Zamira Cavo/ Një vend përparon nga dija, z. Kryeministër!

822
Teksa dëgjova z. Rama, kur artikulonte me forcë kritika breshëri ndaj Akademisë së Shkencave mendova se z. Rama po vinte më në fund në hullinë e kritikave publike që ka kohë, që adresohen jo vetëm ndaj Akademisë së Shkencave, por dhe arsimit në përgjithësi. Në shekullin që jetojmë sfidat qeverisëse janë lidhur, para së gjithash me burimet njerëzore, me aftësimin e tyre, me arsimin, me dijen në përgjithësi dhe kërkimin shkencor në veçanti. Çdo qeverisje e mirë e ka detyrimisht prioritet këtë fushë. Por kryeministri sot artikulon një varg kritikash, që në përmbajtje janë reale, por që në gojën e një kryeministri modern e socialist bashkë, tingëllojnë thjeshtë demagogji e pastër. Qeveria shqiptare, e kryesuar nga z. Rama, ka patur jo pak muaj në dispozicion,por plot tre vjet për ta vënë në rrugën e duhur dijen, shkencën dhe kërkimin shkencor. Ka patur kohën dhe mundësitë për ta vënë në “drejtimin e duhur” Akademinë e shkencave. Ndaj artikulimet e kritikave të variantit “edian” tingëllojnë cinike e plot mllef ndaj atyre njerëzve që merren me dijen, qoftë dhe jo fort në mënyrë të suksesshme. A është vërtetë e interesuar qeverisja Rama, për sistemimin, zhvillimin dhe përhapjen e dijes? Nëse ndjekim filozofinë e tij qeverisëse, duket se argumentet shkojnë në kahun negativ.

Së pari: Kryeministri e ka artikuluar që në vitin 2013 nevojën për një reformë serioze në Akademinë e Shkencave. Por duket se edhe sot pas tre vitesh vazhdon të artikulojë po këtë nevojë. Kjo dëshmon për një qasje krejtësisht indiferente të qeverisë ndaj këtij institucioni, i cili duhet vërtetë të kishte qenë në pararojë të hartimit të politikave qeverisëse. Por jo, asnjë lëvizje dhe asnjë vlerësim. Unë nuk di nëse kryeministri ka dijeni, se në Shqipëri funksionon edhe një Akademi tjetër e Shkencave, e krijuar nga studiues me emër që përpiqen të japin kontributin e tyre edhe jashtë “vëmendjes” së qeverisë. Dhe sot i “hakërrohet” Akademisë, duke e shënjestruar si një “shkaktare” të mungesës së listave për shkencëtarët apo studiuesit në diasporë! Unë nuk di, nëse shteti ka realisht të saktë sa është numri i të emigruarve në vende të ndryshme. Në 25 vite, shteti shqiptar është kujtuar për bijtë e tij në emigracion, vetëm për ata individë, emri i të cilëve është ngritur në piedestalin e shkencës, artit apo teknologjisë dhe në çdo rast është bërë vetëm për përfitime politike të rastit.

Së dyti: Shkenca nuk është pronë vetëm e Akademisë, por edhe e të gjithë institucioneve që merren me të. Pra janë me dhjetëra institute që veprojnë anembanë vendit e që me siguri qeveria nuk di nëse ekzistojnë, pale t’u ketë kërkuar ndonjë mendim. Po kështu veprojnë me dhjetëra universitete, që kanë padyshim bërthamat e tyre kërkimore, të cilat duke qenë fare jashtë vëmendjes së shtetit e duke qenë në “mëshirën” e parave që nuk gjenden pothuaj asnjëherë, shpenzojnë energji për të prodhuar “kërkime”, që nuk i duhen as dreqit, në vend që këto energji të kanalizohen në drejtim të fuqizimit të vendit. Çfarë ka bërë qeverisja për të gjithë këtë armatë njerëzish të shkencës? Sa ka vënë në eficencë punën e tyre? Sa i ka ndihmuar apo i ka vlerësuar? Është e lehtë të nxjerrësh konkluzione mbi kritikat që bëhen apo më krahasimet që bën z. Rama, por thelbi i problemit qëndron në politikën që një qeverisje bën ndaj shkencës dhe dijes. Është e lehtë të thuhet se universiteti ka degraduar dhe kjo është e vërtetë, por ama një qeverisje e mirë dhe largpamëse do duhej të analizonte shkaqet për të përmirësuar punën nga themeli dhe jo nga degët. Ligji i Arsimit, me të cilin qeveria mburret se ka bërë “atë që nuk është bërë në 20 vjet” rrezikon jo vetëm të mos sjellë asgjë pozitive në cilësinë e universiteteve, por të degradojë edhe më shumë punën në to. Në fund të fundit, Ligji i Arsimit të Lartë, nuk sjell asgjë të re në përmbajtje e punës në universitet, por edhe në anën menaxheriale po duket se do sjellë kaos dhe shkelje të kushtetutshmërisë.

Së treti: Dija është pronë e njerëzve dhe cilësi e qytetërimeve që dëshirojnë zhvillimin. Por si e ka vlerësuar dijen qeverisja Rama? Çfarë ka afruar në poste drejtuese të Administratës Publike? Në poste të larta drejtuesish në AP gjen militantë me bachelor apo vajza që përveç bukurisë dhe revistave që lidhen me to, nuk kanë lexuar asgjë në jetën e tyre. Sa ka afruar apo kërkuar ekspertizën e specialistëve të fushave? Sa respekt ka qeverisja për njerëzit e dijes, duket qartazi në mënyrën e shpërblimit, në mënyrën e vlerësimit. Për një skuadër futbolli u shpenzuan miliona (dhe unë them sërish mirë u bë), por për shkencën e teknologjinë nuk kujtohet askush. Madje vetë kryeministri tha “Mos prisni t’iu mbështesë qeveria me fonde”. Po me frymë nuk bëhet kërkimi shkencor, zoti Kryeministër! Ne vazhdojmë të themi se jemi vend i varfër, por ne e dimë mirë se nuk jemi të tillë. Të tillë na ka bërë politika. Nuk mund te quhemi të varfër, kur kemi pasuri, kur taksat dhe tatimet janë rritur dhe sipas kryeministrit është punuar shumë mirë me Tatimet dhe Doganat. Po atëherë? Ku shkojnë fondet? Sigurisht për Rilindjen Urbane! Po nëse kryeministri do kishte patur parasysh, qoftë edhe për një sekondë të vetëm, nevojën për zhvillim shkencor e për dije, sigurisht do kishte gjetur mundësinë të investonte edhe në këto fusha. Mbase z. kryeministër nuk e di që pedagogu, që kërkon të publikojë një libër apo ese të vetën, duhet të gjejë më parë financimet, të cilat do duhet t’i mbulojë nga shitja e librave, duke i marrë në krah e duke iu lutur librarëve për t’i mbajtur? Kërkimi shkencor është e duhet të jetë komplementar me qeverisjen në Shqipëri, pasi jemi vend i vogël dhe kemi nevoja të mëdha. Por çfarë bëri z. Kryeministër? U përpoq të tregonte dhe njëherë se është vetë “mbi çdo akademi, mbi çdo institucion” dhe mbi të gjitha është “i bindur” se në Shqipëri ka vetëm dështakë të shkencës, e kërkimit shkencor…
Së katërti: Të bësh ironi me plagët e vendit tënd, nuk është e moralshme. Të bësh ironi dhe të përbuzësh ata që mirë apo keq kanë mbajtur në këmbë institucionet edhe kjo nuk i shkon përshtat një kryeministri. Thuhet shpesh se në vend mungojnë specialistët. Ndoshta dhe mungojnë. Por jo për fajin e Akademisë, as të Universiteteve, por të politikave shtetërore. Nëse duhen specialistë, ata duhen paguar më parë! Se një elektricist nuk ka pse të bëjë këtë profesion, kur merr vetëm 300 mijë lekë (të vjetra) në muaj, ndërkohë që me këtë profesion në shtetin fqinj, Greqi apo Itali merr po kaq, vetëm në një ditë pune! Si mendoni që do çohet përpara dija, kur mësuesit me pagat që marrin janë (sipas katalogut të BE, njerëz të varfër)? Dhe sikur të mos mjaftonte kjo e ngarkoni mësuesin apo pedagogun me njëmijë “letra” burokratike, që duhet të mbushë për të qenë në “rregull me reformën”! Mund të kisha renditur edhe pika të tjera dhe mund t’i shtoja atyre pakënaqësinë e madhe që endet mes njerëzve të dijes, shkencës apo dhe thjeshte armatës së madhe të arsimtarëve, por respektoj lexuesin, i cili, është lodhur nga demagogjia, nga negativiteti dhe nga cinizmi i qeverisjes së “Rilindjes” dhe nuk dëshiron të lexojë dot gjatë.
Sigal