16.3 miliardë lekë më pak të ardhurat e buxhetit, ulet asistenca ekonomike

415
Ministria e Financave ka bërë zyrtare rishikimi e buxhetit. Me anë të një njoftimi për median, ministria thotë se ky vendim ul shpenzimet buxhetore, por nuk prek buxhetin real të institucioneve.Të ardhurat e buxhetit të shtetit janë vlerësuar të jenë rreth 16.3 miliardë lekë më pak se parashikimi i fillimit të vitit. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore, deri në fund të vitit 2015, parashikohet të jenë 456.4 miliardë lekë, pra 3.92 % më pak se plani fillestar i parashikuar në ligjin e 2015.

Shpenzimet Operative & Shkurtohet buxheti
Rënia e ndjeshme e të ardhurave në raport me planin në gjysmën e parë të vitit e ka detyruar qeverinë të shkurtojë me procedura emergjente buxhetin e vitit 2015. Përmes një akti normativ, të miratuar në fund të muajit të kaluar, por të bërë publik vetëm këtë të enjte, Këshilli i Ministrave ka shkurtuar me 16.3 miliardë lekë të ardhurat totale të parashikuara për këtë vit dhe po në këtë masë edhe planin vjetor të shpenzimeve, për të mbajtur të pandryshuar defiçitin buxhetor. Kjo është hera e parë që qeveria e majtë detyrohet të rishikojë në ulje buxhetin e shtetit, pasi të ardhurat e mbledhura në gjashtë muajt e parë të vitit nga tatimet dhe doganat ishin 10 për qind më të ulëta se plani i periudhës. Në zërin e parë, qeveria ka kursyer 8.3 miliardë lekë, ndërsa pagesat për energjinë do të jenë 2 miliardë më pak se parashikimi. Pak ditë më parë, kur njoftoi lançimin e një fushatë të gjerë kundër informalitetit, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është duke analizuar shkaqet për ecurinë e dobët të të ardhurave. Por përfaqësuesi i FMN në Shqipëri, Jens Reinke tha në një intervistë përtej faktorëve të jashtëm si rënia e çmimit të naftës dhe inflacioni i ulët, performanca zhgënjyese e të ardhurave lidhet me administrimin.

Raporti i fshehtë i Tatimeve: Evazioni fiskal mbi 35%
Në kuadër të implementimit të një strategjie për uljen e informalitetit në ekonomi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një relacion drejtuar Ministrisë së Financave ka raportuar për hapësirën e evazionit dhe fushat ku po zhvillohet më së shumti informaliteti. Në këtë material tatimet raportojnë se, një nga problemet më delikate dhe serioze, me të cilin përballet vazhdimisht çdo administratë, është evazioni dhe mashtrimi fiskal. Tatimet shpjegojnë se, evazioni fiskal është i vështirë për tu matur. Por pavarësisht shifrave, e sigurte dhe e pamohueshme është që në vendin tona ai mbetet i lartë dhe sipas disa vlerësimeve në Shqipëri ai e kalon nivelin 30-35 për qind, referojnë Tatimet. Më tej, institucioni taksambledhës raporton në Financa se, shprehje e qartë për këtë situatë është ngarkesa fiskale (raporti i të ardhurave tatimore ndaj GDP-së) tepër e ulët në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera. Ky tregues, për vendet e OECD-së është rreth 35-38 përqind, ndërsa në Shqipëri 24%. “Boshllëku jonë prej disa pikë përqindje lidhet ndër të tjera edhe me sektorin relativisht të madh bujqësor, sektor i cili zakonisht pozon vështirësi serioze për sistemet tatimore në vendet në zhvillim. Megjithatë, edhe pas korrigjimit të madhësisë së sektorit bujqësor, boshllëku i të ardhurave tatimore në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera mbetet i rëndësishëm”,raportojnë më tej Tatimet. Në materalin në fjalë PDT pohon se, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë janë tre faktorët më të spikatur që cojnë në boshllëkun tatimor të vendit tonë në krahasim me vendet e tjera. Domethënës është sidomos fakti lidhur me mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku vendi ynë arrin të sigurojë cdo vit vetëm mesatarisht 4 përqind të ardhura ndaj GDP-së, ndërkohë që në vendet e tjera sigurohen shumë më tepër në mbi 8%. 

Basha: Paratë që i mungojnë arkës së shtetit, në xhepat e qeveritarëve
Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar menjëherë dje në rrjetin e vet social, për aktin normativ të buxhetit 2015. Sipas Bashës, opozita ka muaj që flet për mosmbledhje të ardhurash, ndërkohë që qeveria hesht. “Kemi muaj që flasim për mosmbledhje të ardhurash dhe qeveria hesht. Më në fund dje e pranuan edhe pse duke e fshehur shifrën reale të evazionit, e cila është shumë më e madhe se kjo e deklaruara”. Sipas Bashës, paratë që mungojnë në arkën e shtetit kanë përfunduar në xhepat e pushtetarëve. “Fshihen me gjithfarë justifikimesh por e vërteta është se paratë që i mungojnë arkës së shtetit kanë përfunduar në xhepat e qeveritarëve. Fusin paratë e qytetarëve në xhep dhe u tregojnë burgun atyre që luftojnë për bukën e gojës”.
Sigal