10 ngjarjet dhe jo vetëm, që sollën tronditjen e politikës shqiptare në 2021

203
Sigal

Politika shqiptare gjatë viti 2021 u mbërthye nga ngjarjet politike që do të mbeten gjatë në memorien e shqiptarëve nga zgjedhjet e 25 prillit tek përplasjet brënda PD-së

 

 Viti që pati zhvillime të fuqishme që mund të cilësohen si të paimagjinueshme

Viti 2021 u mbërthye nga ngjarjet politike që do të mbeten gjatë në memorien e shqiptarëve. Një vit që pati zhvillime të fuqishme dhe ku disa prej tyre mund të cilësohen si të paimagjinueshme.

Kryengjarja në këto 365 ditë vitit do të jetë natyrisht vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen e Sali Berishës si person “Non-grata”.  Përpara se të mbërrinin në këtë pikë,  zhvillime të forta politike janë shoqëruar në të dyja kampet, ku gjithçka nisi pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.  Nga kjo datë ka pasur zhvillime të pafundme, një president i shkarkuar, një parti politike që merr një mandat të tretë, një ish-kryeministër dhe lider historik i një partie politike që shpallet person “Non-Grata” nga SHBA dhe ku po kërkon të dominojë politikën shqiptare për të synuar drejtimin e opozitës shqiptare.

25 prill- zgjedhjet Rama hynë në histori, merr mandatin e tretë

Vitit 2021 ishte prova e zgjedhjeve parlamentare. Cila parti do të merrte drejtimin? Do të kishim rokadën e përhershme apo vazhdimësi? Partia Socialiste, ashtu si katër vite më parë, në 2017, konkurronte më vete. Pas katër vitesh u krijua mundësia e daljes në koalicione, edhe pse, PS ndërhyri duke ia pamundësuar koalicionin tren, partive të opozitës që kryesohej nga  PD dhe LSI. Si rezultat i këtyre ndryshime në Kushtetutë dhe në ligjin zgjedhor, dy liderët kryesorë të opozitës, Basha  dhe Kryemadhi vendosën kandidimin si subjekte politike më vete dhe pse formalisht firmosën një pakt bashkëpunimi në rast se do të merrnin pushtetin. PD me aleatët e saj në një listë të përbashkët, ata në fund mbetën të pakënaqur nga vendet në lista.

Ndërsa, LSI e mori këtë vendim për të mos humbur logon e partisë, apo duke menduar se mund të fitonte më shumë mandate se sa iu ofroi Basha në negociata për listat e përbashkëta të deputetëve, doli më vete. Rezultati, formula e Kodit Zgjedhor dhe ndarja PD dhe LSI, i la ato në opozitë. Partia Socialiste me 74 mandate  mori një numër votash prej 768 250  votash, që përbëjnë 48.68% të totalit vota të vlefshme. Partia Demokratike ka hyrë në garë në listë të vetme me Aleatët njohur si PD dhe Aleanca për Ndryshim.  Kështu së bashku kanë marrë 622 267 Vota. Përkthyer në mandate deputeti janë 59.  Në total PD dhe AN ka morën 39.49%.  Partia Socialdemokrate mori në këtë proces zgjedhor 35 467 vota. Përkthyer kjo në 3 mandate dy në Shkodër dhe një në Tiranë. Në përqindje kundrejt totalit janë 2.5% e votave rang Kombëtar.

Lëvizja Socialiste për Integrim në Zgjedhje 2021 mori 107. 533 Vota që janë 6.81% e totalit të votave në rang kombëtar dhe fituan vetëm 4 deputetë . Vetë presidenti Ilir Meta do të mbante anë, duke iu ikur kostumit presidencial dhe bërë fushatë kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Po në fakt Presidenti Meta bërinjë deklaratë mbi shtiblerjen e votave, të cilat u realizuan me skenarë sikur ato të Sigurimit të Shtetit. Për këtë ai u kundërshtua nga palët, por koha tregoi se Presidenti Meta kishte të drejtë, pasi ngjarja në Elbasan, ku mbeti i vrarë edhe një person dhe prej ku, Prokurori i Qarkut dhe Drejtori i atëhershëm i Policisë së shtetit mohuan se mund të kishte materiale kompromentuese mbi votat në zgjedhje, nuk zgjatën shumë. Edhe pse deklaratat e Presidentit Meta ishin në të njëjtën linjë me ato të OSBE/ODHIR, dhe me ato të KQZ, përsëri askush në PS nuk u shqetësua. Edi Rama do të hynte në histori si njeriu që fitoi tre palë zgjedhje parlamentare radhazi , duke fituar tre mandate, dhe i votuar tre herë kryeministër i vendit. Basha do ti cilësonte zgjedhjet si një masakër zgjedhore dhe se PS shkeli paktin e 5 qershorit, të firmosur për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës.

 

19 maj 2021- Berisha shpallet nga DASH si person “non-grata”

Në një mesazh në “Twitter” Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, shkruan se “Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruan Sekretari Amerikan i Shtetit. Ky do të ishte vendimi më i fortë i marrë nga SHBA, duke penalizuar një nga njerëzit më të fuqishëm të politikës shqiptare, që e ka dominuar atë për 30 vite, duke mbajtur poste si president dhe kryeministër i vendit për vite me radhë.

9 qershor- PS shkarkon Ilir Metën si President

Kuvendi votoi pro shkarkimit të presidentit, Ilir Meta me 104 vota, duke miratuar konkluzionet e komisionit e posaçëm hetimor parlamentar  se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Pasi fituan zgjedhjet e 25 prillit, Rama përforcoi pozitat duke hedhur për votim për herë të dytë shkarkimin e Ilir Metës si kryetar i shtetit, nëpërmjet një komisioni të posaçëm hetimore. Pas një debati që zgjati rreth katër orë, Kuvendi fillimisht votoi raportin nga Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta me 104 vota për, shtatë kundër, dy abstenim dhe një fletëvotimi ishte i pavlefshëm. Kjo është hera e parë në historinë e demokracisë së Shqipërisë post komuniste ku  një president shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Topi tashmë është në fushën e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të thotë fjalën e fundit: Është i drejtë, apo jo i ligjshëm.

12 qershor  20021- Gramoz Ruçi, “dora e hekurt” e PS largohet nga politika

Duket si e pabesueshme, por ndodhi. Gramoz Ruçi njeriu që ka dominuar politikën shqiptare për më shumë se 30 vite, ish-ministri i Brendshëm në kohën e regjimit komunist,  që akuzua nga PD për ngjarjet e 2 Prillit 1991 në Shkodër, ia dha fund angazhimit aktiv në politikë, duke dalë në pension. Ai mbante postin më lartë si kryetar i Kuvendit, përpara zgjedhjeve të 25 prillit. Tërheqjen nga politika Ruçi e bëri pikërisht në kongresin e PS-së, që përkonte me 30-vjetorin e themelimit të kësaj force politike.

 

30 qershor- Zyrtari i lartë i DASH me mision në Tiranë, takon Bashën

Pas shpalljes së Berishës si person “non-grata”, Ndihmës sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, vizitoi Shqipërinë. Misioni në Shqipëri ishte në kuadër të turit të Ballkanit. Philip Reeker u takua Kryeministrin Edi Rama dhe me kryetarin e Opozitës, Lulzim Basha. Takimi me Bashën pati shumë teori konspirative, ndërsa aludohej se Reeker i ka dhënë fakte mbi dosjen “Berisha”.

30 korrik- Yuri Kim jep ultmatumin për Berishën: PD të mos hajë bar

Yuri Kim do të trokiste në zyrën e Bashës, për ti dhënë mesazhin e qartë Bashës e dërguar nga Uashingtoni për të vepruar për largimin e Berishës nga PD-ja. Ajo ultimatumin e saj lidhi me një krahasim që radhë ndonjëherë ambasador do ta bënte.“Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje.. Ka vendime të vështira përpara për të gjithë, shpresoj në vendosmërinë e tyre për të zgjedhur të ardhmen, kundrejt të kaluarës”, do të deklaronte Yuri Kim pas takimit.

5 gusht 2021- Berisha padit Blinken në Francë

Berisha do të reagonte dhe do t’i shpallte luftë SHBA, duke paditur në një gjykatë në Francë sekretarin Blinken.  Pikërisht më 5 gusht në një konferencë për mediat ai do të bënte publike  nisjen e betejës me zyrtarin e lartë të qeverisë amerikane, kryediplomatin amerikan. Berisha e ka dorëzuar në Gjykatën Korreksionale të Parisit padinë për shpifje ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Ai e ftoi që ti bënte prezent provat në Gjykatë.

9 shtator- Basha përjashton Berishën nga grupi i PD

Pas ultimatumeve të ambasadores së SHBA, Yuri Kim se nëse PD nuk dëshiron të hajë barë, që nënkupton izolimin, duhet të përjashtojë Berishën nga grupi parlamentar i PD-së. Një vendim i bujshëm, përjashtimi i njeriut nga partia që e themeloi 30 vite më parë. Vendimi u shpall një ditë përpara se PD-ja të shkonte drejt Parlamentit.“Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë. Z. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen. Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8-vjeçar i Edi Ramës” deklaroi Lulzim Basha. Lideri historik i PD-së, Sali Berisha do të reagonte duke e cilësuar si “një vendim jashtë çdo norme statutore dhe ligji. Një vendim të tillë, një njeri që respekton parimet më elementare nuk mund ta marrë. E kuptoj presionin por pavarësisht nga presioni, mendoj se disa herë më parë duhet të konsideronte dorëheqjen e tij sesa sovranitetin e PD. Bëri atë që nuk bëri Celibashi”. “Asgjësoi PD si parti sovrane. Për një vendim të tillë zoti Basha duhet te mblidhte kongresin e Partisë Demokratike, të ndryshonte statutin e PD dhe te vendoste një nen në statut. Do bëj gjithçka për të vendosur sovranitetin e PD.”, do të theksonte Berisha.

 

10 shtator- Mblidhet Parlamenti, Lindita Nikolla kryeparlamentare

Në seancën e parë të Kuvendit të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit, socialistët zgjodhën një grua në krye të këtij institucioni. Lindita Nikolla u zgjodh me 79 vota pro dhe 4 kundër, ndërsa PD e bojkotoi votimin.

16 shtator- Berisha nis lëvizjen Foltorja për largimin e Bashës

“Të dashur miq, ditën e enjte me datë 16 shtator ora 18:00 nisim ciklin e “Foltores për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur”. Foltorja do të jetë një bashkëbisedim me demokratë dhe demokrate që nis në Tiranë dhe do udhëtojë në mbarë vendin”.

Ky do të ishte njoftimi i ish-kryeministrit Sali Berisha si kundërpërgjigje ndaj vendimit të marrë nga kryedemokrati Lulzim Basha për ta mos e përfshirë atë në grupin parlamentar të PD-së.

17-18  shtator votimi me betimi i qeverisë Rama 3, kabineti më me shumë femra

Qeveria Rama 3 u votua në seancën parlamentare të 17 shtatorit. Ajo mori 77 vota pra, 53 kundër dhe 1 abstenim. Një ditë më pas, Rama dhe ministrat u betuan para presidentit Meta. “Rama 3” do të mbahet mend si qeveria ka 12 gra dhe 5 burra. Shumica e ministrave u konfirmuan, vetëm 5 ishin emra të rinj. Ndërsa jashtë mbeti Erjon Braçe dhe zv.kryeministër u vendos Arben Ahmetaj.

4 nëntor- Kushtetuesja njeh zgjedhjet lokale, rrëzon Metën dhe opozitën

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive për të shpallur si antikushtetuese zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.Gjykata Kushtetuese njoftoi se vendimin e mori pasi dëgjoi palët në gjykim, dhe pasi shqyrtoi Opinionin e Komisionit të Venecias.  Në opinionin e tij Komisioni i Venecias, kishte thënë se Gjykatë nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore. Zgjedhjet e 30 Qershorit u bojkotuan nga opozita, por ato u mbajtën në datën e caktuar, pavarësisht se presidenti Ilir Meta e anuloi atë, duke vendosur një datë tjetër.

.

11 dhjetor- Kuvendi i Berishës- Votohet shkarkimi i Bashës

Berisha tregoi forcën duke mbledhur Kuvendin e tij. Pas mbylljes së ciklit të Foltores, Berisha mblodhi në stadiumin “Air Albania” mbështetësit e tij, të cilët votuan për shkarkimin e Bashës. Mbi 4600 delegatë ishin prezent në këtë stadium,  të cilët votuan për shkarkimin e Bashës.Ndërsa paralajmëroi si kundërpërgjigje të Kuvendit të thirrur nga Basha referendumin për shkarkimin e kryedemokratit. Gjithashtu u votuan dhe ndryshimet e statutit të PD-së. Në Kuvend morën pjesë 4491 delegatë, por vetëm 4934 prej tyre morën pjesë në procesin e votimit. Nga të gjithë ata që morën pjesë në votim, pro shkarkimit të Bashës kanë votuar 4446 delegatë, kundër kanë votuar 36 delegatë dhe 9 delegatë e kanë nxjerrë fletën të pavlefshme.

18 dhjetor- Referendumi me anëtarësinë e PD për shkarkimin e Bashës.

Sali Berisha nuk do të ndalej me kaq. Veç Kuvendit të PD-së, ai do të organizonte referendumin me anëtarësinë për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD-së. Në referendum kanë marrë pjesë 43,879 anëtarë të Partisë Demokratike nga të cilët 43,385 kanë votuar pro shkarkimit të Lulzim Bashës nga posti i kryetarit, 306 kanë votuar kundër, 17 vota kanë qenë abstenim, ndërsa 171 vota janë shpallur të pavlefshme.

Berisha do të votonte në qendër votimi të ngritur pranë ambasadës amerikane. Lokali i njohur bar “Amerika” u përdor si qendër votimi për demokratët për shkarkimin e Bashës. Kjo gjetje u pa si një provokim i Berishës ndaj SHBA, i cili u shpreh se përdori për ti dhënë mesazh konservatorëve amerikanë, republikanëve.

18 dhjetor- Basha mbledh Kuvendin shkarkon Berishën

Lulzim Basha mblodhi Kuvendin e PD-së e lajtmotivi i saj ishte rikonfirmimi i vendimit për të shkarkuar Sali Berishën nga të gjitha strukturat e PD-së. Kjo ishte kundërpërgjigja ndaj Berishës, i cili mblodhi Kuvendin dhe referendumin për shkarkimin e Bashës. Të dyja palët deklaruan se kanë mbështetjen e anëtarëve të Kuvendit, kryedemokrati deklaroi se kishe mbi 5 mijë vetë prezent në Pallatin e Kongreseve, edhe pse salla, sipas numrit të karrigeve nuk zë më shumë se 2 mijë veta.

Basha ndërkohë ka nisur një katarsis brenda PD-së, duke shkarkuar të gjithë ato persona që janë rreshtuar në anën e Berishës.

Viti 2022 do të nisë sërish me betejën brenda opozitës. Berisha i ka vendosur ultimatum Bashës deri në 8 janar të ketë liruar zyrën e kryetarit, pasi Kuvendi dhe anëtarësia e kanë shkarkuar. Mes palëve çështja pritet të përfundojë në Gjykatë.