Xhelal Mziu: Kamza është bashkia e vetme që përfaqëson Shqipërinë në këtë projekt

778
Sigal

Bashkia e Kamzëz organizon: “Java Evropiane për Demokracinë Vendore” në Kamëz

Bashkia Kamëz nisi dje veprimtaritë në kuadër të “Javës Evropiane për Demokracinë Vendore”, me dëgjesën publike me qytetarët për buxhetimin me pjesëmarrje, ku mori pjesë përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së, z. Alessandro Angius; drejtuesja e projektit “Bashkitë për në Evropë”, Jolanda Trebicka. Kjo javë, e kthyer në traditë prej vitesh në Kamëz, është një veprimtari që zhvillohet në kuadër të programit “Bashkitë për në Evropë”. “Java Evropiane për Demokracinë Vendore” organizohet në çdo vit, në kujtesë të nënshkrimit të “Kartës Evropiane për Autonomi Vendore” më datë 15 tetor 1985, si dhe me rekomandim të Kongresit të Autoriteteve Vendore bazuar në Rezolutën 238 (2007) – Propozim për Javën e Demokracisë Vendore.

Alessandro Amgius përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri: Sfida e bashkisë është që të kthejnë shifrat në gjëra reale

Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Alessandro Amgius, falënderoi kryebashkiakun Mziu për organizimin e “Javës Evropiane të Demokracisë Lokale” dhe për ftesën për të marrë pjesë në këto veprimtari, duke u shprehur se ishte shumë i lumtur që ndodhej në Kamëz. Ndër të tjera ai pohoi se ky takim kishte shumë rëndësi për të, si dhe për institucionet e BE-së, sepse është i lidhur jo vetëm me informacionin dhe transparencën, por veçanërisht me buxhetin dhe sfida e autoriteteve është që të kthejnë shifrat në gjëra reale, të prekshme për publikun.

Kryebashkiaku Xhelal Mziu: 60% e buxhetit është përdorur për investimet

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, u shpreh se kjo javë tashmë është kthyer në traditë, e mundësuar falë bashkëpunimit dhe partneritetit të Bashkisë Kamëz me institucionet e Bashkimit Evropian dhe binjakëzimeve me qytete evropiane. Kjo javë do të jetë një impuls më shumë për Bashkinë Kamëz, e cila është një ndër 12 bashkitë evropiane, 12 qytetet yje (12 Star City) të Bashkimit Evropian e publikuar kjo edhe në faqen zyrtare përkatëse të BE-së, ku Kamza është bashkia e vetme që përfaqëson Shqipërinë në këtë projekt dhe përbën një vlerë të shtuar për qytetin dhe Bashkinë e Kamzës. Gjej rastin për të falënderuar përzemërsisht përfaqësuesin e Delegacionit të BE-së, z. Alesssandro Anigus, për pjesëmarrjen në këtë takim. Në fakt, kjo është një traditë tashmë e Kamzës në vite. Mund të jetë viti i shtatë apo i tetë që ne bëjmë organizime të tilla, të Javës Evropiane. Java Evropiane për ne është kthyer tashmë në një ritual dhe një festë, do ta konsideroja, por edhe në krijimin e standardeve të mëtejshme. Java Evropiane është e harmonizuar më së miri midis shtresave të caktuara të popullsisë, duke filluar që te të rinjtë dhe gjatë çdo viti që ne kemi organizuar kemi të bëjmë me parlamentin rinor. Së dyti, duke organizuar takime të tjera me komunitetin, të cilët kanë të bëjnë me çështjet që janë thelbësore për zhvillimin e këtij qyteti. Dua të them që Kamza është një qytet shumë i ri dhe nuk është se ka pasur ndonjë standard, të cilin ne mund ta merrnim si referencë dhe ndoshta ky ka qenë një angazhim maksimal i të gjitha resurseve që ka sot Kamza për ta bërë bashkëkohor, për të qenë në standardet e qyteteve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Mziu: Binjakëzimet instrument mjaft i rëndësishëm për të marrë eksperienca

Binjakëzimet ne nuk i kemi përdorur për vizita thjesht kortezie, por binjakëzimet i kemi përdorur si një instrument mjaft i rëndësishëm për të marrë eksperienca dhe për të shkëmbyer, po themi, ato gjëra që janë të implementueshme për ne. Kemi përfituar nga këto binjakëzime jo vetëm në aspektin profesional. Por kemi pasur edhe përfitime, për shkak të këtyre binjakëzimeve. Ne sot kemi One Stop Shop-in në Bashki, i cili që nga viti 2009 ka më shumë sesa 35 sportele dhe është One Stop Shop-i më i madh akoma në Shqipëri, pavarësisht se kanë kaluar nëntë vite dhe që shërben si një standard për bashkitë e tjera. Gjej rastin për të thënë këtu që kemi përfituar edhe Shkollën Profesionale, e cila është ndër shkollat më të mira në Shqipëri, që i ka kushtuar jo pak buxhetit të Komisionit Evropian, por më shumë sesa 1.2 milionë euro dhe ky financim ka ardhur vetëm për një arsye: për shkak të partneritetit, duke qenë një partner i besueshëm për të tjerët.

Mziu: Buxheti me pjesëmarrje është çelësi i suksesit për  Bashkinë e Kamzës

Javën Evropiane ne e kemi shfrytëzuar më së miri. Në fakt, buxheti me pjesëmarrje është çelësi i suksesit të cilin e ka pasur Bashkia e Kamzës dhe buxheti me pjesëmarrje edhe për shkak të partneritetit që ne kemi pasur dhe jo pak rol në këtë luajtur edhe Jolanda apo të tjerë për shkak të projekteve që ne kemi pasur. Po të shohësh, në të gjitha buxhetet që ne kemi kaluar, në të gjithë eksperiencën time 11-vjeçare, pothuajse janë miratuar me 100% të Këshillit Bashkiak, pavarësisht se Këshilli Bashkiak është pluralist, sepse nuk ka pasur opinione apo qëndrime të kundërta, sepse është bërë maksimumi i mundshëm, jo vetëm në paketën fiskale, por ajo çfarë është më kryesorja, në shpërndarjen e investimeve apo në bërjen e buxhetit social apo për shtresat në nevojë. Sot e 11 vite, në Bashkinë  e Kamzës, më shumë sesa 60% e buxhetit të Bashkisë shkon për investime, shkon për rrugë, shkon për kanalizime, shkon për gjelbërimin e qytetit, për ndriçimin e qytetit dhe ky është një sukses i cili është i pakonkurrueshëm nga bashkitë e tjera. Asnjë nga 61 bashkitë sot nuk ka një shifër të tillë, që të ketë 60% të buxhetit social dhe një gjë tjetër që tregon angazhimin maksimal është që në certifikimin financiar apo menaxhimin që u bë për 61 bashkitë, ju besoj që jeni në dijeni, që Bashkia e Kamzës zuri vendin e parë në menaxhimin financiar të saj për vitin 2017. Jemi ndër 12 qytetet evropiane, jemi edhe në faqen zyrtare të Komisionit Evropian dhe besoj që është një vlerë e shtuar, pse jo, edhe për bashkitë e tjera të Shqipërisë, që Kamza përfaqëson denjësisht edhe qytetet e tjera të Shqipërisë dhe futet ndër 12 qytetet evropiane.