7-8 Marsi/ Presidenti Meta vlerëson me dekoratën ‘Naim Frashëri’, mësuesen që humbi jetën në aksident

448
Sigal

Mësuesja Luiza Dule është dekoruar sot nga Presidenti Ilir Meta me dekoratën e lartë “Naim Frashëri” pas vdekjes.

Mësuesja e ndjerë e shkollës “Selami Kodra” në fshatin Arrëz të Devollit u nda nga jeta një vit më parë, teksa humbi jetën duke shkuar në shkollën ku jepte mësim.

“Ky vlerësim është shprehje nderimi dhe respekti, për mësuesen e paharruar Luiza Dule, nënën dhe familjaren model, si edhe për të gjithë arsimtarët, veçanërisht për mësueset në mbarë vendin, simbole të përkushtimit dhe të sakrificave të pashembullta, për përhapjen e dijes dhe edukimit te brezat e rinj, duke sakrifikuar deri edhe jetën e tyre!” – shkruan Meta në postimin e tij në facebook.

Por kush ishte mësuesja që humbi jetën aksidentalisht? Në 19 dhjetor të vitit 2018, Luiza dhe kolegët e saj udhëtonin për në fshatin ku jepnin mësim. Por, aksidenti fatal i mori asaj jetën, ndërsa la të plagosur kolegët.

Luiza para se të ndahej nga jeta në mënyrë më tragjike kishte fituar një betejë. Ajo ishte përballur me kancerin e gjirit. E pavarësisht sëmundjes së saj, ajo u detyrua të shkonte të punonte në zonën e largët të Arrëzës, një rrugë që bëhet përmes transportit me mjete personale. Pesë arsimtarë dhe një infermiere u aksidentuan, si pasojë e rrugës së vështirë dhe ngricave në segmentin rrugor Miras-Arrëz.