i Kontenierëve.
Cila është historia e këtij koncensioni?
Në tetor të vitit që kalo,i Autoriteti Portual shpalli procedurat e tenderit. Në tender morën pjesë dy kompani. Njëra kompani gjermane, shumë e njohur në këtë sektor e cila menaxhon edhe Portin e Hamburgut, ndër portet më të njohura në Europa. Tjetra malteze, një kompani offshore. I vetmi fakt që dihet për këtë kompani është se një nga ish-drejtor i saj është hetuar për pastrim parash nga policia Malteze, një vend anëtar i Bashkimit Europian.
Ministria e Infrastrukturës ndërhyn, bën tender me procedura të shkurtuara, me qëllimin që fituesin e tenderit të mos e vendosi transparenca dhe konkurrenca por fituesi i tenderit të parazgjidhet ai që ka vendosur Rama Beu.
Tani që unë flas, për të gjithë qytetarët e vendit nga Veriu në Jug, i majtë apo i djathtë, me parti apo pa parti, nuk është fare e nevojshme të thuhet se cila kompani ka fituar tenderin.
Të gjithë e dini se cilën ka përzgjedhur Rama Beu. Por, doja të beja tre pyetje për z.Rama:
- Kush e zotëron këtë kompani?
- Ai ka detyrimin tu thotë shqiptarëve çfarë fshihet pas kësaj kompanie? Pse nuk respekton detyrimin ligjor që të tregojë kush janë përfituesit fundor të këtij koncensioni?
- Si është e mundur që ky aset i sigurisë kombëtare ti jepet një kompanie që nuk i dihen pronarët?
Është e natyrshme që askush nuk pret përgjigje nga z.Rama edhe për këto dy muaj, se ai nuk ka dhënë përgjigje për 8 vjet. Por ne presim përgjigje nga SPAK-u.
Çdo qytetar i këtij e ka të qartë që dita e ndëshkimit për këtë grup të papërgjegjshëm, të korruptuar dhe arrogant po afron.
Për çdo qytetar është e qartë, që dita që këta do të shporren nga zyrat e shtetit po afron.
Për çdo qytetar është e qartë që jo vetëm po afron dita që këta do të shporren nga zyrat e shtetit, por po afron edhe dita që këta do të përballen në zyrat e drejtësisë.