26-vjetori i PD, Basha shpall transformimin e thellë të Partisë Demokratike dhe të politikës në vend

528
Sigal

Mesazhet e 26 vjetorit të krijimit të pluralizmit
dhe të Partisë Demokratike

Mirë se keni ardhur në shtëpinë e Partisë
Demokratike.

Ju uroj të gjithëve gëzuar ditën e lindjes së
pluralizmit. Gëzuar festën e Partisë Demokratike.

Për ne demokratët është burim krenarie që Partia
Demokratike lindi nga e njejta aspiratë dhe nga e njejta ëndërr me të cilën
lindi liria dhe pluralizmi.

Për ne është kumptimplotë që Partia Demokratike mori
jetë nga e njejta përpjekje dhe nga të njejtët njerëz që u ngritën kundër
diktaturës: nga studentët e dhjetorit, qytetarët e thjeshtë dhe intelektualët
që para 26 vitesh u bashkuan me njëri-tjetrin dhe vranë frikën për të kërkuar
liri, demokraci dhe Shqipëri europiane.

Nga ky shesh dua t’u shpreh secilit prej tyre
mirënjohjen e thellë për dritën dhe shpresën që ata zgjuan në zemrat e një
populli të shtypur e të vuajtur.

Partia Demokratike lindi e madhe nga zgjimi dhe
revolta e shqiptarëve kundër  shtypjes,
varfërisë dhe izolimit komunist, nga ëndrra e tyre për liri, demokraci dhe
dinjitet, nga aspirata e tyre e flaktë 
për  t’ju bashkuar Europës së
kombeve të lira.

Gjithë këtij vlimi të rrallë popullor i dhanë
shprehje politike me mençuri, me guxim dhe në kushte shumë të vështira
themeluesit –  studentët e Lëvizjes së
dhejtorit, intelektualët që u bashkuan më ta, Azem  Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko të
gjithë ata që janë sot e do të jenë përgjithmonë në panteonin e
demokracisë  shqiptare.

Partia Demokratike lindi e madhe, por atë e kanë
mbajtur të madhe veprat e saj në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve; Këtë çerek
shekulli, Partia Demokratike ndërmori disa nga reformat më kurajoze dhe më të
thella për çlirimin e njerëzve, liberalizimin e ekonomisë dhe hapjen e
Shqipërisë, vendit më të izoluar në botë ku për 50 vjet nuk depërtonte liria,
dija, përparimi njerëzor. Partia Demokratike ishte faktor kyç për ndërtimin e
institucioneve të tregut, të infrastrukturës, të lëvizjes së lirë, të integrimit
europian, të anëtarësimit në NATO.

Po! Partia Demokratike me përpjekjet e saj u solli
shqiptarëve më shumë liri, më shumë demokraci dhe i afroi ata më shumë me
Europën.

Por nderimi për të shkuarën dhe respekti për
arritjet tona nuk mund të na bëjnë të verbër ndaj të tashmes ku jemi dhe të
ardhmes ku duam të shkojmë.

Çfarëdo që ne kemi bërë mirë, nuk mund të fshehë apo
justifikojë ato që nuk kemi bërë, apo ato që kemi bërë gabim.

Të dashur miq,

Shqipëria e vitit 1990 dhe kjo e vitit 2016
janë  sigurisht larg njera- tjetrës  por kanë edhe të përbashkëta.

E kam fjalën për kalbëzimin. 26 vjet më parë
Shqipëria ishte në fundin e një sistemi të kalbëzuar, të dështuar që po mbyllej
me ikjen e shqiptarëve nga sytë këmbët, ku ti çonte anija e verbër e fatit.

26 vjet më vonë Shqipëria është përsëri në fundin e
një politike të kalbëzuar dhe një qeverisje që ka në themel interesat e një
kaste politike-ekonomike dhe kriminale në krye të pushtetit,  ka korrupsionin në sistem,  ka drogën në sistem, ka sundimin në
sistem,  ka blerjen e votës në sistem.

Ky është mocali, ky është kalbëzimi që ju
vështirëson dhe ju nxin jetën çdo ditë shqiptarëve, që ju vret shpresën dhe i
shtyn në arrati, njësoj si 26 vjet më pare.

Mungesa e llogaridhënies dhe mosndëshkueshmëria e ka
shtyrë politikën e kalbëzuar drejt çdo lloj mjeti e mekanizmi të paligjshëm dhe
kriminal për të siguruar dhe mbajtur pushtetin.

Ortakëria mes politikanëve dhe klientëve të partisë
ka shkatërruar çdo mundësi për një ekonomi të lirë të tregut. Ortakëria mes
politikanëve dhe medias e shoqërisë civile ka dobësuar mekanzimat e mbikqyrjes
dhe kontrollit ndaj qeverisë. Etja për të marrë pushtetin me çdo kusht, e shtyu
politikën në kthetrat e krimit dhe solli kriminelët në majat e pushtetit.

Viktimat e kësaj politike janë njerëzit e thjeshtë,
të cilët janë sot të tradhtuar dhe të braktisur në varfërinë dhe pamundësinë e
tyre.

Prandaj sot sfida jonë më e madhe, sfida vendimtare
e Partisë Demokratike është kthimi i besimit të njerëzve tek politika, që është
kusht për të kthyer besimin e njerëzve tek e ardhmja.

Me këtë barrë të rëndë jemi sot të gjithë bashkë në
këtë përvjetor.

Parti të mëdha janë ato që dinë të kuptojnë dhe të
përballen me sfidat e popujve të tyre.

Ne sot ndeshemi sërish me një tjetër moment të
vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët të cilët kërkojnë ndryshimin rrënjësor
të politikës.

Partia Demokratike ka kurajon dhe largpamësinë të
përballet me këtë sfidë: ne do të ndryshojmë veten sot, që të ndryshojmë nesër
Shqipërinë. Ne duhet dhe  do të bëjmë sot
atë që bëmë një 26 vjet më parë: të jemi partia e mundësive për të gjithë.

Ka vetëm një rrugë për ta arritur këtë: ajo është
rruga e lirisë, demokracisë dhe e vlerave europiane. Partia Demokratike duhet
dhe do të jetë një parti e lirisë së mendimit, e mundësive për të gjithë dhe e
vlerave të përbashkëta.

Muajt e fundit kam biseduar e diskutuar me mijëra
demokratë kudo në Shqipëri dhe me forumet drejtuese të partisë për këtë sfidë
që shtrihet para nesh. Për hapjen e Partisë Demokratike në kuptimin me të gjere
të fjalës. Hapjen e mendjeve, hapjen e radhëve, hapjen ndaj aleatëve dhe
aleancave, hapjen ndaj shoqërisë, hapjen ndaj vlerave, hapjen ndaj rregullave,
hapjen ndaj garës, hapjen ndaj mendimit të lirë. 

Duhet t’u ofrojmë e mund t’u ofrojme shqiptarëve një
model të ri politik e shoqëror, ku pushteti do të jetë i kufizuar dhe qytetari
do të jetë i fuqizuar. Ku deputetët do të zgjidhen përmes vendimmarrjes me
anëtarësinë dhe votuesit, që nesër ata të jenë përfaqësues në radhë të parë të
qytetarëve dhe jo të partisë. Ku instrumentet e kontrollit të pushtetit të mos
jenë thjeshtë figurina, e Parlamenti thjesht një noter i kryeministrit, por të
jenë përfaqësues të qytetarëve dhe llogarikërkues të qeverisë së ardhshme dhe
ku levat më të fuqishme të kontrollit që ka një demokraci, opozita e ardhshme,
mediat dhe shoqëria civile, do të kenë të gjithë hapësirën dhe mundësitë të
kontrollojnë përmes transparencës, kritikës, denoncimit çdo vendim të qeverisë
së ardhshme.

Duhet tu ofrojmë e mund tu ofrojmë shqiptarëve një
model të ri të politikbërjes,  që nuk
mbeshtetet në furinë e paradave, fasadave dhe propagandës, por mbështetet në
punën dhe interesin publik, mbështetet në 
transparencën e vërtetë, mbështetet në 
respektin e thellë ndaj qytetarëve të shprehur përmes konsultimit të
tyre për çeshtje të rëndësishme.

Jam i lumtur që ne jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe
të vendosur për hapat që duhet të hedhim. Për hapjen, për lirinë dhe
demokracinë e brendshme, për mundësitë që duhet të jenë të cdo anëtari dhe jo
vetëm të një grushti drejtuesish.

1. Ne do të krijojmë mundësitë për konkurrencën e
alternativave brenda partisë. Ne do të shkurtojmë kohëzgjatjen e mandatit të
kryetarit dhe drejtuesve në dy vjet. Në këtë mënyrë, çdokush që ka një vizion
apo një alternativë tjetër, do të ketë mundësinë të konkurrojë që vizioni i tij
apo i saj të bëhet vizioni i partisë.

2. Vendimet e rëndësishme do t’i besohen anëtarëve,
duke e lidhur fatin politik dhe karrierën politike të çdokujt me anëtarët dhe
jo me kryetarin. Jo vetëm kryetari dhe drejtuesit e lartë do të zgjidhen me
votën e të gjithë anëtarësisë, por edhe të gjithë kandidatët që konkurojnë për
funksione publike, përfshirë kryetarët e bashkive dhe deputetë, do të
përzgjidhen me një anëtar një votë.

Ne do të punojmë që në zgjedhjet e ardhshme për
përzgjedhjen e kandidatëve përmes votës së anëtarëve në disa zona elektorale,
për ta shtrirë më vonë në të gjithë vendin.

Le ta dijnë të gjithë: përfaqësimi politik i PD do
të vendoset nga anëtarët e saj.

3. Ne do të krijojmë një strukturë partiake
perëndimore, të çliruar nga ofiqet dhe pushtetet, duke ndërtuar një platformë
moderne që ka për qëllim ti ofrojë mundësitë cdo anëtari dhe cdo anëtare për
karrierë dhe garë elektorale, por jo të ushtrojë pushtet mbi anëtarësinë.

Partia Demokratike është e vendosur të ndryshojë sot
veten dhe kështu të ndryshojë nesër gjithë Shqipërinë.

Unë e ndjej që sot ka kudo dëshpërim dhe mosbesim.
Ajo që unë ju kërkoj të gjithë qytetarëve, jo vetëm demokratëve por çdokujt, nuk
është të besoni verbërisht tek premtimet e mia, por të bëheni pjesë e këtij
ndryshimi duke kontribuar me pjesëmarrjen tuaj, përfshirjen tuaj, idetë tuaja,
aktet tuaja publike.

Ndokënd e ka zënë meraku se kush i ka thënë këto i
pari. Sot ju them se këto vlera janë te vjetra sa vetë demokracia. Sfida nuk
është kush i thotë i pari. Por kush ka kurajon dhe forcën ti bëjë realitet.

Ndaj ju kërkoj të bëheni nxitës dhe mbështetës të
ndryshimit, nga i cili do të përfitojë e gjithë Shqipëria.

Një Parti Demokratike e hapur dhe e lirë është një e
mirë publike për të gjithë shqiptarët. Nëse edhe partitë e tjera hapen dhe
ndahen nga autokracia e brendshme kjo do të jetë një arritje e madhe për
Shqipërinë.

Unë isha 17 vjec kur lindi Partia Demokratike. Sot
jam kryetar i saj. Ndihem pafundësisht i privilegjuar dhe thellësisht i
përunjur para kësaj përgjegjësie. Por unë jam i vetëdijshëm se kam arritur këtu
vetëm sepse Partia Demokratike në momente të caktuara kuptoi rëndësinë e hapjes
së saj ndaj njerëzve dhe vlerave që ata sjellin. Nëse ka dicka që unë jo vetëm
besoj por edhe jam provë e gjallë e saj është se hapja sjell fryte, liria sjell
mundësi.

Tani është rradha ime jo vetëm të kontriboj për të
hapur Partinë Demokratike por për të garantuar që ajo do të jetë përherë e
hapur dhe përherë e lirë: një parti ku të gjithë ata që duan të kontribuojnë në
politikën dhe qeverisjen e vendit do të gjejnë përherë një mundësi dhe ku fati
dhe karriera e tyre do të varet vetëm nga aftësia, talenti dhe kontributi i
tyre.

Kështu do të jetë. Partia Demokratike e Shqipërisë,
lindi e madhe prej rrethanave. Qëndroi e madhe prej punëve të mira në dobi të
Shqipërisë dhe demokracisë. Do të bëhet edhe më e madhe prej hapjes, prej
bashkimit, prej ndryshimit dhe modernizmit të saj.

Kështu Partia Demokratike do të jetë gjithmonë ajo
që u krijua: Partia e Lirisë, Partia e mundësive, Partia e të gjithë njerëzve.

Dua ta mbyll me disa fjale thene dje nga Donald
Trump:  Me te vertete po jetojme ne nje
kohe ndryshimesh te medha. Skenari nuk është shkruar akoma. Nuk e dime se cfare
do te sjelle e nesermja.  – por per te
paren here pas nje kohe te gjate, e dime se autor do te jete secili prej jush.
Ju, populli do ta keni ne dore. Zeri juaj, deshirat tuaja, shpresat dhe endrrat
tuaja, kurre me nuk do te bien ne veshe te shurdher – ju do te jeni zotet e
fatit tuaj.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.