Xhevat Mustafa: Administrata e “reformuar” apo e radikalizuar…?

Ndryshe nga sa flitet nëpër radio-televizione, gazeta, tribuna veprimtarish partiake e qeveritare, administrata në Shqipëri, në të vërtetë apo de facto, ka qenë dhe është “tradicionalisht” partiake, e varur për kokash apo këmbësh nga SHEFAT, me ndjeshmëri të pakët njerëzore e me nivel të ulët aftësie dhe përgjegjshmërie profesionale e zyrtare!

Në podcastin e tij të rradhës, të datës 12 tetor 2024 kryeministri Edi Rama, në mungesë të kryeveprave në pikturë e të sukseseve dhe arritjeve të vërteta e të përjetueshme gjatë mbi 11 viteve të qeverisje-mbretërimit të tij, sidomos në fushat e ekonomisë, mirëqenies, arsimit, kulturës, luftës kundër korrupsionit, kriminalitetit, kanabizimit, demokratizimit, integrimit në BE…, u vetëmburr sikur me qenë grua para pasqyrës e jo burrë, “për rolin vendimtar dhe meritën e tij historike” për transformimin e administratës publike, qeveritare e shtetërore!? Këtë e bëri më 15 tetor 2024 edhe në Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri – BE e mbledhur sot në Luksenburg. Në këtë konferencë u miratua çelja e negociatave për grup kapitullin e parë me Shqipërinë që përfshin disa fusha thelbësore, si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik, si dhe reforma e administratës publike. Prandaj kjo konferncë përbën një ngjarje të shumëpritur dhe të gëzueshme, sidomos për shumicën e shqiptarëve. Në fjalimin e tij patetik kryeministri evidentoi dhe reklamoi “për t’i lënë pa mend e gojë” ata që e dëgjonin dhe e njohin Shqipërinë e sotme e të këtyre viteve, edhe më mirë se plot shqiptarë në Shqipëri e diasporë! Krahas të tjerave, e bojatisi administratën e tij para shumë shqiptarëve mbetur akoma në Shqipëri, thua se ata kanë ardhur nga një planet tjetër në gjithësi e nuk kanë lindur, janë rritur e po jetojnë në këtë vend, parajsë nga natyra e Zoti dhe prej 80 vitesh ferr nga qeverisjet e pushtetarët më të lartë!? Pra, që kanë qenë dhe janë ose “të përkëdhelur”, ose viktima të përditshme edhe të administratës allashqiptare, “tradicionalisht” partiake, me ndjeshmëri të pakët njerëzore e me përgjegjshmëri të ulët profesionale e zyrtare!
Duke e lënë kryeministrin mbi 11 vjeçar të ekstazohet nga kjo “fitorje” apo nga ky “revolucion” në administratë, me pak frute të ngrënshëm e të shijueshëm, me dëshirën e sinqertë si QYTETAR për ta ndihmuar që të mos vazhdojë ta shikojë Shqipërinë dhe administratën e tij “moderne” nga Luksemburgu, Brukseli, Surreli…, por me sytë e shumicës së popullit, nuk mund ta përmbashë vërsuljen drejt tij e në adresë të tij me një breshëri pyetjesh SHQIP dhe QYTETARISHT e jo edramisht!
Ku e shikoni dhe e gjeni, ti personalisht, zotëri kryeministër si dhe “kukullat” dhe “papagajt” që ke përreth, transformimin, modernizimin, efikasitetin e ndjeshëm apo çudi-injektues të administratës suaj? Tek rritja e pafre e korrupsionit, edhe nën hundën tuaj e të SPAK-ut e të ambasadorëve ndërkombëtarë që ju bëjnë fresk e bojatisje, që ka arritur këto vitet e fundit deri në mbushje dyshekësh e brendësi muresh me qindra mijëra euro, apo miliona lekë…,frute korrupsioni dhe trafiqesh të paligjshme shumëformëshe? Tek arrestimi e dënimi me akuzat për korrupsion, të faktuara e të zbutura nga vonesat e paramenduara në SPAK e leva të tjera të drejtësisë, me shtrirje në tre nivelet e piramidës qeveritare e në “të tre sekset”, pra, në nivelet zv.kryeministër, ministër, zv.ministër, drejtor të përgjithshëm, këshilltar, kryebashkiak…? Tek vonesa me javë, muaj, vite…e pritjes dhe zgjidhjes së problemeve nga qytetarët si dhe rëndimi i zarfave korruptivë për të përjetuar sa më shpejt këtë ditë rraskapitëse mendërisht, shpirtërisht, financiarisht, fizikisht…? Tek partishmëria dhe militantizmi rilindas i administratistëve në mbështetje të Rama- parti- qeverisë, individualisht e familjarisht, për çdo vendim e veprim, sidomos në betejat zgjedhore, për t’i dhuruar vetë sa më shumë vota e për të ndihmuar në fushatën, apo në aksionin me goditje të përqëndruar e të telekomanduar nga qendra në kryeministri e blerje- vjedhje votave? Tek rritja numerike e administratës publike, më shumë se dyfish në krahasim me 2013, aty rreth 200.000 vetë ose 1 zyrtar administrate në 12 banorë, kur popullsia e vendit është pakësuar me rreth 1 milion frymë, sidomos të moshave të reja e për punë, që kanë ikur si emigrantë nëpër vende të Perëndimit, më së shumti në Itali, Gjermani, Francë, Belgjikë, Holandë, Angli, Kanada, SHBA…? Tek mbushja e saj me diploma-blerës, me zyrtarë me nivele të ulta  profesionalizmi, intelektualizmi, përgjegjshmërie si dhe pastërtie ligjore…; me militantë partiakë, patronazhistë…!? Apo, me çuna e goca, nipa e mbesa, nuse e dhëndurë të nomenklaturës komuniste ose të asaj të sotme, socialisto-rilindase? Domethënë, të politikanëve, deputetëve, pushtetarëve, oligarkëve, “investitorëve strategjikë”…edramistë, pa u parë fort e me vëmendje, si të tjerëve jo të ngjyrës dhe zemrës partiake, diploma universitetesh a kolegjesh, mesatare notash, cv, kartela të shëndetit mendor nëpër spitale, dosje nëpër policira, gjykata, burgje…? Fare shkurt e SHQIP: pa u parë pastërti figurash e dosjesh si dhe vërtetësi profesionalizmi!
Për t’iu kujtuar kryeministrit, ministreshave dhe ministrave të tij se do të kenë ide më të saktë e bindje më të plotë për çka kanë bërë në të vërtetë në këta 11 vite për realitetin e Shqipërisë më 2024, pra edhe për reformimin rrënjësor, së pari në mendësi e praktika dhe për efikasitetin shumë më të lartë të administratës, bëjnë mirë që t’i largojnë sytë nga katet më të larta të pallateve të tyre e të “kullave të kanabizit” të “oligarkëve rilindas” apo të “investitorëve strategjikë” shqiptarë e të huaj dhe të ecin së bashku me shumicën e qytetarëve me paga e pensione minimale, nga 10.000-30.000 lekë nëpër rrugica, rrugë, trotuare, që edhe kur janë çifte më shumë flasin me vete se sa me njeri-tjetrin!? Apo të shikojnë dendësinë e lypësve si dhe të rrëmihësve nëpër koshat e plehrave. Nëse kanë kohe, do të merrnin informacione të bollshme për gjendjen e vërtetë të zyrave, punëve, problemeve, halleve…, shumë larg asaj që reklamojnë dhe lustrojnë televizionet dhe mediat e tjera proqeveritare, nëqoftëse do të futeshin nëpër shtëpitë e apartamentet, pjesa më e madhe 1 plus 1 dhe 2 plus 1…, të atyre që mund të quhen dhe klasifikohen si varfanjakë e që u ziejnë mendt sa herë u vjen koha për të shtruar çdo vakt…e për të shkuar të nesërmen në një zyrë e spital shteti!

Sigal