Xhemil Omari/ Padrejtësitë ndaj familjes Omari

878
Unë Xhemil Omari, bëj me dije opinionin publik, KLD si dhe Ministrin e Drejtësisë se në datën 12.7.2016, gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi gjyqësor të tejzgjatur, shpalli një vendim të paarsyetuar, krejtësisht të padrejtë dhe në shpërdorim të detyrës, vetëm 5 minuta pasi palët paraqitën konkluzionet përfundimtare. Ky vendim është një turp i drejtësisë shqiptare, pasi në dosjen gjyqësore ndodhen të gjitha provat që vërtetojnë katërcipërisht se padia e ngritur ndaj mua, Xhemil Omarit ishte krejtësisht e pambështetur në ligj dhe e rrëzueshme nga provat që janë paraqitur përpara gjykatës. Me dy fjalë gjykatësja R. M. ka pranuar padinë e paraqitur ndaj Xhemil Omarit, që e detyron atë dhe vajzën e tij të paguajnë shumën prej 18 000 euro dhe 8100 USD, si një përfitim pasuror pa të drejtë që ka ndodhur vite më parë sipas akuzës.

 Shumat i përkasin, sipas padisë, vëllait të Xhemilit, Beqir Omari i cili ka ndërruar jetë në mars 2012 dhe sa ka qenë gjallë ka pasur mirëkuptim të plotë me vëllain e tij dhe asnjë problem financiar mes tyre. Padinë e ngre në 2015 bashkëshortja e fundit e Beqirit, e cila me një testament të dyshimtë marrë në ditët e fundit të jetës së Beqirit kur ishte i sëmurë rëndë nga një sëmundje e pashërueshme, bën të pavlefshëm testamentin e bërë më para nga Beqiri për vajzën e tij biologjike nga martesa e parë. Gjatë gjykimit me prova të pakundërshtueshme u provua se shumat e pretenduara ishin marrë rregullisht nga Beqiri nëpërmjet baxhanakut të tij të pajisur me prokurë të posaçme nga Beqiri, pasi ky prej shumë vitesh jetonte në SHBA. Përveç sa më sipër nga ana jonë u ngrit edhe pretendimi se kjo padi, sipas nenit 115, germa dh. të Kodit Civil ishte një padi që parashkruhej në afatin kohor të tre vjetëve (padi begatimi pa shkak). 

Mirëpo gjykatësja më sipër pa dhënë asnjë argument pranoi padinë dhe kërcënoi avokatin se do e gjobiste nëse ai do të vazhdonte protestën e tij pas dhënies së vendimit. Avokati i njohur Përparim Rama, i pyetur rreth këtij rasti tha ndër të tjera se “ushtroj detyrën e avokatit prej një kohe relativisht të gjatë. Kam pasur mundësinë të ballafaqohem me vendime në shumicën e rasteve të drejta por dhe të padrejta. Në asnjë rast nuk jam ankuar as verbalisht dhe as me letra ndaj atyre vendimeve që në opinionin tim kanë qenë të padrejta. Mirëpo vendimi më sipër është aq i padrejtë sa i thotë të bardhës e zezë. Kam bindjen se dy janë arsyet e mundshme për dhënien e këtij vendimi. Ose kjo gjyqtare është e korruptuar ose është krejtësisht e paaftë. Me fjalën e korruptuar nuk nënkuptoj vetëm marrje e parave por dhe trafikun e influencave që ka ndikuar vendimin. Nuk i besoj shumë faktit për paaftësinë e gjyqtares sepse edhe një qytetar normal i këtij vendi, pa diplomë juridiku në xhep, nuk do ta kishte dhënë kurrë këtë vendim. Deklaroj se kurrë më në këto vite të fundit që do të ushtroj detyrën e avokatit nuk do pranoj të paraqitem në seanca gjyqësore të drejtuar nga kjo gjyqtare. Kërkoj nga institucionet e këtij shteti që monitorojnë gjyqësorin shqiptar që të nisin procedurën e verifikimit të dosjes gjyqësore më sipër”.
Sigal