Xhafer XHOXHAJ/ Into-Saint dhe auditimi publik

1359
Sigal

*Drejtor Departamenti në KLSH 

 Analizat vjetore janë moment reflektimi për institucionet shtetërore. Si qytetarë, na kanë tërhequr vëmendjen ato të Ministrisë së Brendshme, apo të Energjetikës, ku reforma ka hedhur “dorashkën” e saj. Por kur këtë ushtrim vjetor e bën një institucion i veçantë, me status për të kontrolluar se si grumbullohen 3 miliardë euro të ardhura në Buxhetin e Shtetit dhe si shpenzohen 3.4 miliardë euro në programe qeveritare, që zbulon dëm ekonomik të nivelit 80-90 milionë euro, atëherë analiza merr një ngjyrim të veçantë. Risia kulmore e analizës së performancës së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin e kaluar ishte shikimi i kontrolleve të kryera, në frymën e kërkesave të integritetit dhe Programit të Vetëvlerësimit “Into-SAINT” të Gjykatës Holandeze të Auditimit. Ky program është njohur dhe pranuar nga organizata botërore e auditimit suprem publik, INTOSAI, si pasqyra ku duhet të shikohen institucionet e këtij statusi të veçantë. Është sikur këto institucione, KLSH-të e të gjithë botës (janë 191 të tilla në INTOSAI), të ishin një vëllazëri me rregulla shumë strikte morali dhe integriteti. Auditimi i integritetit, si për institucionin suprem të auditimit, ashtu dhe për institucionet që ai kontrollon, është një sfidë e rëndësishme dhe thelbësore. Integriteti nuk është një koncept i thjeshtë për t’u përcaktuar. Shumë përkufizime mbivendosen dhe përcaktime të dallueshme përdoren. Integriteti i referohet virtytit, moskorruptimit dhe gjendjes së të qenit i papërlyer. Kontrolli, auditimi i tij, është një sfidë e veçantë por thelbësore për një institucion publik, nëse do të jetë pronë e qytetarëve dhe jo çiflig i drejtorëve të radhës. Kontrolli i Lartë i Shtetit u njoh me programin Into-Saint në vitin 2012 dhe vendosi zbatimin e tij. Periudha deri në fund të vitit 2013 ishte periudhë e njohjes më të thelluar të Programit dhe e vlerave të tij. Institucioni është i ndërgjegjshëm për problematikat e integritetit në radhët e kontrollorëve, audituesve të tij dhe se i ngelet shumë punë për të realizuar integritetin e plotë në institucion. Gjatë tre viteve 2012-2014, KLSH ka synuar një ekuilibër mes parandalimit të shkeljeve, marrjes së masave ndëshkimore nga njëra anë dhe inkurajimit të vlerave të integritetit tek kontrollorët e vet, nga ana tjetër. Në këtë institucion është çrrënjosur praktika e mos ndëshkueshmërisë, gjë që e gjen rrallë në institucione të tjera shtetërore. Për çdo shkelje të integritetit, të zbuluar dhe hetuar, janë ndërmarrë masa ndëshkimore deri në ndjekje penale për ish-kontrollor. Kjo praktikë është ndjekur rigorozisht, pasi mos ndëshkueshmëria sjell dëme të pariparueshme për institucionin, humbjen e kredibilitetit në përgjithësi dhe të besimit të publikut në veçanti. Nëse një shkelje e integritetit kalon pa u ndëshkuar, kjo sjell automatikisht demotivimin e anëtarëve të tjerë me moral të shëndetshëm të stafit. Në vitin 2012, nga ankesat e dërguara nga qytetarët, KLSH ka kallëzuar penalisht dy punonjës të tij. Gjatë vitit 2013, institucioni ka kallëzuar në Prokurori 4 kontrollorë të tij, të akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, si dhe ka larguar nga institucioni një numër kontrollorësh/audituesish të gjetur në shkelje të integritetit. Për vitin 2014, KLSH ka larguar nga puna 4 auditues për çështje të integritetit. Një mjedis të tillë antibiotik ndaj abuzimit dhe korrupsionit brenda në institucion, lypset ta kenë të gjitha institucionet shtetërore të rëndësishme, nga ministritë deri te drejtori qendrore, bashki dhe ndërmarrje publike në formën e shoqërive aksionere, ku luhen me dhjetëra miliona euro dhe ku nga shkeljet e abuzimet dëmi ekonomik është po ashtu në nivele miliona euro. KLSH po mendon ta shtrijë programin Into-Saint në praktikën e vetëkontrollit dhe vetëvlerësimit të institucioneve që ai auditon, pasi të ketë kryer një vlerësim mes kolegësh (në anglisht “peer review”) me një KLSH evropiane gjatë këtij viti. Sfida është hedhur dhe ajo doli më e qartë në analizën vjetore të institucionit, të zhvilluar në fund të janarit. Kjo risi duhet mirëfilli të shërbejë si pasqyrë vetëvlerësimi për çdo institucion shtetëror që e ka seriozisht me luftën kundër korrupsionit. Pastrimi fillon nga vetja, për ta kërkuar pastaj atë tek të tjerët.