Universitete me Profesorë pa libra dhe Doktorë shkencash me studime mediokre

1280
Sigal

Nga Prof.Dr. Elmas LECI

Tri vite më parë bëmë një denoncim mediatik me temë: “Profesorët pa libra dhe doktorët e shkencave me studime mediokre”, denoncim që ra në vesh të shurdhër të universiteteve, dikasterit të Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë. Ky ka qenë dhe është një problem shumë i mprehtë dhe i hidhur, por i vërtetë dhe aktual. Më mirë që në fillim të evidentojmë faktet e hidhura e të vëmë bisturinë në plagë, se sa të rrekemi e të themi “kemi përparime”. Ja faktet: Nga rreth 600 Profesorë që ishin në 2015-ën, ata që e patën marrë këtë titull në dekadat e fundit janë fare pak dhe nga këta vetëm 20 % e tyre kane botuar libra e studime shkencore.

Se cilët janë Profesorët e këtij vendi, e di opinioni

“Kuti” matës-librat, dhe “kandari” peshues-opinioni, këto janë matësi dhe peshorja më e mirë e të qenit Profesor. Kjo lidhet, pra me librat që ata Profesorët kanë botuar e me problemet që kanë zgjidhur shkencërisht. Sipas këtij “kuti” e të kësaj “peshoreje”, opinioni ka njohur të përmendurit Profesorë nga puna si Kristo Frashërin, Luan Omarin, Arben Puton, Rexhep Qosen, Alfred Uçin, Nasho Jorgaqin, që i njeh mbarë opinioni, ndërsa nga “të sotmit” që mbajnë edhe poste të mëdha Rektor e Dekan në institucionet akademike e shkencore, cilët njihen nga opinioni?!

Që të mos bëj rreshtimin, nga brezi i tanishëm, ato që njeh opinioni, janë pak, fare pak për të mos thënë aspak. Përse ndodh kështu?! Sepse ka një kriter bazë që është plus veprimtarisë akademike edhe kërkimi shkencor, botimet, librat e veprat e tyre. Këto janë punët e Profesorëve apo të Doktorëve të shkencave, që i bëjnë ato të njohur në opinion. P.sh., Kristo Frashërit nuk mund t’i thoshe “i vjeter”, se ai ishte fringo i ri në prodhimtarinë shkencore dhe kjo është e rëndësishme. Kjo ndodhte edhe me Arben Puton, por ndodh edhe me Luan Omarin, dhe ka ndodhur edhe me Aleks Budën, Stefanaq Pollon, Eqerem Çabejn, Mahir Domin, Shyqyri Ballvorën, Ali Aliun, Gazmend Shpuzën, Sotir Manushin, Petro Lalajn etj. Në antitezë qëndrojnë Profesorët e tanishëm, që e kanë marrë titullin vitet e fundit, Profesorë që i kanë bërë me grafik, pa libra e pa vepra, të cilët rezultojnë si uthulla, e cila nga koha forcohet, por që uthull mbetet. Efekti i admirueshëm i moshës dhe i veprës shihej mirë jo vetëm te Kristo Frashëri, që qëndronte pa diskutim në avantazh, por qëndron edhe te Profesorët Korkuti, Bulo, Hudhri, Islami, Lafe, Lloshi, Mancaku, Lama, Gjeçovi, Boriçi, Profesore Lalaj, Profesor Dezhgiu, Profesore Dado, Profesor Kuçuku, Binaj, Prifti, Hoti, e te ndonjë tjetër. Pa u futur në historinë e emrave me zë të fuqishëm të Profesoratit tonë të mrekullueshëm, krenari e shkencës shqiptare, evidentohen ose më saktë i evidenton opinioni shkencor Profesorët “e kaluar” me vlera si Prifti, Xholi, Hoxha, Dede, Beqja, Adhami e të tjerë. Përveç profesorëve të shkencave alabanologjike (puna e të cilëve është vlerësuar ndërkombëtarisht, (pavarësisht nga anatemimet e kohës sonë absurde), por po përmend gjigantët shkencëtarë të energjetikës shqiptare, të nderuarit Farudin Hoxha e Petrit Radovicka… A ka ndonjë të tillë sot?! A ka ndonjë nga Rektorët, Drejtorët a Dekanët që janë me tituj e që mburren me temat e pa lexuara të bëra “për kecat e brejtësit e arave”?! Shkencëtarët që përmenda, kanë qenë jo më shumë se 40 vjeç, kur ka bërë vepra të mëdha gjigante të energjetikës shqiptare dhe për to i ka njohur e vlerësuar mbarë opinioni e bota.

Fola e rendita këta Profesorë, meritë e padiskutueshme e tyrja dhe pa diskutim, krenari e jona, por nuk fola se nuk kam çfarë të flas për këta Profesorët e tanishëm, që i mbajnë këto tituj “me shtatë Tuje”, dhe që qëndrojnë në antitezë me Profesorët që përmendëm. Të tanishmit, shumica jo vetëm që nuk kanë libra e vepra, që t’i njohë opinioni, (përveçse disa librave komercialë e tregtarë me dhunë te studentët), por shumica ta themi troç, nuk kanë fare botime. Edhe disertacionet i kanë empirike. Del pyetja: Si e kanë marrë, ose më mirë si u kanë dhënë të tillë njerëzve, ”titullin me tuje” Profesorë e Doktorë?!, të cilët ndonëse bosh, edhe na kapërdisen duke përfituar pa dinjitet poste drejtuese në institucione akademike e shkencore?! E thjeshtë: Korrupsioni e përkatësia e militantizmi partiak. Kjo është e vërteta.

 Fund disertacioneve mediokër të Doktorëve të shkencave

Shpresuam te ligji i tanishëm i anatemuar i Arsimit të Lartë se ai i pari e pamë ç’na bëri. Na prodhoi pa masë Doktorë shkencash e profesorë të Asociuar me tema “ të mbrojtura” mediokre, që duhen konsideruar një plagë e rëndë e shkencës shqiptare. Më se 60 % e doktoraturave të mbrojtura, në dy vitet e fundit me ligjin e vjetër të Arsimit të Lartë, lënë për të dëshiruar.

Po shpalos disa shembuj, me disa tema doktoraturash me të cilat personat që sot janë pedagogë kanë marrë ose më mirë (u kanë dhënë) gradën shkencore Doktorë të Shkencave. Dhe janë temat e disa disertacioneve që është e thjeshtë për t’u verifikuar kjo që them, se janë të depozituara: “Impakti i implementimit të politikave të zhvillimit rural në zhvillimin e zonave rurale dhe reduktimin e varfërisë në Shqipëri”, “Disa aspekte dhe këndvështrime për përmirësimin e performancës së transportit hekurudhor”, “Sinergjia që krijohet nga ndërveprimi i marketingut të marrëdhënieve me marketingun në internet”. “Rasti i industrisë bankare shqiptare”, “Marketingu i industrisë turistike dhe roli i saj në marketingun e Shqipërisë si destinacion turistik”, “Matja e riskut të kredisë dhe faktorët përcaktues në treguesit e riskut të kredisë”, “Orientimi drejt markës nga organizatat jofitimprurëse dhe ndikimi i tij në performancë. Rasti studimor -Qarku i Shkodrës”, etj., etj., tema të tilla që rezultojnë pa formim elementar gjuhësor, pa le pastaj konceptual e shkencor. A mund të pretendohet se bëhet shkencë nga ai, i cili nuk di as të shprehet, as të formulojë madje as titullin bazë të disertacionit të tij?! Kjo sa çështje e njësive, aq edhe e organizmave shkencore

Një problem tjetër po aq shqetësues sa i doktoraturave mediokër, dhe që e shton më shumë zullumin, është dhënia e titujve Profesor i Asociuar. Me Ligjin e kaluar të Arsimit të Lartë, u lejohej disertantëve që të aplikonin për titullin akademik Profesor i Asociuar, edhe një dite pas mbrojtjes se doktoraturës dhe marrjes së titullit Doktor i Shkencave.  Gjë absurde. Me ligjin e ri u bënë stopime por ç’e do, të pa merituarit i morën titujt dhe gëzojnë plus tyre edhe atributet, sepse e lejonte Ligji. Po ç’ligje janë këto që favorizojnë të pa merituarit, që ligjërojnë mediokritetin?! Këtyre u duhet dhënë fund dhe mendimi studentor duket se po u a sjell fundin. Të shpresojmë!    

Qeverisja e Universiteteve nuk bëhet me zgjedhje populiste

Kjo që shpërthejë tani, protestat e studentëve dhe ultimatumet reformuese për arsimin e lartë, ndofta duhet të ishin bërë në kohë, por gjithsesi mirë e shumë mirë. Aplikimi detyrues i Ligjit të ri i Arsimit të Lartë ka dështuar që në konceptimin e tij të drejtimit dhe të funksionimit të universiteteve. Aspekti më themelor i tij janë zgjedhjet.

Koha tregoi se zgjedhjet e deritanishme, qoftë me Ligjin e kaluar të Arsimit të Lartë, qoftë me këtë të tanishmin, që i ngatërroi punët keq e më keq, nuk mund të qeverisen Universitet. Shmangia nga drejtimi i Universiteteve, i Profesorëve pa emër ka kohë që evidentohet si një domosdoshmëri për të kryer një reformë të vërtetë arsimore jo si kjo e tanishmja. Pa diskutim, Profesorati i merituar me studime e libra është i mirëpritur nga opinioni studentor, akademik e patjetër edhe ai publik, që duhet të vijnë në drejtim të shkollës së lartë me zgjedhje por jo populiste. Koha e sotme dhe e shkuar tregoi se në Shqipëri zgjedhjet në Universitete u kthyen si ato parlamentare, partiake dhe aspak siç duhet të jenë profesionale, që do të thotë, që akademikët më me eksperiencë akademike e prodhimtari krijuese e shkencore të vihen në krye të punëve. Nga eksperiencat e disa zgjedhjeve universitare në Shqipëri rezultojë edhe një fakt tjetër negativ, që në krye studentët, pse jo edhe pedagogët kolegë, zgjedhin për qeverisje ato që nuk kërkojnë llogari, që nuk duan “telashe”, që nuk u pëlqejnë kontrollet etj., etj.

Po nuk u bënë këto, Arsimi i Lartë nuk mund të këtë cilësi dhe pa cilësinë e arsimit të lartë, vdes e ardhmja e kombit. Po a mundet kjo të realizohet në kushtet aktuale, kur Profesorët në krye të institucioneve të arsimit të lartë janë, jo vetëm persona pa libra, por veçse të dalluar (kjo jo të gjithë) në ofiqe e afera të pandershme?! Stafi i tanishëm drejtues i Universiteteve, në masën 80 % të tyre nuk kanë asnjë libër të botuar (nuk flasim për tekste shkollore fotokopje të këqija). Flasim për botime librash të vlerësuara nga opinion shkencor. Gjykoj se është shumë e vështirë me këto lloj Profesorësh pa libra, pa personalitet shkencor e pa dinjitet personal (sipas sondazheve opinion-live) që të ecet përpara dhe të pësojë ndryshime arsimi i lartë universitar, sepse mbi këto lloj njerëzish në radhë të parë duhet bërë vettingu profesional dhe pastaj edhe ai moral e ekonomik i tyre. Spastrimi është domosdoshmëri për t’i çelur rrugën zgjedhjes e qeverisjes në universitete vetëm mbi baza profesionale, pra jo populiste por mbi bazë dosjesh. Kjo është reforma që u duhet Universiteteve, e cila përfshin njerëz profesionistë e struktura funksionale.