Afera, nga Shqipëria “avulluan” 5 miliardë euro

480
Të dhëna tronditëse për paratë e dërguara në parajsat fiskale. Të fituara nga krimi, trafiqet e korrupsioni, shumat u transferuan jashtë vendit për t’u pastruar dhe riinvestuar 
Shuma marramendëse parash janë transferuar nga Shqipëria drejt parajsave fiskale në botë për t’u riinvestuar si financime të ligjshme. Të fituara nga krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme të drogës dhe korrupsioni, paratë dyshohet se janë dërguar jashtë Shqipërisë për t’u pastruar. Një skemë që synon kthimin e tyre në para të ligjshme për t’u riinvestuar. Transaksionet e dyshimta apo false mësohet se kanë prekur edhe disa banka në Shqipëri, që janë përfshirë në këtë aferë, tashmë të fokusuar nga hetuesit shqiptarë e ndërkombëtarë. Shuma e dyshuar se është transferuar jashtë vendit arrin në rreth 5 miliardë euro, thuajse e barabartë me totalin e buxhetit të shtetit për një vit. Vetëm të ardhurat nga prodhimi dhe trafikimi i kanabisit në vitin 2016 vlerësohen, sipas informacioneve zyrtare, të jenë rreth 2 miliardë euro. Ekspertët shprehen për “Telegraf” se vlera është e përfituar nga ky biznes kriminal është edhe më e madhe, po të mbajmë parasysh shtrirjen kohore të fenomenit të trafikimit të kanabisit, që shkon rreth 2 po 3 vitet e fundit. 

Alarmi është dhënë edhe më parë nga zyrtarë dhe shtetarë të lartë, referuar informacioneve të shërbimeve sekrete dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në dhjetor 2016, presidenti i atëhershëm i Republikës, Bujar Nishani, përmendi publikisht se xhirojë vjetore e kanabisit, që është vetëm një nga llojet e drogave që trafikohen në Shqipëri, arrin në 2 miliardë euro në vit. Ndërkohë, politikani dhe avokati i njohur, Spartak Ngjela, deklaroi së fundmi se vlerësohet të jetë rreth 5 miliardë euro shuma e parave të identifikuara në “off-shore” (kompani të vendosura në një vend tjetër, me politikë tjetër taksash dhe kosto të ulët paraje). “Pesë miliardë euro kam unë të dhënën që është kapur në “off-shore” dhe nëpër banka paraja e politikanëve. Vetëm nga një bankë në Shqipëri janë transferuar 3 miliardë euro”, tha Ngjela. Ai shtoi se përfituesit e këtyre parave janë identifikuar, pasi kanë bërë transferta të gënjeshtra nga Shqipëria dhe kanë marrë kredi në një bankë off-shore me dokumente të falsifikuara. “Ia pranon off-shore dhe depoziton paratë dhe off-shore e konsideron sikur ka ardhur transfertë nga një bankë shqiptare”, tha Ngjela. Nga ana tjetër, ekspertët e financës bëjnë të ditur për “Telegraf” se politika që ndiqet në ato që konsiderohen parajsa fiskale është mjaft tolerante për sasinë e parave që depozitohen dhe burimin e sigurimit të tyre. Kjo i bën këto vende dhe kompanitë që ngrihen në to mjaft të kërkuara për pastrim parash, të përfituara në rrugë ilegale, nëpërmjet trafiqeve e korrupsionit. 

Ndërkohë në Shqipëri janë angazhuar disa ekspertë të Zyrës Federale të Hetimit (FBI), të dërguar nga qeveria amerikane për të asistuar goditjen ndaj krimit dhe pasurive të tij. Deri më tani roli i tyre është deklaruar se do të jetë këshillues, ndonëse sipas informacioneve, njerëzit e mbërritur në Tiranë janë ndër ekspertët më të mirë të krimit ekonomik dhe luftës ndaj pastrimit të parave. Një prej tyre është Jack Liao, atashe ligjor i FBI-së. Përfaqësuesit e FBI-së janë oficerë rajonalë të kontaktit, me seli në Sofje (Bullgari), me përgjegjësi për marrëdhëniet e FBI-së me autoritetet shqiptare. Ata edhe më parë kanë zhvilluar vizita të rregullta koordinuese në Tiranë për të diskutuar çështje me interes të ndërsjellët të zbatimit të ligjit. Veçanërisht bashkëpunimi është fokusuar te terrorizmi dhe krimet kibernetike, ndërsa nuk ka mbetur jashtë vëmendjes edhe krimi i organizuar. Jack Liao është i specializuar në hetimin e çështjeve të mashtrimit. Jack Liao ka qenë shef i njësisë së krimit ekonomik në FBI. Ndërkohë, agjenti special i FBI-së, Mark Njuhouse, ka një përvojë të spikatur në drejtim të hetimit të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. 
Spartak Ngjela: 
“5 miliardë kam unë të dhënën që është kapur në “off-shore” dhe nëpër banka paraja e politikanëve. Vetëm nga një bankë në Shqipëri janë transferuar 3 miliardë euro. Dëgjojini metodat që kanë përdorur, që janë kapur: Kanë bërë sikur kanë bërë transfertë nga Shqipëria dhe kanë marrë kredi në një bankë “off-shore” me dokumente të falsifikuara. Ia pranon “off-shore” dhe depoziton paratë, dhe “off-shore” e konsideron sikur ka ardhur transfertë nga një bankë shqiptare. Nuk ka asnjë dokument në bankën shqiptare që është bërë transfertë ndaj x-it”.

Nëntor 2017
Bujar Nishani: 
“Informacionet që vijnë tek Presidenti i Republikës tregojnë se mesatarisht është një përfitim për këtë vit prej 2 miliardë eurosh nga trafikimi i lëndëve narkotike. Informacionet që vijnë, informacione zyrtare të shtetit shqiptar. Është ekonomi e zezë. Nëse dikush mendon që nuk duhet të alarmohemi, sepse kjo mund të kthehet në pjesë të debatit politik, kjo nuk funksionon tek unë. Ne buxhetin e kemi 5 miliardë dollarë”.
Dhjetor 2016


Sigal