Vjosa, lumi, politika dhe pasqyra

385
Sigal

Vizita e Presidentes në detyrë të Republikës së Kosovës është një ngjarje e cila kishte gjithë vëmendjen e publikut dhe të medias për shkak të situatës politike në Kosovë. Fjalimi i saj në Kuvendin e Shqipërisë dhe takimi i ftohtë me Kryeministrin Rama mund të veçohen dhe kërkojnë një analizë. Vjosa Osmani dhe lumi Vjosa kanè disa cilësi të përbashkëta: ndodhen në një terren të vështirë dhe po përpiqen të mbijetojnë në ambientin konjuktural politik shqiptar. Kurse për Ramën, Vjosa është pasqyra ku mund të shikojë deformimin e tij moral, etik dhe politik.

Lumi Vjosë u tentua të përdorej për ndërtimin e HEC-ve, por qëndresa e shumë organizatave mjedisore të huaja dhe shqiptare, së bashku me disa institucione shqiptare e ndalën ndërtimin e tyre në shtratin e lumit. Vjosa politikane erdhi si lumë në ambientin politik në Kosovë, duke qenë një politikane koherente në qëndrime dhe arriti të ishte nga më të votuarat në zgjedhjet e fundit. E larguar nga partia e saj pas prishjes së koalicionit me LVV-në sepse refuzoi një pazar politik që nuk respektonte vullnetin e qytetarëve. Vjosa duket model atipik, po të krahasohet me shumë prej politikanëve nē trevat shqiptare.

Rama është antipodi. Ndaj duket se refuzoi qëndrimin në parlament, duke thyer edhe një protokoll qeveritar, kurse takimi në kryeministri ishte thjesht një formalitet. Vjosa tregoi se nuk e dërgon ujin në hullinë e Ramës, i cili ka dëshmuar se qëndrimet ndaj Kosovës i ka pasur thuajse të gjitha për tu kritikuar. Pasqyra Vjosa e tregon thuajse qartë shtrembërimin e Kryeministrit tonë në shumë aspekte, aq sa më mirë të mos i qendrojë përballë. Vjosa nuk di pazare, as oligarkë, as këmbime territoresh, as miqësira me njerëz të botës së krimit, as makiazh apo dridhje beli politike. Ndaj më mirë larg pasqyrës Vjosa!

Nga Gentian Çala