76 % e studentëve votojnë bojkot dhe ngujim në auditorë

641
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dekani kërcënon studentët, PD-ja e akuzon si shërbëtor të kryeministrit

Studentët nuk pranojnë që të rikthehen në auditorë, pa u plotësuar të gjitha kërkesat e tyre, ndërkohë që qeveria nuk ka ndërmend që të nisë më dialog konstruktiv me studentët, por përdor dhunën e policisë së Shtetit dhe të policisë private me kërkesat që u drejtojnë atyre administratorët militantë, me kërcënimet ndaj studentëve protestues që bëjnë dekanët, me mesazhet kërcënuese nga …anomimët ndaj studentëve, etj.

Votime brenda FEUT: 67% e studentëve kërkojnë bojkot

Fakulteti Ekonomik është mbyllur prej studentëve ditën e djeshme, pas një votimi që ata kanë bërë në fakultet në lidhje me bojkotimin e mëtejshëm të mësimit. 67 % e studentëve të anketuar nga departamente dhe cikle të ndryshme të studimit (Bachelor e Master) kanë votuar për bojkotimin e mësimit. 31% kanë votuar për nisjen e mësimit, ndërsa 2% kanë qenë të lëkundur midis bojkotit dhe nisjes së mësimit.

Studentët e fakulteteve të rretheve nisin bojkotin dhe ngujimin

Në Elbasan, një grup studentësh protestues, pas orës 10: 00 u nisën nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” drejt Fakultetit të Shkencave Teknike Mjekësore, duke kërkuar solidaritetin e kolegëve. Me protestuesit u bashkuan një numër i vogël studentësh, ndërkohë që në mbrëmje studentët iu rikthyen ngujimit. Ndërsa në Durrës, studentët e kampusit universitar pasi e kanë kaluar natën e shkuar në ambientet fakultetit, në ditën e dytë janë shprehur të bindur për të vijuar me bojkotin mësimor. Në ditën e dytë të protestës pati edhe studentë qe iu drejtuan auditorëve, por pjesa më e madhe këmbëngul në plotësimin e 8 kërkesave nga ana e kryeministrit Rama.

Dekani i Juridikut-studentëve: Mbylleni me kaq, se nuk dihet si shkojnë punët

Dekani i Fakulteti Juridik Artan Hoxha, shantazhon studentët për të dalë nga ngujimi. Ai ka thirrur disa prej tyre në zyrë dhe një pjesë e bisedës është riregjistruar nga studentët. “Ju keni marrë peng shkollën. Jeni studentë të juridikut. Ju keni pasurinë e shkollës atje. Keni gjithë dokumentacionin. Po t’ju ndodhë gjë (dokumenteve) ku do shkoni ju? ju keni vënë fytyrën dhe emrin tuaj gjithë këtij procesi. Mbylleni me kaq, se nuk dihet si shkojnë punët.

PD: Dekani është shërbëtor i Edi Ramës!

Këshilltari ligjor i PD-së, Gazmend Bardhi u shpreh se dekani i fakulteti të Drejtësisë, Artan Hoxha ka ushtruar presion ndaj studentëve të këtij fakulteti duke u rreshtuar në krah të pushtetit. Artan Hoxha, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, një shërbëtor i Edi Ramës dhe pushtetit brenda botës akademike, ka guxuar të kërcënojë studentët e Fakultetit të Drejtësisë me metoda kriminale. Faktet e bëra publike në media provojnë, se si shërbëtori i Edi Ramës ushtron presion ndaj studentëve që ata të mbyllin protestën legjitime të tyre për një arsim më cilësor. Artan Hoxha ka arsye për t’i shërbyer Edi Ramës, jo vetëm për mbështetjen që ky i fundit i ka dhënë në karrierën e tij profesionale, por mbi të gjitha për paligjshmëritë e së shkuarës. Ai është nipi i ish nënkryetari të PS Servet Pëllumbi, kushëriri i ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, kushëriri i deputetit socialist, Arben Pëllumbi Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë Artan Hoxha, sot Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje për habinë që shkaktoi përgjigja e tij përpara Parlamentit për dhurimin nga i vëllai të 200 mijë dollarëve, të cilave nuk i dihej burimi. Artan Hoxha ende nuk ka dhënë përgjigje për pasurinë e tij të paligjshme, sesi brenda pak kohësh, me kursime familjare, arriti të blinte një apartament me sipërfaqe 120 m2 në Tiranë, një apartament tjetër në plazhin e Golemit në Kavajë dhe një sipërfaqe toke 700 metër katrorë në zonën turistike të Qerretit në Kavajë.

Biblioteka pa libra në FHF, pedagogia: Nuk financon shteti

Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë vuan nga mungesa e librave. Kjo përkthehet në kosto të konsiderueshme për xhepat e studentëve të cilët detyrohen të blejnë botimet që i kanë të detyrueshme në programet studimore. Pedagogia Lili Sula thotë, se është absurde që shteti nuk financon në pasurimin e këtij fakulteti me tituj të rinj. Lili Sula: Biblioteka e Fakultetit tonë pasurohet shumë rrallë. Është një nga fakultetet që ka shumë nevojë. Këto lloj pasurimesh bëhen në mënyrë të centralizuar, nuk janë bërë sipas kërkesave që kanë çuar pedagogët dhe departamentet përkatëse të fakultetit. Është komode për të lexuar, për të studiuar, por është e varfër në tituj dhe kopje. Bibliotekës i mungojnë vepra të letërsisë shqipe, klasikët dhe librat studimorë të cilat janë bazë e literaturës që një student duhet të shfrytëzojë në procesin e formimit akademik sipas programit vjetor.