A do të hetojë drejtësia ? Skandali me tenderin e uniformave të Ushtrisë dhe Policisë. Një kapele do të kushtojë 350 euro

649
Sigal

Skandali me tenderin e uniformave të Ushtrisë e Policisë së Shtetit. A do të hetojë SPAK-u?

 Një kapele  e policit dhe ushtarit do të kushtojë 350 euro

Fituesi i tenderit të paracaktuar nga Ministria e Brendshme për uniformat e Policisë së Shtetit llogaritet të prodhojë rreth 200 mijë artikuj më pak, ndonëse me të njëjtin fond limit, si në tenderin që u pezullua vitin e kaluar. Sipas kallëzimit të depozituar në Prokurorinë e Posaçme nga deputetët më datë 11.05.2020, u zhvillua procedura e tenderit me objekt  “Blerje dhe shpërndarja e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit” për 4 vjet, me fond limit rreth 2.8 miliardë lekë pa TVSH, apo 27 milionë euro me TVSH. Fituesi i paracaktuar ishte firma “D&E” shpk, e cila nuk plotësonte shumë kushte e dokumente të kërkuara dhe ndonëse ofronte rreth 5 miliardë lekë më tepër se operatori i klasifikuar si i pari. Në kallëzim theksohet se, procedura fiktive e tenderit për blerje e shpërndarje të uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit, me fond limit rreth 2.8 miliardë lekë, me pasojat e vjedhjes 500 milionë lekë,  e të dyshimit se mund të shkojë dhe në mbi 1 miliard lekë, u realizua ashtu siç e deshi ministri Lleshaj.  “Ministri Lleshaj vjen nga radhët e Forcave të Armatosura (Ushtrisë Shqiptare), me gradë ‘Gjeneral’ dhe kapelja që ka mbajtur në kokë, është nga e njëjta kompani. Ministria e Mbrojtjes është furnizuar asaj kohe nga “D&E” shpk.,  dhe e di mirë ministri Lleshaj,  se një kapele ka kushtuar 350 euro copa.  Dyshohet se dhe “D&E” shpk, furnitori kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes me uniforma ushtarake, e ka ofruar ministri Lleshaj”, -theksojnë deputetët në kallëzim.

I NJËJTI FOND, MË PAK ARTIKUJ

Precedenti i parë është nëpërmjet uljeve të sasive të uniformave, aksesorëve, gradave, stemave, shenjave të Policisë së Shtetit, por jo të fondit limit që mbetet i pandryshuar, 2,800,347,570 lekë pa TVSH dhe numri rendor mbetet i pandryshuar, nga 1 deri në 123. Te shtojca 13, “Sasia dhe grafiku i lëvrimit”, sasia e pritshme e artikujve të uniformës që kërkohen në procedurën e datës 19.08.2019 që është pezulluar, kishte të pasqyruar një tabelë që përbëhet nga 8 kolona, me këto të dhëna: 1. Nr. rendor nga 1 deri 123; 2. Artikujt e uniformës, 3. Njësia matëse; 4. Viti I, Sasia 75,378; 5 Viti II, Sasia 183,353; 6. Viti III, Sasia 268,965; 7. Viti IV Sasia 198,947; 8. Total Sasia 726,643, me fondin limit, 2,800,347,570 lekë pa TVSH. Ndërsa sipas dokumenteve të tenderit, formati i tabelës në procedurën e rihapur të datës 5.11.2019, pas pezullimit të procedurës së datës 19.08.2019, ka të pasqyruar një tabelë, që përbëhet nga 4 kolona, më këto të dhëna: 1. Nr. Rendor nga 1 deri 123, 2. Artikujt e uniformës, 3. Njësia matëse, 4. Sasia e pritshme (në total) bëhet 486,658, po me fondin limit 2,800,347,570 lekë pa TVSH. Nga krahasimi i procedurës së rihapur të datës 5.11.2019, me procedurën e datës 19.08.2019 të pezulluar, rezulton të blihen më pak në total, 239,985 artikuj. Nga 726,643 artikuj që ishte totali, bëhet 486,658. (726,643 – 486,658 = 239,985). Pra, do të blihen 239,985 artikuj më pak me të njëjtin fond limit. Atëherë, sa do të jetë sasia totale e artikujve të uniformave që do të prodhohen për çdo vit? Kjo është pyetja që ngrenë në kallëzimin e tyre  drejtuar  SPAK-ut deputetët demokratë. “Sasitë që do të blihen më pak në procedurën e rihapur datë 5.11.2019, 239,985 për 80 artikuj, ka kamufluar fondin limit, 2,800,347,570 lekë pa TVSH. Total sasia prej 239,985 që mendohet të vlerësohet me 500,000,000 lekë, është vjedhja sipas kësaj skeme ‘mafioze’ të fshehtë të përdoruar nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme, të parashikuara (planifikuar) që në dokumentet e tenderit, të realizuar përmes shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit”, – thuhet në kallëzimin e depozituar në SPAK.