50-vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Norvegjinë/ Presidenti Meta: Marrëdhëniet tona të përparojnë më tej, në interes të të dy popujve tanë!

212
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mikpriti sot së bashku me Ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë,  Jens Erik Grøndahl, përfaqësues të Qeverisë e të Kuvendit, drejtues të komuniteteve fetare, ambasadorë dhe diplomatë të akredituar në Tiranë, përfaqësues të institucioneve kushtetuese, të sipërmarrjes dhe medias me rastin e Ditës e Kushtetutës së Mbretërisë së Norvegjisë, si dhe të 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Norvegjisë dhe Shqipërisë.

Në përshëndetjen e Tij, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje:

“Është kënaqësi e veçantë të organizojmë në Institucionin e Presidentit të Republikës këtë ceremoni në nderim të Festës Kombëtare të Mbretërisë së Norvegjisë, njohur si Dita e Kushtetutës, e njëkohësisht të kremtojmë së bashku 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, duhet të jemi bashkarisht krenarë, që bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Norvegjisë është zgjeruar dhe thelluar ndër vite dhe është bërë gjithmonë e më shumë përmbajtësor.  Angazhimi strategjik i Mbretërisë së Norvegjisë në rajonin tonë dhe ndjenjat e ndërsjella miqësore janë trualli mbi të cilin janë hedhur themelet e një marrëdhënieje gjithmonë e më të qëndrueshme mirëbesimi dhe partneriteti.  Qeveria norvegjeze ka treguar seriozitet dhe angazhim mbresëlënës në të gjitha programet zhvillimore dhe ndihmuese për Shqipërinë.  Po ashtu, investimi më i madh i huaj i regjistruar në Shqipëri, në një sektor strategjik si energjia, përmes kompanisë ‘Statkraft’ me vlerë rreth 600 milion euro, është një shembull i shkëlqyer i vullnetit të përbashkët politik për zhvillimin e marrëdhënieve gjithnjë e më përmbajtësore ndërmjet dy vendeve tona.

Personalisht, gjithmonë kam qenë admirues i kulturës politike të vendeve si Norvegjia, të cilat i prijnë vullnetit përmes shembullit të punës dhe veprimit konkret.   Siç e ka shprehur dhe dramaturgu i famshëm norvegjez Henrik Ibsen: ‘Një mijë fjalë nuk mund lenë mbresë po aq të thellë sa një veprim i vetëm’.

Një tjetër element frymëzues i kësaj feste është edhe fakti që nderojmë sonte ditën e Kushtetutës Norvegjeze, e dyta në botë për nga vjetërsia, që i ka mbijetuar në thelb ndryshimeve të kohërave, që nga viti 1814. Ky fakt domethënës është tregues i kulturës politike dhe kohezionit shoqëror të Mbretërisë së Norvegjisë duke e konsideruar Kushtetutën si një instrument demokratik për ndarjen e qartë të pushteteve, për ruajtjen e balancës dhe kontrollit, për të ndërtuar mirëqenien përmes bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes.

Këto fakte por edhe të tjera, e kanë bërë Norvegjinë të quhet me të drejtë, vendi më europian, jashtë Bashkimit Europian. Është e admirueshme, që në Norvegji, kjo ditë festohet përmes paradave të fëmijëve, atyre që përfaqësojnë të ardhmen shpresëplotë të çdo vendi.  Duke e uruar Mbretërinë e Norvegjisë për festën, dhe 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet nesh;

Si dhe duke ju falënderuar të gjithëve për praninë tuaj, më lejoni që të përcjell urimet më të përzemërta për Madhërinë e tij Mbretin Harald V dhe Qeverinë e Norvegjisë, me dëshirën që marrëdhëniet tona dypalëshe të përparojnë edhe më tej, në interesin më të mirë të të dy popujve tanë!”.