Vangjush Saro/ Fjalë për një takim Rama-Basha

599
Sigal

Politikanët shqiptarë kanë qenë dhe mbeten shumë konfuzë sa i takon rolit të institucionit të opozitës në një vend demokratik. Aktualisht, në një mjedis të rënduar politik, si shpesh herë në këto 22 vjet tranzicion, ende po mungon një takim midis përfaqësuesve të pushtetit që posa ka filluar të ushtrojë mandatin e vet dhe atyre të opozitës. E vendosur në emra, Edi Rama dhe Lulzim Basha, si drejtuesit e dy formacioneve kryesore, jo për të shkuar radhën, jo për spektakël, por për të biseduar tema serioze, duhet të takohen, mbase edhe me ekipe. Kryeministri ka zhvilluar një sërë takime jashtë vendit; mirë e bën, nuk se ka folur keq apo ka pozuar (së paku deri më tani). Por ai, ende nuk ka zhvilluar takimin më të rëndësishëm (brenda vendit) atë me drejtuesin, drejtuesit e opozitës. Madje, nuk ka gjer më sot asnjë shenjë që po piketohet(!) një gjë e tillë, çka do të thotë se absurdi i mosbashkëpunimit pozitë-opozitë mund të vijojë edhe më tej. Për fat të keq. Në traditën më të papranueshme të këtyre 22 vjetëve.

Arsyet pse jemi në këtë absurd janë disa. Më së pari, nuk është në traditën e politikanëve shqiptarë të bisedojnë dhe kjo vjen që nga kohë të largëta, sado e pavend duket ta themi. Me hope janë mbledhur dhe kanë folur me njëri-tjetrin shqiptarët në mote. Më vjen keq të citoj një publiciste e vëzhguese të hershme, Meri Uorthi Montegu, e cila thoshte (që në shek. 18) se shqiptarët “nuk janë stërvitur për diskutime”. Provat për këtë, nuk kanë të numëruar gjer më sot. Gjer në këto ditë…Pyetja është: Si do ta thyejmë këtë “rregull” të pashkruar, por të fetishizuar nga të gjithë, kohë pas kohe, opozitë pas opozite? Sipas mendimit tim, kryeministri Edi Rama duhet të tregojë largpamësi në zëvendësimet e punonjësve të administratës. Ai dhe ministrat e tij nuk duhet të “ngatërrohen” me ata të cilët kanë CV-në e duhur dhe janë në vendin e duhur; sidomos me njerëz “teknikë” dhe për arsimimin e të cilëve ka pasur një përkujdeseje nga partnerët dhe organizma perëndimore. (Natyrisht, diplomat e marra drejtpërsëdrejti nga dëftesa të shkollës tetëvjeçare, të tilla ka me okë, duhet të gjejnë vendin.) Po ashtu, drejtuesit e pozitës duhet të tregojnë me fakte se e respektojnë mendimin e “teknikëve” kundërshtarë, me të cilët fundja do të kenë mjaft dialog e punë në Kuvend; duhet t’iu lënë atyre hapësirën e duhur për ndihmesë dhe afirmim.

E thënë me fjalë të tjera, pozita duhet të kontrollojë me kujdes në termin revanshizëm. Nuk duhet të përsëriten historitë e shkollës së shkuar politike. Dikush duhet ta harrojw i pari revanshizmin. Megjithatë, po bie dy episode për të treguar se heqja e të rastësishmëve nga administrata, nuk mund të jetë tabu. (Këtë duhet ta kuptojë edhe opozita.) Një miku im, pedagog në një universitet privat, më tregonte se si gjatë provimit, kishte parë një student, të shtyrë në moshë, që po shkruante me shkronja kapitale, krejt tekstin…Në një nga institucionet ku kam punuar, ishte një grua e cila nuk dinte as të shkruante (por bënte gazetaren) dhe as të sillej (por ishte nëpunëse). I vëllai qe diku shef komisariati. Ajo shkoi më pas në Kryeministri, në një hallkë shumë të rëndësishme. Këto nuk mund të tolerohen, le të bërtasë z. Basha me sa të ketë në kokë. Jo. Administratës i duhen teknikë të aftë.

Më tej, opozita nuk mund të mbetet si deri më sot në blla-blla-blla, që prodhojnë më së shumti humor. (Ua kemi bërë gati integrimin…Etj. Formula qesharake.) Ca më pak, të flasë për thika e kallashë…Po. Në opozitë, po shfaqen maksima revolucionare dhe ekstremiste. Rruga e kundërshtimit për kundërshtim, e braktisjes së Kuvendit, si dhe ajo e “mobilizimit” të njerëzve të pakënaqur, të treja vizatojnë njëlloj “bombe” që mund t’i plasë në dorë kryetarit të opozitës, duke e risjellë atë në sytë e aleatëve dhe publikut të gjerë si një revolucionar apo dhunë-ushtrues, “profesione” të pasigurta dhe që mjaft i kemi vuajtur deri më sot. Mbase mund të jem i gabuar, por besoj se kjo “shkollë” e vjetër, me gjithë kontingjentet e veta, për fat të keq, është mjaft aktive ende. Të përthyera në emra, ato – kontingjentet e politikës së vjetër, që janë pengesë pa një pa dy për realizimin e takimit në fjalë (dhe jo vetëm) – janë disa. Po kush merret…

Tani, sot, i rëndësishëm është akti i bisedimit. Koha ka ardhur që drejtuesit e sotëm të partive kryesore t’i vënë gishtin kokës dhe të rizgjedhin sa i takon modeleve të përparuara që mund t’i udhëheqin në praktikën e tyre aktuale. Një takim mes liderëve të forcave kryesore politike, të kahjeve të pushtetit, atij në mandat dhe atij në opozitë, mund të shënonte një epokë tjetër në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Përveç përcaktimit të raportit dhe bashkëpunimit politik mes palëve, si dhe të ndryshimeve në administratë, në këtë takim mund të kishte një pleqnim edhe të problemeve ekonomike apo të spektrit të ndryshimeve qytetare në shoqërinë shqiptare; (pse jo, edhe në politikë). Më vonë, mund të jetë vonë…

Një fjalë e urtë popullore thotë: “Mjerë peshkatari që ka frikë nga lumi”. Zotërinjtë e thirrur në këtë takim, duhet të lënë pas frymëzimet ideologjike dhe praktikat neokomuniste. Nuk është i pamundur një takim mes kolegësh të politikës. Nuk është tabu. Nuk përbën ndonjë çudi. Është një detyrim.  Nëse nuk kemi lëvizje në këtë kahje, atëherë, po të na lejohej të perifrazonim Xh. Oruell, do të thoshim pak a shumë: “Jeta (politike-V.S) do të vazhdojë siç ka qenë, domethënë si mos më keq…(“Republika e kafshëve”) Por asgjë e tillë nuk iu intereson vendit dhe qytetarëve të tij. Nëse ka politikanë që mendojnë se mund të përfitojnë nga “absurdi”, ata gjenden në rrugë pa krye, ku nuk ka pse të shpien krejt shqiptarët dhe as problemet e tyre përherë të hapura dhe të qenësishme.