⁠Berisha: Kriminelët e Skapit marrin 7 mijë euro rrogë! Altin Dumani, tregoju shqiptarëve kush të ka blerë ty me apartament?

58
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ përshëndeti mbështetësit e fjalës së lirë dhe kauzës së drejtë në Shqipëri, duke i quajtur guximtarë që sfidojnë regjimin. Berisha vlerësoi kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për qëndresën e tij të palëkundur kundër regjimit. Gjithashtu, Berisha vlerësoi edhe deputetin Ervin Salianji për guximin e tij dhe qëndrimin e fortë në burgjet e regjimit, duke shprehur bindjen se së shpejti ata që kanë keqpërdorur pushtetin do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Kryetari i PD, Sali Berisha e vuri theksin mbi fitoren e presidentit Donald Trump dhe konservatorizmit në SHBA, duke akuzuar mediat qeveritare se po fshehin përmasat e këtij triumfi.

NOA

Berisha e cilësoi këtë si një “mrekulli amerikane” që pasqyron triumfin e vlerave të lirisë, ku edhe dha lajmin mbi largimin e 70% të prokurorëve të lidhur me Xhorxh Soros, të cilët bashkëpunonin me krimin. Sipas Berishës, 30 prej tyre u shkarkuan me votë nga qytetarët, ndërsa të tjerët për bashkëpunime të dyshimta.

Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij për plaçkitjen e buxhetit shtetëror, duke thënë se 80% e një buxheti prej 8.2 miliardë eurosh do të përfundojë në duart e zyrtarëve qeveritarë, oligarkëve dhe të afërmve të pushtetit. Berisha tha se, që nga viti i parë i qeverisjes së Ramës deri më sot, një total prej 57 miliardë euro është vjedhur nga pushteti, ndërsa buxheti aktual përfaqëson kulmin e kësaj plaçkitjeje.

Sipas Berishës, ky buxhet është “antiqytetar” dhe nuk parashikon rritje për rrogat, pensionet apo ndihmën ekonomike për qytetarët, duke u lënë atyre vetëm “thërrime”. Ai e cilëson këtë veprim si një krim të rëndë ndaj popullit, sidomos pasi qeveria ka vendosur rroga shumë të larta për ministrat dhe zyrtarët, duke i bërë ato më të larta se ato të vendeve të rajonit me të ardhura më të larta për frymë, si Sllovenia.

Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua me tone të ashpra kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani për korrupsion dhe përfitime të paligjshme. Berisha u shpreh se, Dumani ka tre apartamente të deklaruara që nga viti 2016, gjë që ai e konsideron të pamundur për një punonjës me rrogë shteti.

Berisha gjatë fjalimit të tij në tubimin qytetar e cilësoi Dumanin “peng të Edi Ramës” dhe theksoi se zyrtarët si ai, të cilët ai i përshkruan si “kriminelë të Skapit”, përfitojnë paga të mëdha prej 7 mijë eurosh nga taksat e qytetarëve. Ai ngre pyetjen se si është e mundur që punonjës të shtetit të arrijnë pasuri të tilla, duke e përshkruar këtë si një padrejtësi dhe abuzim me pushtetin që rëndon mbi shqiptarët.

Kryedemokrati, Sali Berisha prezantoi një program të ri ekonomik dhe social për Partinë Demokratike, ku thekson angazhimin për një shpërndarje të drejtë të pasurisë dhe rrogave në Shqipëri. Berisha bëri një premtim të fortë se në qeverisjen e ardhshme, rroga mesatare nuk do të jetë më e ulët se 1200 euro dhe rroga maksimale nuk do të kalojë katërfishin e rrogës mesatare. Berisha gjithashtu premtoi se, do të rriten pensionet dhe ndihma ekonomike, duke e caktuar minimumin e pensioneve dhe ndihmës ekonomike në 200 euro, dhe do të vendoset një rrogë minimale 500 euro.

Berisha e lidhi këtë program me ideologjinë e vlerave dhe drejtësisë sociale, duke thënë se do të bëhet gjithçka që taksat e qytetarëve të shndërrohen në përfitime për të gjithë shoqërinë.

Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua me tone të ashpra kryeministrit Rama për shpërndarjen e pasurisë publike, duke i dhënë 77 mijë m2 tokë Turjan Hyskos. Berisha paralajmëroi Hyskon që të mos e marrë tokën, pasi do të konfiskohet dhe do t’i rikthehet shtetit. Kryedemokrati kritikoi qeverinë për shpërndarjen e fondeve, duke e quajtur buxhetin “mjerim” dhe duke akuzuar se vetëm 2.6% e fondeve shkojnë për shkollat, ndërsa pjesa tjetër për projekte të dyshimta.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për bashkim dhe luftë kundër korrupsionit, duke besuar se regjimi i Ramës nuk mund të qëndrojë përballë opozitës.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju guximtarëve dhe guximtareve, misionarëve të vërtetë të kauzës së drejtë të kombit shqiptar, kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj tribune të fjalës së lirë, që përcjellin të vërtetat e censuruara nga mediat e narkoqeverisë tek qytetarët shqiptarë.

Përshëndes në emër tuaj, të demokratëve në mbarë vendin, kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta për qëndresën e tij të pamposhtur në qelitë e narkoregjimit.

Përshëndes nënkryetarin e grupit parlamentar të PD, deputetin guximtar Ervin Salianji që qëndron si luan në burgjet e regjimit dhe që e garantoj se nuk është e largët dita kur vendin e tij ta zënë kriminelët e pushtetit dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Të dashur miq, mediat qeveritare po fshehin, përpiqen të maskojnë përmasat epike, gjigante të fitores të presidentit Donald Trump dhe vlerave të konservatorizmit në vendin e madh të lirisë, në SHBA.

Institucionet, selia e partisë qendrore të krimit dhe drogës, ministrat dhe qeveritarët kishin përgatitur torta dhe shampanja, fishekzjarre dhe party natën e të martës, të bindur se do përfitonte përfaqësuesja Kamala Harris, në fakt përfaqësuese e ekstremit të majtë.

Por, siç shkruante një mik i imi amerikan, e marta që kaloi shënoi mrekullinë amerikane.

E vërteta, shënoi mrekullinë jo vetëm amerikane, i shkruajta atij, por mrekullinë e botës së lirë.

Miqtë e mi, me këtë rast dua t’u jap një lajm tjetër, se 70% të narkoprokurorëve të Xhorxh Sorosit me datën 5 nëntor, i thanë lamtumirë detyrës.

30 prej tyre u shkarkuan me votë ekzemplare nga qytetarët amerikanë, të tjerët janë shkarkuar për flagranca bashkëpunimi me krimin dhe SHBA shpëtuan nga dhjetëra Dumanër, Kraja, kriminelë, zuzarë të Xhorxh Sorosit që sponsorizonte kriminalitetin dhe krimin, drogën, grabitjet, plaçkitjet me akte të hapura armiqësore, publike ndaj popullit amerikan, rendit, rregullit dhe qetësisë së atij vendi.

Të gjitha këto tregojnë se e vërteta mund të vonojë, por ajo triumfon dhe vetëm triumfon.

Të dashur miq, kryefjala e këtyre ditëve është projekti i ri i vjedhjes, plaçkitjes të 80 përqind të 8.2 miliardë euro të buxhetit të shtetit nga Edi Rama, ministrat e tij, lukunia e tij, narkotrafikantët, oligarkët e tij.

Në qoftë se buxhetet nga viti i parë gjer këtë vit, në një total prej 57 miliardë eurosh, u vodhën dhe plaçkitën në mënyrën më të tmerrshme nga Edi Rama, ministrat, zyrtarët e tij, kjo vjedhje kulmon me buxhetin 8.2 miliardësh, në të cilin në mënyrën më kriminale, në mënyrën më cinike, nuk është lënë pothuajse asgjë, asnjë rritje rroge për qytetarët shqiptarë, asnjë rritje e ndihmës ekonomike për qytetarët shqiptarë, asnjë rritje pensioni për pensionistët shqiptarë, asnjë rritje e rrogave minimale për rrogëtarët shqiptarë, asnjë rritje subvencion përveçse atyre që ishin për fermerët shqiptarë.

Kurrë Shqipëria nuk ka pasur një buxhet më antiqytetar se  buxheti i këtij viti.

Të dashur miq, të mbledhësh nga qytetarët më të varfër të Europës, bizneset e vendit, 8 miliardë euro, dhe të mos u kthesh atyre veçse thërrime, kryen një krim me përmasa sa Mali i Dajtit, një krim të tmerrshëm.

Por kur ti e bën këtë pasi për vete, për ministrat, për mercenarët e Skapit ke rritur rrogat, ke vendosur rrogat më të larta në rajon, më të larta se Sllovenia, që ka të ardhura për frymë 4 herë më të larta se Shqipëria.

Kur ti vendos rrogat më të larta se ministrat e Vatikanit, kur ti vendos rrogat një prokurori hajdut, mercenar, që tregton gjithë natën me vrasësit, kriminelët ryshfete për t’i mbyllur dosjen dhe prishur provat dhe i jep një rrogë sa 70 pensionistë, kryen një krim të rëndë, një krim kundër njerëzimit.

A mundet o miq që Altin Dumani që në vitin 2016 ka të deklaruara 3 apartamente me rrogë shteti, ju garantoj ju se një punonjës i ndershëm me rrogë shteti nuk blen dot kurrë më shumë se një garsionere nga vitet 1992 në vitet 2016. Jo, nuk blen dot më shumë.

Kurse Dumani gjendet me 3 apartamente dhe mashtron e thotë se e kam dhuratë. Nga kush e ke dhuratë ti mor? A ka ligje mor? Po ku ka ligj që të lejon të marrësh apartamentin dhuratë o gënjeshtar, o kriminel?

Ku ka ligj? Kush të ka blerë ty me apartamentin, thuaju shqiptarëve?

Kush të ka blerë ty o peng i Edi Ramës, dhe do të dalësh ti.

Altin Dumani, thuaju shqiptarëve, kush të bleu ty me apartament, kush të mban peng me apartament?

Shqiptarë, pyesni veten, cili nga ju ka arritur të bëhet me rrogë shteti me tre apartamente, për të kuptuar se çfarë është pengu i Edi Ramës, Altin Dumani apo tjetri me vilë, apo tjetri…

Dhe që marrin 7 mijë euro rrogën. A mund të imagjinoni ju të paguhen kriminelët me taksat tuaja 7 mijë euro rrogën?

Ndaj miqtë e mi unë jam këtu për t’u zotuar se qeveria dhe programi i ardhshëm i PD do ketë ligjin e parë, çdo buxhet investimi kryesor tek njeriu, tek njeriu, tek njeriu.

Asnjë rrogë më e lartë se katërfishi i rrogës mesatare në Republikën e Shqipërisë.

Vidhni sa të mundni hajdutë, për hundësh do ua nxjerrim, kudo që t’i fshihni do ua gjejmë, qytetarëve do ua kthejmë.

A mundet në një republikë të vlerave, që një njeri të marrë sa 70 pensionistë?

A mundet në një republikë të ligjit, Kushtetutës, që një zyrtar të marrë sa rrogën mesatare të 10 zyrtarëve?

Këto marrin fund miqtë e mi. Rrogat, fondet do shkojnë për pensionet, që nuk do ketë më pension kurrë nën 200, ose do llogaritet mbi bazën e minimumit jetik prej 200 euro.

Nuk do ketë ndihmë ekonomike nën 200 euro.

Nuk do ketë pagesë papunësie nën 200 euro.

Nuk do ketë shqiptar që do marrë në muaj më pak se 200 euro.

Jo, jo, nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro.

Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro. Nuk do ketë rrogë maksimale më shumë se katërfishin e rrogës mesatare.

Do i japim fytyrën njerëzore republikës.

Do të bëjmë që taksat e tyre, e qytetarëve, e biznesmenëve të shndërrohen në mirësi të merituara plotësisht për qytetarët.

I pamëshirë, të pangopur, shpërndajnë çdo ditë, vjedhin pasurinë publike.

Të gjitha me aksioner Edi Ramën, këtë monstër që nuk ngopet kurrë.

Me një vendim me firmën e tij, i jep Turjan Hyskos, këtij gjeniu, 77 mijë metër katrorë tokë publike.

Turjan, mos e merr tokën se në mënyrë absolute po të paralajmëroj nga opozita, kurrë nuk do e gëzosh.

Nuk plotëson asnjë kriter përveç kriterit plaçkitës me Edi Ramën i pasurive publike të shqiptarëve.

Ty dhe të gjithë ata që kanë marrë tokën publike, tokën e pronarëve, do t’u dalë për hundësh, do t’u konfiskohet, do i rikthehet shteti, do i rikthehet pronarëve, do shitet për të rritur rrogat, do shitet për të rritur pensionet, do shitet për mirëqenien.

Ky buxhet është buxhet mjerimi.

A e dini ju miqtë e mi, se vetëm 2.6 përqind është lënë për fëmijët tanë në shkolla, për shkollat e fëmijëve tanë?

Ndërkohë për Lubi Ballukun 15 përqind, për lubinë që nuk ngopet, që ndan në 14 kontrata 13 km të unazës së Tiranës, për të vjedhur 14 herë, e shpërfytyruar nga çdo normë dhe standard.

Miq, të bashkohemi në këtë betejë të frymëzuar.

Të bashkohemi sepse ky regjim i kalbur nuk mund të rezistojë kurrë para bashkimit tonë, nuk mund të rezistojë kurrë para guximit tonë, nuk mund të rezistojë kurrë edhe miliardat e Xhorxh Sorosit, këtij monstre njerëzore të derdhen mbi të.

Ne do fitojmë.

Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë.

Fitore, fitore, fitore.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.