A është Fatos Nano, varka për të shpëtuar Ramën?

841
Sigal

Mes polemikave dhe krizës në vend, PS thërret në Kongres, ish-liderin socialist Fatos Nano. Zanafilla e marrëdhënieve Nano-Rama, u etiketua “Robert çamçakëzi”, kongresi që solli Ramën në krye të PS, roli i “Mjaftit” dhe përjashtimi i kundërshtarëvde. Taulant Dedja, thirrje Nanos: Mos u bëj “patericë” e Edi Ramës!

Kongresi i PS thërret ish-liderin socialist. Aleatët e Nanos, apel për bojkot

Fatos Nano, varka për të shpëtuar Ramën

Në momentin që Fatos Nano do futet në Pallatin e Kongreseve paraditen e sotme për të marrë pjesë në punimet e Kongresit të Partisë Socialiste, ku pritet të zyrtarizohen kandidaturat e së majtës për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, aty do të gjejë pak nga ata që i kishte bashkëpunëtorë para 2005-s. Kongreset e këtij lloji të socialistëve kanë prodhuar gjithmonë lajm kur vjen puna tek vendimet e debatet që e karakterizojnë, por ky është thuajse i vetmi rast që lajmi u prodhua ende pa u zhvilluar. Lajmi ishte konfirmimi i pjesëmarrjes nga ana e Fatos Nanos, për herë të parë që nga viti 2005, kohë kur u largua nga posti i kryetarit të socialistëve për t’i lënë vendin Edi Ramës. Me këtë të fundit marrëdhëniet duken sot më miqësore se kurrë. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Zanafilla e marrëdhënieve Nano-Rama

Edi Rama e nisi rrugëtimin e tij brenda socialistëve me ftesë të Fatos Nanos si ministër i Kulturës, në tetor të vitit 1998. Kryeministër ishte Pandeli Majko, pas dorëheqjes së Fatos Nanos, e kushtëzuar nga trazirat e 14 shtatorit, që pasuan vrasjen e Azem Hajdarit. Partia Demokratike fajësonte Nanon për këtë vrasje. Në një vend të sapodalë nga trazirat e 1997-s dhe ku shteti nuk kontrollonte pjesën më të madhe të territorit, kultura nuk ishte përparësia e një qeverie. Por, Edi Rama ia doli mbanë që të tërhiqte vëmendjen dhe të shndërrohej edhe me forcë në një prej protagonistëve kryesorë të kabinetit. Ambicia e Ramës ishte shumë më e madhe dhe ajo nuk mund të qëndronte nën hijen e Kryeministrit. Kjo e hodhi drejt pushtetit vendor. Rama kandidoi për kryetar bashkie të Tiranës në zgjedhjet e tetorit 2000. Emri i tij mori mbështetjen e Partisë Socialiste pa rezerva. Përballë kishte Besnik Mustafajn. Arriti që të fitonte me 57 për qind përballë rivalit të Partisë Demokratike. Si kryetar bashkie ndërmori aksionet e famshme të prishjes së ndërtimeve pa leje në Parkun Rinia dhe buzë Lumit Lana. Në këtë aksion pati mbështetjen e fortë dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ilir Metën, që ishte Kryeministër pas Pandeli Majkos dhe betejave brenda PS. Në 2001, Nano si kryetar i socialistëve nisi fushatën e njohur si “Katarsis” brenda partisë. Objektiv ishte spastrimi i forumeve drejtuese të socialistëve nga emrat që i kishin dalë kundër dhe rimarrja e postit të Kryeministrit. Në këtë periudhë ndodhën edhe ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste, që sanksiononin se kryetari i partisë duhej të ishte Kryeministri i vendit. Ndryshimet larguan Ilir Metën dhe në krye të Qeverisë rikthehet sërish Fatos Nano. Këtu nis e përforcohet përplasja Nano-Meta. Beteja konstante mes tyre ishte zgjerimi i mbështetjes brenda partisë. Edi Rama u rreshtua në krah të Ilir Metës në këtë përplasje dhe Fatos Nanon e krahasonte me personazhin e “Robert çamçakëzit”, teksa i referohej lëvizjes “Katharsis”. Nano ia doli mbanë që të rikthehej Kryeministër, por kjo nuk sheshoi përplasjen mes tij dhe Ilir Metës. Edi Rama nga ana tjetër, si kryetar i Bashkisë së Tiranës u shkëput ngadalë dhe publikisht e tërhoqi zellin fillestar me të cilin mbronte Metën. Në 2004, përplasja kulmoi me çarjen e socialistëve dhe largimin e Ilir Metës e bashkëpunëtorëve të tij duke krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Krisja pasoi humbjen e zgjedhjeve në 2005.

Edi Rama në krye të Partisë Socialiste

Edi Rama merr frenat e partisë në opozitë, ndërsa në pushtet ishte rikthyer Sali Berisha. Opozitarizmi nuk zbuti armiqësinë Nano-Rama. Ish-kryetari i PS-së gëzonte ende mbështetës brenda partisë dhe këtë ndikim u përpoq ta shfrytëzonte në ambicien e tij për të hyrë në Presidencë, një ambicie, shenjat e para të së cilës i kishte shfaqur që në 2002 për të pasuar Rexhep Mejdanin. Përballë kësaj ambicie qëndronte Edi Rama. “Lufta” me Ramën në këtë periudhë do ta afronte Fatos Nanon me Ilir Metën, kundërshtarin më të ashpër që kishte pasur brenda PS para 2005-s, e njëkohësisht një prej autorëve që çuan socialistët në opozitë, pavarësisht se Nano vetë akuzonte Ramën se me anë të “Mjaftit” kishte shkaktuar humbjen e PS në ato zgjedhje. Socialistët nuk e propozuan si kandidaturë dhe në këmbim, Nano urdhëroi mbështetësit e tij që të votonin Bamir Topin, kandidaturë e Partisë Demokratike, që deri në ato ditë mbante postin e kryetarit të grupit parlamentar të demokratëve. Topi u zgjodh në 2007-n me ndihmën e gjashtë deputetëve socialistë që rrodhën nga qëndrimi zyrtar i PS, që ishte bojkoti. Ata u përjashtuan nga grupi parlamentar dhe do të ishin një nga arsyet që Rama të përforconte fushatën e spastrimit nga partia të emrave që deri në atë kohë njiheshin si mbështetës të Fatos Nanos. Këtij qëllimi i shërbyen tërthorazi edhe ndryshimet kushtetuese dhe të sistemit zgjedhor të 2008-s. Tashmë kryetarët e partive kishin në dorë se kush bëhej deputet dhe kush jo.

Përpjekjet e Nanos për t’u bërë President i Republikës

Në zgjedhjet e 2009, Rama spastroi pjesën më të madhe të mbështetësve të Nanos. Si hakmarrje ky i fundit i dilte kundër duke e akuzuar se kishte shkatërruar partinë. Në 2012, emri i Fatos Nanos shfaqet sërish si një kandidat potencial për President të Republikës. Ilir Meta sinjalizoi mbështetjen e tij në atë kohë, por me kushtin që të propozohej nga Partia Socialiste. Propozimi nuk erdhi sërish dhe sërish në Presidencë, Bamir Topi, tashmë një ish-figurë e PD-së zëvendësohet nga Bujar Nishani një tjetër figurë e PD, që u zgjodh në këtë post edhe me votat e Metës. Edhe këtë herë, ëndrra e Fatos Nanos mbeti në sirtar. Dështimi i dytë në këtë përpjekje nuk e dorëzoi ish-kreun e socialistëve. Ai do të rikthehej në muajt e fundit të 2016-s dhe muajt e parë të 2017-s, kur Kuvendi duhej të zgjidhte Presidentin e ri dhe më pas shqiptarët Parlamentin e ri. Zgjedhjet e dyfishta duket se reflektuan vetëpërmbajtje si tek Rama, ashtu edhe tek Meta, që tashmë po mbyllnin një mandat si aleatë. Rama kishte fituar pjekurinë që të vlerësonte publikisht emrin e Fatos Nanos për atë që ai kishte bërë për Partinë Socialiste, por sërish emri i liderit historik socialist nuk u shqiptua prej tij asnjëherë si propozim i socialistëve për President.

Taulant Dedja i bën thirrje Fatos Nanos: Mos u bëj “patericë” e Edi Ramës!

Taulant Dedja, një emër shumë i njohur dhe i rëndësishëm i Partisë Socialiste, ish-deputet i saj, ish-prefekt i Tiranës, ish-zëvendës ministër, i dërguari i qeverisë për menaxhimin e krizës në Kosovë, por mbi të gjitha një “puro” socialist i njohur për qëndrimet e tij kritike dhe antikonformiste ka reaguar ashpër kundrejt liderit historik të PS, Fatos Nanos. Dedja i ka bërë thirrje ish-kreut të Partisë Socialiste që të mos bëhet “patericë” e Kryeministrit Rama.

Reagimi i plotë i Taulant Dedjes: Pasi kish marrë vesh se Nano është ftuar në Kongresin e 23 Marsit nga Rama, një miku im gazetar në Toronto më pyeti, nëse ka shanse që Nano ta kthejë sërish Kongresin në KPD-në famshme që mbajmë mend të gjithë… Nuk mendoj se mund të përsëritet KPD e famshme, duke njohur mirë nga afër deri në detaje PS prej shtator 1994 deri në Maj 2008. …Nëse situata ka degraduar deri këtu, përgjegjësi kryesor është Fatos Nano (me gjithë respektin maksimal që kam për të si ish-profesori im, ish-kryetari i partisë time si deputet dhe ish-kryeministri me të cilin kam punuar nga afër) i cili nuk erdhi në Kongresin e prillit 2007 me shpresën se do bëhej president. U gënjye nga Gramoz Ruçi. Ja kam thënë me sms Nanos atë ditë, që, nëse nuk vjen në Kongres nuk do bëhesh president dhe ashtu ndodhi. Nuk u miratua Rezoluta e 15 deputetëve dhe në fund të gjitha organet e zgjedhura të PS u shkrinë për t’i hapur rrugë marrjes nën kontroll të ish-PS (për mua PS u shkri atë ditë dhe nga ai moment jam deklaruar deputet i pavarur) përfundimisht nga Edi Rama, i cili filloi eliminimin me pas një e nga një të të gjithë drejtuesve dhe figurave të PS që nuk mendonin si ai. Nëse Nano e konsideron ende PS “fëmijën” e tij le t’i bëjë fresk Ramës duke vajtur në Kongres, siç hoqi dorë në shtator 2007 nga krijimi i grupit parlamentar “Lista Nano” që do kish qenë forca e tretë politike në parlament … por përsëri e gënjeu Ruçi për fat të keq të tij, por mbi të gjitha për fat të keq të Shqipërisë! Unë sot i bëj thirrje Nanos, të mos bëhet “patericë” e Edi Ramës!