65 vjet Shqipëri-Kinë, Bushati: Ura të reja për një bashkëpunim rajonal

433
Sigal

TIRANE – Me rastin e 65 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, organizuan sot konferencën me temë “65 vjet Shqipëri-Kinë”. 

Nën moderimin e gazetares së A1 Report, Erjona Rusi, në këtë konferencë morën pjesë ish-presidentë, ministra, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të OJF-ve që veprojnë në fushën e marrëdhënieve me jashtë, studiues, diplomatë, studentë të marrëdhënieve ndërkombëtare, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Bushati u ndal tek miqësia mes dy vendeve e popujve tanë. Sipas Bushatit miqësia Shqipëri-Kinë gëzon një karakteristikë të veçantë, pasi ka në themel jo vetëm marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike, por gjithashtu ato kulturore, artistike, arsimore e sportive.

“Miqësia midis Kinës dhe Shqipërisë ka në themele jo vetëm marrëdhëniet diplomatike, (që u vendosën më 23 nëntor 1949), apo marrëdhëniet ekonomike e politike. Por, edhe vlerat dhe shkëmbimet në fushën e programeve kulturore. Në vitin 1963, Shqipëria, si vend anëtar i OKB-së, propozoi dhe mbështeti në rrugë diplomatike për ripranimin e Kinës në këtë organizatë. Më 25 tetor 1971, në sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme, Republika Popullore e Kinës u pranua me të drejta të plota në OKB. Miqësia midis dy vendeve tona e pati zanafillën gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Ishte një miqësi e kushtëzuar, e cila fillimisht u bazua në interesa që lidheshin ngushtë me specifikën dhe mentalitetin e asaj kohe.  Pavarësisht oshilacioneve, apo miqësisë me pezullim të përkohshëm, dy vendet tona kanë rigjetur gjuhën e përbashkët për të bashkëpunuar më ngushtë dhe në mënyrë më të strukturuar. Fakti që jemi mbledhur sot këtu, për të kremtuar 65-vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike, dëshmon e jetëgjatësinë e miqësisë sonë që nuk është më e kushtëzuar por e bazuar në mirëkuptim.” tha Bushati

Bushati: BE dhe Kina të rëndësishme në fushën e ekonomisë për vendin tonë
Ministri Bushati i cilësoi BE-në dhe Kinën si dy aspekte përplotësues të njëri-tjetrit, veçanërisht në fushën e ekonomisë për vendin tonë. Në këtë kontekst Bushati nënvizoi se iniciativa e bashkëpunimit mes Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore ka hapur perspektiva konkrete për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike në fushat e infrastrukturës, bujqësisë, turizmit dhe kulturës.

“Ndonëse nuk është në lartësinë e Kinës në shumë tregues, edhe Shqipëria, ka njohur transformime të thella gjatë çerekshekullit të fundit. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE. E në të njejtën kohë pol stabiliteti demokratik, falë politikës së jashtme dinamike në rajon. Cka i jep marrëdhënies midis Kinës dhe Shqipërisë një dimension të ri.  Është pikërisht ky dimension që duhet shfrytëzuar edhe më shumë. BE-ja dhe Kina përbëjnë për Shqipërinë dy aspekte përplotësues të njëri-tjetrit, veçanërisht në fushën e ekonomisë. Në këtë kontekst, iniciativa e bashkëpunimit mes Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore ka hapur perspektiva konkrete për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike në fushat e infrastrukturës, bujqësisë, turizmit dhe kulturës. Stabiliteti politik dhe ekonomik i vendeve pjesë të kësaj nisme, krijon një platformë solide bashkëpunimi për të tashmen dhe të ardhmen. Kjo nënkupton, ndër të tjera, edhe integrimin e mëtejshëm të tregjeve tona, duke i shndërruar kështu në tregje gjithnjë e më tërheqëse për investimet kineze. Kësisoj, nëpërmjet nismës dhe projekteve madhore në fusha strategjike të ekonomisë, Kina ka potencialin për të krijuar ura të reja të bashkëpunimit rajonal.” tha ai

Konferencën e Përshëndeti gjithashtu dhe Ambasadori Fuqiplotë i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Ye Hao.

Konferenca, vijoi me panelin “Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë: një vështrim i përgjithshëm në fushën historike, diplomatike, ekonomike dhe kulturore. E tashmja dhe e ardhmja e këtij bashkëpunimi”, në të cilin ligjëruan historiani Petrit Nathanaili, ish-ambasadori shqiptar në Kinë Hajdar Muneka, deputeti i PS Alfred Peza, si dhe anëtarë të grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Kinë.

65-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike u përcoll në këtë aktivitet edhe përmes ekspozitës dokumentare nga pasuritë e Arkivit Historik të MPJ-së, ekspozitës së botimeve të ndërsjella (Biblioteka Kombëtare dhe Biblioteka e MPJ-së), si dhe ekspozitës së përbashkët fotografike (ATSh dhe Ambasada e RP të Kinës).