1 vit nga përmbytjet, Kryebashkiaku Xhelal Mziu: 700 familjet e dëmtuara në Kamëz nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin nga qeveria

448
Sigal

Reshjet e vitit të kaluar sollën përmbytje në Kamëz dhe Paskuqan. Pavarësisht nga ndërhyrja e Bashkisë brenda kapaciteteve të saj, e gjendur përballë vetos së qeverisë për të pajisur Kamzën me ekskavatorët për pastrimin e kolektorëve si dhe dhënien e fondeve për ndërtimin e tyre, sërish me qindra familje u gjendën nën ujë. Reagimi i Bashkisë Kamëz për t’u ardhur në ndihmë ishte i shpejtë, ku në kohë rekord grupi i punës së Bashkisë ofroi ndihmën në terren dhe bëri evidentimin e çdo dëmi në secilën familje.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, ka bërë thirrje dhe vijon t’i bëjë thirrje qeverisë për sjelljen e ekskavatorit, ndërtimin e tre kolektorëve problematikë që sjellin përmbytje – premtim i pambajtur nga Rama në Kamëz – si dhe dëmshpërblimin e familjeve të dëmtuara.

Kryebashkiaku Xhelal Mziu thotë: “Kur jemi një vit nga përmbytjet dhe familjet në Kamëz pësuan dëme, nuk kanë marrë ende asnjë lekë nga qeveria. Kujtojmë që si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në territorin e Bashkisë Kamëz, qytetarët kanë pësuar dëme të konsiderueshme në orendi dhe pajisje elektroshtëpiake dhe materiale ndërtimore nga përmbytjet, me pasojë dëmtimin e banesave dhe objekteve të tjera të qytetarëve të Bashkisë. Bashkia Kamëz, nga ana e saj, ka ngritur grupet e punës me urdhrin nr. 385, datë 1.12.2017, për verifikimin dhe konstatimin e dëmeve të shkaktuara në gjithë territorin e saj. Nga verifikimet e kryera në zonat e përmbytura, nga grupet e punës u konstatuan rreth 700 familje të përmbytura, të cilat kanë pësuar dëme të mëdha ekonomike”. Sipas z. Mziu, Bashkia Kamëz, në pamundësi financiare për përballimin me të ardhurat e saj të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ndodhura në zonë dhe për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjeve të dëmtuara nga reshjet e shumta të shiut të datës 30.11.2017, pas evidentimit ka bërë një përpilim të saktë të listës së familjeve dhe dëmeve dhe i ka kërkuar po në kohë rekord Këshillit Bashkiak që të miratojë shumën e dëmshpërblimit financiar sipas listës së familjeve në nevojë dhe dërgimin për financim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, procedurë tashmë e kryer.

“Bazuar në relacionin përcjellë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Këshilli Bashkiak bëri “Miratimin e shumës së dëmshpërblimit me vlerë 276.051.865 (dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë milion e pesëqind e një mijë e tetë qind e gjashtëdhjetë e pesë) lekë të 700 familjeve të përmbytura nga reshjet e shiut të datës 30.11.2017 dhe dërgimin për financim të kësaj shume pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, për mungesë fondesh financiare të Bashkisë Kamëz”, – thotë kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu. Kur jemi një vit nga përmbytjet e vitit të kaluar, ende rreth 700 familjet nuk kanë marrë asnjë kacidhe nga qeveria “Rama”, e cila si gjithnjë Kamzën e diskriminon në çdo drejtim. Qytetarët, me shpresën që një ditë do të marrin dëmshpërblimin, luten që këtë vit të mos përmbyten sërish!