30 Qershori, “Mollë e ndalueme”/ Forumi në “Telegraf”: Opozita nuk do të lejojë zgjedhjet vendore, duke bërë bojkot, protesta, bllokim të akseve kombëtare dhe Mosbindje Civile. Flasin; Spaho, Gjosha, Duka, Xhixho, Ndoka

480
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Mazhoranca, e cila tashmë ka emëruar edhe “Opozitën parlamentare”, duke siguruar mbi 84 vota, që i duhen për të miratuar ligjet e cilësuara, ka deklaruar se do të ashpërsojë Kodin Penal, duke vlerësuar vepër penale protestat e bllokimit të rrugëve, pengimin e njerëzve të votojnë nga opozita me dënime që fillojnë nga 5 vite e lart. Të kuptohemi. Kur një opozitë e tërë do të kryejë këto vepra penale, cila gjykatë do t’i dënojë mijëra e mijëra protestues? E megjithatë, edhe mazhoranca (të paktën deri tani), deklaron e vendosur që të bëjë zgjedhje vendore pa opozitën, por edhe opozita është kaq e vendosur dhe deklaron se: “Nuk do të ketë zgjedhje vendore pa opozitën dhe se Opozita nuk do të lejojë zgjedhje vendore”.

Gazeta “Telegraf” në forumin për zgjedhjet vendore, por edhe për zgjedhjet e përkohshme parlamentare ftoi ish-deputetët e opozitës, nënkryetarin e PD-së Edmond Spaho, ish-ministren e Integrimit Klajda Gjosha, ish-zëvendësministren e Integrimit Erisa Xhixho, kryetarin e PDK, Nard Ndoka dhe kryetarin e PAA-së, Agron Duka.

  1. Me çfarë mënyre Opozita do të pengojnë zgjedhjet, më 30 qershor?

Edmond Spaho, nënkryetar i PD: Nuk do të lejojmë zgjedhje vendore pa opozitën

Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk do ketë asnjë negociatë. Protestat do të jenë thelbi i aksionit tonë politik. Ato po rezultojnë të suksesshme, pasi pjesëmarrja e qytetarëve ka ardhur në rritje nga një protestë në tjetrën. Nuk mund të ketë zgjedhje as vendore dhe as parlamentare në vend me Edi Ramën Kryeministër dhe nuk mund të ketë zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës. Tentativa për të vazhduar me kokëfortësi në këtë rrugë do ndeshet me vullnetin e qytetarëve për të mos lejuar që vendi të bjerë në një diktaturë të re.

Klajda Gjosha: Zgjedhjet monopartiake do të ishin një vetëvrasje tjetër për Shqipërinë

– Nuk mund të ketë zgjedhje as vendore dhe as parlamentare pa qytetarët. Partitë e vërteta opozitare janë jashtë listave të zgjedhjeve ndaj qytetarët janë të papërfaqësuar. Zgjedhjet monopartiake dhe të ashtuquajtura legjitime pa spektrin e vërtetë përfaqësues opozitar do të ishin një vetëvrasje tjetër për Shqipërinë dhe standardet demokratike. Pushteti nuk mund të mbahet me dhunë sado e dhimbshme të jetë për disa politikanë që të lënë karriget e tyre!

Erisa Xhixho, ish-zv.ministre e Integrimit: Zgjedhje vendore pa opozitën nuk do të ketë

Zgjedhje vendore pa opozitën nuk do të ketë. Edhe djegia e mandateve kishte për qëllim që partnerët tanë ndërkombëtarë ta shohin me seriozitet dhe realizëm atë që po ndodh në Shqipëri pasi raportet periodike të tyre janë shumë realiste për atë çfarë po ndodh në vendin tonë. Çdo qasje për ta pasqyruar situatën si normale dëmton interesat e vendit, pasi e vetmja zgjidhje e krizës politike është zgjedhje politike nëpërmjet krijimit të qeverisë tranzitore pa kryeministrin Edi Rama si ideatori i institucionalizimit të blerjes së votës në bashkëpunim me krimin e organizuar.

Nard Ndoka, kryetar i PDK: Me të gjitha mënyrat demokratike; ndërgjegjësim, sensibilizim, protesta, bllokim rrugësh, Mosbindje Civile

Me të gjitha mënyrat demokratike; ndërgjegjësim, sensibilizim, protesta, bllokim rrugësh, mosbindje civile, si dhe shumë mënyra të tjera në varësi te zhvillimeve. Nëse 30 qershori vazhdon të mbetet si datë për beteje; Shqipëria do ngrihet për të vendosur institucionin e votës me çdo çmim. Shurdhëria e papërgjegjshmëria e Ramës, shkaku i protestave kudo. Bllokimi i rrugëve; sinjal, paralajmërim e ndërgjegjësim për të gjithë. Në një sistem demokratik; kur proteston qoftë edhe një person i vetëm, ka solidaritet e mbështetje edhe nga të tjerët, në forma nga më të ndryshmet. Në çdo rast, të gjithë mendojnë për fajtorin, shkaktarin e protestës, jo për “bezdisjen” e protestës. Nëse një protestues shkel vijën e bardhë, të verdhë apo të kuqe, faji në çdo rast bie mbi qeverinë, si shkaktarja e problemit të protestës. Qytetarët kanë 1001 arsye për të protestuar kundër kësaj bande e kryeministri në qeveri, qeveria e kryeministri kanë 1002 arsye për t’u larguar. Rama kërkon dhunë, por dhunë nuk do ketë, Rama stimulon përplasje, por qytetarët nuk e kanë të keqen me policët, as me ushtrinë, as me forcat speciale, por me shefin e tyre Edi Ramën. Të gjithë na pyesin me shqetësim: Ky njeri nuk mbush, nuk merr vesh, është i papërgjegjshëm; si do ta largojmë? Përgjigje e vështirë, për një personazh të paparashikueshëm; ndjesia, përgjegjësia, reflektimi, largpamësia, dialogu, konsensusi, dorëheqja, mirëkuptimi; janë vetëm fjalë të përdorura nga Edi Rama, dje në opozitë. Ndaj jemi në situatë, që nuk ka rrjedhë logjike, as normale, as institucionale; duhet të mendojmë dhe veprojmë, duke ditur e njohur, se cilin kemi përballë. Zot, ruaje kauzën nga “mendtë e kokës”, Zot ndriçoja mendjen këtij të paudhi, që i ka zënë rrugën popullit të vet…!

Agron Duka, kryetar i PAA: Bojkot i përgjithshëm

Nëse mazhoranca do të jetë këmbëngulëse në këtë vrap drejt hiçit, dhe në 30 qershor do të prezantohen në kutitë e votimit më pak se gjysma e elektoratit, do të jetë një shenjë e qartë se qytetarët do të bojkotojnë një sistem të rënë. Për të arritur këtë qëllim, ne si opozitë e bashkuar, do të zhvillojmë një fushatë kapilare, në të cilën nuk do të prezantojmë vetëm alternativën tonë politike, por gjithashtu do të kërkojmë nga çdo shqiptar të mos bëhet pjesë e një farse politike. Kjo ka qenë edhe kryefjala e grupit të ‘Qendrës së djathtë’ në takimet tona publike. Marrëzia nuk mund të kthehet në një fenomen kolektiv, për këtë arsye, do të ngremë grupe punë që në çdo qendër votimi do të kërkojnë mosangazhimin në një proces moralisht jo legjitim. Megjithatë, jemi ende në kohë, dhe jam i bindur se përpara 30 qershorit do të gjejmë një zgjidhje, pasi nuk bëhet fjalë për mbijetesën politike të një kryeministri, por për të ardhmen e një vendi. Është momenti që edhe socialistët të reflektojnë dhe të ndërgjegjësohen.

  1. Nëse zhvillohen Zgjedhje të parakohshme parlamentare, me cilin sistem zgjedhor do të bëhen? Me këtë aktual?

Edmond Spaho: Do të duhen të bëhen ndryshime kushtetuese

Para se të shkojmë të Kodi Zgjedhor ka çështje të tjera shumë më të rëndësishme, si krijimi i një qeverie tranzitore, dënimi i atyre që kanë vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin e organizuar, ndryshime të mundshme kushtetuese që sistemi të garantojë principet demokratike dhe një sërë çështjesh të tjera, të cilat të evitojnë përsëritjen e krizave të tilla.

Nard Ndoka, kryetar i PDK: Qeveria Tranzitore ka kohë të ndryshojë Sistemin Zgjedhor

Problemi mbetet gjithmonë mungesa e vullnetit politik, deformimi i votës, vjedhja dhe blerja e vullnetit të qytetarëve. Sistemi ka nevojë të ndryshoje, Kushtetuta gjithashtu, reforma në drejtësi të rikthehet besueshmëria nga palët. Klima politike, është domosdoshmëri të përmirësohet në këto momente. Qeveria kujdestare e vetmja mundësi. 30 Qershori, “Mollë e ndalueme”! Basha një hap prapa, bie në greminë; Rama një hap para, bie në humnerë.

Agron Duka: Ndryshimi i sistemit zgjedhor bën që vota e qytetarëve të mos tjetërsohet

Ne besojmë që zgjedhjet do të bëhen pasi të dakortësohet një qeveri transitore, e cila do të ketë për detyrë të kujdeset për zgjedhje të lira e të ndershme. Natyrisht, që të arrihet kjo duhet patjetër ndryshimi i sistemit zgjedhor, nëpërmjet të cilit vota e qytetarëve të mos tjetërsohet, që do të thotë deputetët të zgjidhen e jo të emërohen. Sistemi i ri zgjedhor duhet të ketë patjetër elementë maxhoritarë.

  1. Mendoni se do të kryhen zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Nard Ndoka: Pa zgjedhje të parakohshme, nuk ka paqe

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare; janë domosdoshmëri për të gjithë; për mazhorancën aktuale për t’u testuar, për opozitën për të vendosur sistemin në punë, për qytetarët për të vendosur me vote të lirë, se kush do t’i qeverisë në vazhdim. Në situatë normaliteti dhe pjekurie politike; kjo do ishte zgjidhja që çdo politikan mendon, të parën si mundësi. Zgjedhjet e parakohshme rivendosin paqen sociale, e bëjnë sistemin funksional dhe rikthejnë besimin te qytetarët për te ardhmen.

Agron Duka, kryetar i PAA: Së shpejti do të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë vetëm një kërkesë e opozitës, por një domosdoshmëri për të rivendosur rendin politik në shoqërinë tonë. Shkatërrimi i ekuilibrave, institucionale dhe politike, nga ana e mazhorancës, duke tjetërsuar vullnetin e qytetarëve nëpërmjet asaj që unë kam quajtur simbioza e krimit me politikën, i bënë zgjedhjet një domosdoshmëri jetike vendin. Nisur nga këto premisa, ne si opozitë, bashkë me ato shtresa të shoqërisë që po veprojnë në oponencë me mazhorancën, jemi të bindur se zgjedhjet e parakohshme do të zhvillohen brenda një hapësire kohore shumë të shkurtër, diçka që tashmë po diskutohet edhe nga përfaqësitë diplomatike në Shqipëri. Por, përpara se të shkojmë në zgjedhje, ajo që është edhe më e rëndësishme, është ngritja e një qeverie teknike që të garantojë neutralitetin e zgjedhjeve, si dhe përfundimin e reformës elektorale që do të lejojë hapjen e garës politike, duke përmirësuar cilësinë e përfaqësimit dhe të Parlamentit.