140 mijë familje pa internet, 3600 fëmijë rrezikojnë  klasën e parë

83
Sigal

CRCA/ECPAT, thirrje qeverisë shqiptare të rishikojë vendimin  për regjistrimin online të fëmijve në klasën e parë nëpërmjet aplikacionit e-albania! Mbi 140 mijë familje nuk kanë  akces në internet, 61 400 familje marin 8 mijë lekë në muaj dhe nuk kanë kompjuter, 41.5% e familjeve sipas BB-re jetojnë me 5.5 USD në ditë dhe një pjesë e fëmijve jetojnë me gjyshërit pasi prindrit janë në emigracion. Vetëm nga zonat që nuk janë përfshirë në aplikacion, 3600 fëmijë mund të mos nisin klasën e parë

 

 Prindërit ankesa lidhur me regjistrimin e fëmijëve nëpërmjet aplikacionit  ‘e-albania’

-Martini sapo ka mbushur 6 vjeç. Ai ka ndjekur arsimin parashkollor në një prej institucioneve publike të Tiranës, por braktisja nga prindi kujdestar dhe procedura e re e regjistrimit për në klasën e parë nëpërmjet aplikimit tek platforma ‘e-albania’ i rrezikon atij seriozisht gëzimin e së drejtës për arsim publik falas.

-Vajza e vogël që do të regjistrohej në klasë të parë dhe jeton në zonën e Astirit, e ka të pamundur që prindërit e saj të hyjnë në aplikacionin ‘e-albania’, pasi kjo zonë nuk është e përfshirë në këtë platformë.

-Ndërsa 6 vjeçari tjetër, nuk arrin dot të regjistrohet në shkollë, pasi rruga në të cilën banon, ndodhet në një zonë e cila ndahet midis dy njësive administrative, njësisë 9 dhe njësisë 2, dhe të dyja këto njësi, nuk përfshijnë në aplikacion banesën e fëmijës.

Vetëm dy ditë më parë, Qeveria njoftoi vendimin e saj se regjistrimi i të gjithë fëmijëve që nisin për herë të parë shkollën, do të bëhet nëpërmjet platformës ‘e-Albania’. Por ndërsa shumë familje këtë mënyrë regjistrimi e shohin si një thjeshtësim të procedurave, nuk duhet të harrojmë se ka shumë familje të tjera që për shkak të kushteve social-ekonomike, nivelit të ulët të arsimimit dhe varfërisë do të hasin probleme në regjistrimin e fëmijëve në shkollat publike.

Shifrat më të fundit të INSTAT tregojnë se në Shqipëri, 16.7% e familjeve nuk kanë akses në internet. Gjatë vitit 2020, vetëm 83.3% e familjeve shqiptare kishin akses në internet, krahasuar me 82.2% një viti më parë. Nëse marrim për bazë vetëm statistikat zyrtare, Qeveria shqiptare ka pranuar se le jashtë skemës së regjistrimit thuajse 17% të familjeve dhe fëmijëve të tyre. Vendimi më i fundit i Qeverisë duket qartazi që në gjendjen aktuale le jashtë të drejtës së arsimimit të gjithë fëmijët që jetojnë në varfëri, ata që i përkasin minoritetit Rom dhe Egjyptian, dhe ata që ndodhen në zona të thella të Shqipërisë, ku përdorimi i internetit është shpesh i paarritshëm.

Ky vendim i njëanshëm i Qeverisë shkel haptazi të drejtën e fëmijëve për arsimim. Për më tepër, vendimi është marrë vetëm 1 ditë para hapjes së regjistrimeve në shkolla, pa një konsultim paraprak me shoqërinë civile, sindikatat e arsimit dhe shoqatat e prindërve, pa asnjë fushatë informimi nga institucionet përkatëse, gjë që ka krijuar ç’orientim dhe konfuzion në shumë familje.

Janë 61.445 familje në vendin tonë që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Sasia e ndihmës cash që Qeveria shqiptare jep për një familje është deri në shumën 8,000 Lek, e cila e bën të pamundur për ta pajisjen me një kompjuter, tablet, smartphone apo çdo lloj teknologjie nga ku mund të regjistrohen në ‘e-Albania’. Të dhënat e Bankës Botërore ndërkohë kanë parashikuar se pas periudhës së Covid -19, rreth 41.5% e shtetasve shqiptarëve do të jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme, me më pak se 5,5 dollarë për person në ditë. Përtej kësaj, një pjesë e prindërve që vijnë nga komunitete të margjinalizuara janë të paregjistruar ende në gjendjen civile, ndërsa ka një numër jo të vogël të fëmijëve që jetojnë me gjyshërit apo të afërm, ndërsa prindërit i kanë në emigracion apo i kanë braktisur fëmijët tërësisht.

Nisur nga kjo situatë që rrezikon të kthehet në një shkelje serioze të së drejtës bazë të arsimimit falas, të paktën të 3600 fëmijëve të klasës së parë anembanë Shqipërisë, CRCA/ECPAT Shqipëri i kërkon Qeverisë shqiptare, që të rishikojë menjëherë vendimin e saj, duke krijuar mundësi alternative të regjistrimit të fëmijëve. Arsimi është një e drejtë për fëmijën dhe një detyrim për Qeverinë për ta ofruar falas atë! Ndërkohë që masa më e fundit, ngarkon kostot e arsimimit të fëmijëve te familjet shqiptare. Kjo në bindjen tone, është e padrejtë!