A e njihnit Beqajn dhe Rrjepajn? Biznesmeni Rrapaj: Jo, por u thosha ‘fratelo’ se jam nga Vlora

80
Sigal

Biznesmeni Ilir Rrapaj po dëshmon në komisionin hetimor parlamentar për koncesionet në shëndetësi.

Ai tha se nuk ka pasur njohje me ish-ministrin e Shëndetësinë, Ilir Beqaj dhe ish-zëvendësin e tij, Klodian Rrjepaj.

Por kur u gozhdua nga kryetarja e komisionit, Albana Vokshi se përse i quan ‘fratelo’ (vëlla në italisht), ai tha se flet kështu sepse është nga Vlora.

Vokshi: E njihni Klodian Rrjepajn?

Rrapaj: Kam patur dijeni se kush ka qenë.

Vokshi: Ishit apo nuk ishit miq.

Rrapaj Fjala mik ka një përkufizim të veçantë në kontekstin dhe konturet e shqiptarizmit, të jesh mik është diçka e rrallë, ndërkohë që kam bindjen është termi më i abuzuar me dashje apo pa dashje, s’kam pasur mundësi dhe asnjë lloj njohje.

Avokati: Kanë pasur njohje se kanë qenë në të njëjtin vit akademik, por s’kanë qenë as shokë as miq.

Rrapaj: Vinim nga shkolla të ndryshme, vijmë nga vite të ndryshme, e kam takuar pas 20 vitesh.

Vokshi: Kur e keni takuar për herë të parë?

Rrapaj: Nga afër në një aktivitet të organizuar nga qeveria shqiptare viti 2013, 2014.

Vokshi: Për çfarë keni folur? Keni folur për koncesionin e sterilizimit?

Rrapaj: I kam bërë komplimente. Absolutisht jo. U vura në dijeni përmes njërit prej ortakëve që që donin të tentonin të merrnin pjesë në garë.

Vokshi: Nuk njiheshit, por përdornit terma, ato e-mailet fratelo, fra, shkuat deri tek konfidenca, janë pas këtij takimi që bëtë rastësisht tek aktiviteti ‘Thuaj po Shqipërisë’.

Rrapaj: Më lejoni t’ju kujtoi se jam me origjinë nga Vlora dhe definicioni, shkurtimi i termit vëlla mund të marrë tonalitete që nga kërcënimi më i rëndë deri tek rutina e pararendjes së një konteksti që vijoi biseda.

Vokshi: E njihnit Ilir Beqajn?

Rrapaj: Kam njohjen kush ishte si personazh publik. Nuk kemi pasur miqësi.

Vokshi: Nuk e keni ndihmuar ministrin të kurohej në një nga spitalet e Italisë?

Rrapaj: Jo s’kam qenë, më vjen keq që s’kam qenë. Nuk kam lidhje

Vokshi: Keni dijeni për një shtëpi që ka blerë Beqaj në Itali?

Rrapaj: Çfarë dijenie duhet të kem? S’kam.