Xheladin Çelmeta/ Kush e harroi legjendarin Resul Bedo?

550
Në listën e veteranëve të LANÇ, që u dekoruan në kuadër të 9 Majit, 70 vjetorit të Fitores mbi Nazifashizmin, gjithsej 24 vetë, ish partizanë, nuk ishte emri i veteranit 89 vjeçar, shkrimtari Resul Bedo. Le ta them pa rezerva që në fillim: Nga ky fakt, unë personalisht jam krejt i habitur! Nuk mundem ta shpjegoj dot, se si mund të mungonte emri i njeriut të vetëm që njihet nga të gjithë shqiptarët e brezit tim, si “biografi i 28 mijë dëshmorëve të Shqipërisë”. Të më ndjejë lexuesi, por jam i detyruar të shpreh gjëra që ndoshta janë thënë e rithënë në shkrime të mëparshme për këtë veteran të nderuar. Resul Bedo është autori realizues i kolanës “Yje të pashuar”, në disa vëllime. Po të ishte vetëm kaq “bëma” e tij, ndoshta mund të gjenim ndonjë justifikim me argumentin se “hë mo, se mos vetëm ai shkroi për dëshmorët; ka plot shkrimtarë të tjerë shqiptarë që kanë bërë po të njëjtën gjë!”. Në fakt, këtu nuk është fjala se s’po vlerësojmë krijimtarinë e bukur për LANÇ nga të tjerë autorë shqiptarë si; shkrimtari e poeti ynë i madh Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Dhimitër Shuteriqi, Dhori Qiriazi, etj, etj. Por krijimtaria e Resul Bedos ishte dhe është e veçantë në llojin e vet për dëshmorët. Ai bëri jo vetëm krijimtari sasiore për ta, gjithsej 113 libra, mes të cilëve; romane, novela, vëllime me tregime, por edhe skedoi emër për emër dëshmorët e Atdheut, duke iu bashkangjitur atyre fotografitë përkatëse tok me jetëshkrimin, vendin dhe datën ekzakte kur ata dhanë jetën për lirinë e Atdheut. Pa përjashtim, në të gjitha faqet e kësaj krijimtarie brilante të Resul Bedos, faqe më faqe, krijimtaria e tij është ekskluzivisht për dëshmorët. Shpirti i këtij autori ka saktësuar në mënyrë të përpiktë të gjitha rrethanat e rënies së dëshmorëve, atje në fushën e nderit, ku plumbi armik merrte jetë 14-15 vjeçarësh, partizanë e partizane. Pikërisht për këtë veçori krijimtarie të tij, unë do ta quaja veprën letrare të Resul Bedos si “Mega-book”-un e parë shqiptar për Dëshmorët e Kombit shqiptar. Atë që nuk e bënë institucionet e shtetit dikur, e bëri krejt i vetëm shkrimtari Resul Bedo. “Yjet e pashuar” është shkruar, përmbledhur dhe botuar në saje të punës së palodhur të një njeriu të vetëm. Është një meritë e madhe kjo, që askush nuk ka të drejtë ta anashkalojë sot. E kush nuk ka dëshirë që të ketë në bibliotekën e tij të gjitha vëllimet e çmuar me kapakun jeshil të “Yje të pashuar”? Se gjithë ajo saktësi, gjithë ai detajim faktesh, për mënyrat se si, dhe se ku ranë dëshmorët e Shqipërisë gjatë LANÇ, për mua, por dhe për cilindo njeri të fushës së letrave, mund të jetë e krahasueshme vetëm me memorien e një kompjuteri. E, po atëherë kur u shkruan vëllimet e “Yje të pashuar”, kompjuteri ende nuk ekzistonte. Kjo, pra është meritë ekskluzive vetëm e Resul Bedos. Ky shkrimtar, ka bërë gazetarin e luftës, me pushkën në krah dhe me bllokun e ditarit partizan në xhep. E gjithë jeta e tij, në 89 vite, por dhe në vitet që ai ka përpara, kam bindjen se nuk do të ndryshojë. Nuk do të ndryshojë, se ai ende vazhdon të shkruajë pa ndërprerje për të rënët. Këtë e dëshmon qartë libri më i fundit i tij “Ballëndriturit”, të cilin ai e ka dhuruar falas për shokët e tij, për bibliotekat e Tiranës, etj. Kjo prodhimtari, pra, nuk është gjë tjetër, veçse një përkushtim gjeneroz për dëshmorët e Atdheut. Resul Bedo shkroi si Pavël Korçagini, personazh i famshëm i Nikolla Ostrovskit, që simbolizon shkrimtarin e palodhur për luftëtarët e qëndresës heroike. Pyeta shumë veteranë këto ditë, se si ka mundësi, që të jetë shmangur kështu nga dekorimet e 9 Majit, një figurë e tillë e LANÇ, si Resul Bedo?!. Dhe mora përgjigje nga më të ndryshmet. Që nga ato, që ashtu si unë ngrinin supet “pa hë pra, përse kështu?”, e deri tek përgjigjet e llojit të “cic-mic”-eve: Se medemek, para shumë vitesh, Resul Bedo, në kohën kur sapo ishte krijuar shoqata e familjeve të dëshmorëve, na paska shkuar një herë tek ish Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha(!!). Dhe e vërteta, siç informohem nga burime të sigurta, paska qenë tamam kështu: Shkrimtari e veterani i përgjegjshëm për misionin e tij në jetë Resul Bedo, paska shkuar vërtetë për të marrë një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë në atë kohë, në kuadër të forcimit të kësaj shoqate, si dhe në kuadër të kujdesit që duhej treguar në vijimësi për simbolet e LANÇ, për çuarjen përpara të mesazheve të shenjta të veprës së pavdekshme të dëshmorëve të Atdheut, etj, etj. Vallë, ku qëndroka “e keqja” këtu?! Pyes veten: Ky na paska qenë “mëkati” që paska bërë Resul Bedo?! Turp, vërtetë turp, nëse një logjikë e tillë mjerane të ketë ndikuar në një rast si ky i dekorimeve të veteranëve të LANÇ, për këtë 9 Maj 2015, që shënon 70 Vjetorin e Fitores Botërore mbi Nazi-fashizmin. 
Çuditërisht, më qëlloi që edhe në Elbasan, të konstatoja po ashtu një koncept gati analog. Sami Domni, një “Mësues i merituar” në pension, mbi të tetëdhjetat, në rrethe të ngushta thashethemesh, u përflitka se “qenka demokrat”(!). Veterani dhe mësuesi i nderuar, eruditi i shkëlqyer profesor Domni, autor i disa studimeve historike me mjaft vlera për dëshmorët e atdheut; është ndërkohë edhe realizuesi i muzeut për të rënët në një gjimnaz me emër të këtij qyteti. Një figurë e shkëlqyer e arsimit shqiptar, që edhe pse në moshë të thyer, edhe pse në pension, del çdo ditë nga shtëpia dhe shkon të takojë nxënësit elbasanas. Iu mëkon atyre dashurinë për Atdheun, respektin për LANÇ, për të rënët dhe për historinë tonë kombëtare. Po ashtu, plotëson përditë muzeun e këtij gjimnazi me detaje te reja të historisë së Elbasanit, por dhe të Shqipërisë. Tre vjet më parë, kur mori përsipër detyrën e realizuesit të muzeut të dëshmorëve të Elbasanit tha prerë: “Dëshmorët dhe heronjtë, janë mbi gjithçka; mbi partitë politike, mbi bindjet partiake. Ata janë lavdia e përjetshme e Kombit; për ta unë do të punoj deri në frymën e fundit…”.
Por le të kthehemi sërish tek rasti i parë, për dekorimet: Kush e harroi veteranin e nderuar Resul Bedo? Kush e shmangu nga lista e të dekoruarve të këtij 9 Maji, biografin e shquar të 28 mijë dëshmorëve të Shqipërisë? Ç’është kjo indiferencë e pakuptimtë e komunitetit të veteranëve shqiptarë për partizanin dhe gazetarin e parë të revistës “Flaka” të kohës së lavdishme të luftës heroike? Kush nuk u interesoka më, për reporterin e djeshëm të luftës, që ndërkohë; edhe shkrepte pushkë kundër okupatorit nazifashist; edhe shkruante kronikat për shokët e rënë në llogore? Dhe në torbën e fishekëve, fletët e ditarit i përskuqeshin nga gjaku i shokëve të vrarë, kur ky iu gjendej pranë? Kush e harroi Resul Bedon, shkrimtarin dhe oficerin e llogores së qëndresës heroike të provokacioneve greke të gushtit 1949?!: Organizata Kombëtare për Veteranët e LANÇ?! Apo Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut? Apo Organizata Kombëtare e Invalidëve të LANÇ?! E harroi Qeveria, e cila ka një protokoll të posaçëm për veteranët e luftës? Apo e harroi shteti, i cili duhet të kujdeset njëkohësisht për të gjitha; edhe për protokollin zyrtar; edhe për mirëmbajtjen e simboleve; edhe për varrezat e dëshmorëve të Atdheut? …Po, po… Të gjithë nga pak, fatkeqësisht e harruan Resul Bedon. Kjo duket fare e vërtetë tani. E duke vepruar kështu, ndoshta padashur, ne kemi harruar dhe po ashtu kemi filluar të humbasim gradualisht pjesëza të shtrenjta vlerash të materies së asaj lufte të lavdishme partizane, siç është vetë rasti i veteranit të nderuar që po flasim. Se Resul Bedo ishte një luftëtar legjendar i kësaj lufte, si shumë veteranë të tjerë të nderuar shqiptarë që i pamë këto ditë të vlerësohen nga komisioni për 70 Vjetorin e Fitores kundër Nazifashizmit. Se edhe veterani e shkrimtari Resul Bedo i Shqipërisë, ishte një ndër miliona ushtarë antifashistë të Botës që luftuan me armë në dorë për lirinë, secili për vendin e vet dhe të gjithë bashkë, në kuadër të Koalicionit të madh sovjeto-amerikano-britanik, ku vendi ynë u rreshtua me dinjitet. 
Kryeredaktor i revistës “Pavdeksia”
Sigal