A do të lejohet të kandidojë në zgjedhje? Më 22 janar jepet vendimi për Albin Kurtin

51
Sigal

Qeveria e Avdulla Hotit u rrëzua nga vota e pavlefshme e një deputeti, Etem Arifi i cili ishte dënuar më parë me 1.3 vite burg për mashtrim me subvencionet. Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese pak javë më parë, jo vetëm që rrëzoi qeverinë Hoti, por duket se po vendos edhe fatin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese çdo person që në 3 vitet e fundit është dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë me një ose më shumë vite burgim, atëherë nuk lejohet që të kandidojë. Kjo sipas të gjitha gjasave do të penalizojë Albin Kurtin, pasi ish-kryeministri së bashku me deputetë të tjerë, Donika Kadaj-Bujupin, Faton Topallin dhe Albulena Haxhiun u dënuan në 2018 për hedhjen gazi lotsjellës në Kuvend.

Kurti u dënua me 1.6 vite dhe nuk i lejohet kandidimi deri në shtator të 2021. E ndërsa nga Vetëvendosja janë të qartë dhe të prerë për faktin që Kurti do të jetë në krye të listës për zgjedhjet e ardhshme, në 14 shkurt të këtij viti, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka në një intervistë për emisionin “Ballkan” të Linda Karadakut në “ABC” deklaroi se vendimi mbi fatin e ish-kryeministrit do të merret në datë 22 janar.

Por nëse Kurtit nuk i lejohet të kandidojë për deputet, a e pengon vendimi që të jetë kryeministër nëse arrin që të fitojë zgjedhjet dhe të formojë qeverinë e re? Interpretimet janë të shumta.