Timo MËRKURI/ Himn për Iso-Polifoninë

602
Sigal

Kur më 25 nëntor 2005, Iso-Polifonia kaloi nën mbrojtjen e UNESCO-s si një nga pasuritë e rralla të  trashëgimisë kulturore botërore, pak kush e vlerësoi këtë si një sukses të madh të ri dhe ca më pak të tjerë u ndërgjegjësuan për punën e madhe që është bërë për t’ja arritur kësaj dite. Që iso-polifonia ishte dhe mbetet një kryevepër, këtë më së miri e dimë vetë ne shqiptarët që e kultivojmë atë, por suksesi është që të tillë arin ta njohë dhe vlerësojë edhe bota e qytetëruar dhe ca më tepër që e merr nën mbrojtje nga dëmtimi, që në këtë rast është harresa. Është normale që kur dikush të bëjë portretin tonë moral, përkrah dobësive që do paraqiten, do vejë edhe Butrintin, Gjirokastrën, Beratin dhe Iso-polifoninë. Kjo do të thotë që në një sipërfaqe më pak se 10 mijë kilometër katrore, Shqipëria i jep njerëzimit jo pak, por katër kryevepra që shpallen pasuri botërore. Nuk gjej dot një shembull tjetër identik në gjeografinë e botës. Dhe kjo mungesë, ndër të tjera, na jep të drejtën e një krenarie të ligjshme. Duke menduar se të gjitha këto nuk kanë lindur nga hiçi, dhe duke ditur se kryeveprat i bëjnë vetën kryeartistët, atëherë plotësohet më së miri portreti i popullit tim, i bukur e me kulturë. Atëherë, dikush do të rishikojë mendimet e veta për këtë portret.

               * * *

Por ka edhe më, në këtë akt vlerësimi marrje nën mbrojtje nga UNESCO. Modernizimi i jetës, krijimi e zgjerimi i qendrave  të mëdha urbane, braktisja e fshatit dhe për pasojë largimi nga tradita, bën që të harrohet e të braktiset, të prishet struktura  mbartëse e ritëse e iso-s. A nuk e kini vënë re se shumë nga ne, ndonëse me origjinë labe, nuk dimë të këndojmë labçe, nuk dimë të mbajmë iso. Ndërkohë që, aplikojmë e zhvillojmë lloj-lloj shkollash e teknikash muzikore moderne. Nëpër shkollat tona, të rinjtë kanë një farë ndjenje “turpi” të këndojnë labçe se mos shokët i quajnë “ të prapambetur”, “katundarë”, të “dalë jashtë mode” etj., etj., epitete, të cilat largojnë dëshirën për të kënduar labçe, për të mbajtur iso. Pikërisht kësaj braktisjeje, kësaj harrese i thotë ndal Vendimi i 25 Nëntorit 2005, duke evidentuar vlerën e papërsëritshme të saj, duke evidentuar modernitetin e iso-polifonisë. Është njësoj si të marrësh nën mbrojtje e t’i ruash nga prishja shtëpitë karakteristike të Beratit e Gjirokastrës, apo rrënojat e Butrintit. Është e thjeshtë që ato të prishen e në vend të tyre të ngrihen grataciela, por bota grataciela ka në çdo qoshe të saj ndërsa Butrint, Berat, Gjirokastër e Iso-Polifoni kemi vetëm ne. Ne që kemi ngritur këto kryevepra s’e kemi të vështirë të ngremë grataçiela në të tjera vende, s’e kemi të vështirë të ngremë lloj-lloj shkollash e teknikash muzikore, por këtu shtrohet problemi që të ruajmë këto që kemi ngritur në shekuj dhe që si ka kush tjetër. Të tjera dhe të reja, bile supermoderne le të ngremë kudo e kurdo e  nga kushdo.

* * *

Iso-ja është e madhërishme, është e tërëfuqishme. Ajo nuk njeh autoritet që të mund ta ndërpresë. Po nisi iso-ja, sado i madh dhe autoritar të jetë ai që vjen, është i detyruar të presë sa të mbarojë iso-ja, pavarësisht se ata që e mbanë  atë (iso-n) dhe që këndojnë mund të jenë njerëz fare të thjeshtë. Në këtë kontekst ata janë këngëtare, mbajtës së iso-s. Emrat dhe postet, profesionet dhe pasuritë e tyre këtu s’kam rëndësi. Vetëm pasi mbaron iso-ja (jo gjithë kënga, por vetëm iso-ja e strofës që këndohet), pra vetëm pasi qetësohen mbajtësit e saj (unë do thosha që pasi mbarojnë bubullimat e vetëtimat e iso-s), vetëm atëherë i bëhen të gjitha nderet e duhura mikut të porsaardhur. Dhe këtu s’ka asnjë qejfmbetje apo keqkuptim. Të gjithë i nënshtrohen këtij rituali. Një fjalë e urtë, e futur edhe në nenet e kodeve zakonore shqiptare thotë se “miku në shtëpinë e shqiptarit është i dërguar i zotit”. Duke qenë se miku është i detyruar të presë sa të mbarojë iso-ja (çuditërisht është i vetmi detyrim për mikun në shtëpinë e shqiptarit), atëherë rezulton se iso-ja është më e lartë se një i dërguar i Zotit, është diçka që ka lidhje me vetë Zotin. Ndaj në vetvete është e shenjtë dhe tërësisht e respektueshme. Ndaj nuk njeh dhe nuk i hap rrugë asnjë autoriteti tokësor. Sepse ajo vetë është tepër qiellore. Madje, mund të themi se ajo është vetë qielli, ku fluturon shqiponja e këngës. Këngët mund të jenë të rrëmbyera, të shpejta, të ngadalta, këngë trimërie me krisma armësh si vetëtima apo këngë dashurie me ëmbëlsinë e luleve të porsaçelura, këngë vaji që kullojnë dhimbje apo këngë gazmore. Gjithfarë llojesh mund të jenë këngët, por iso-ja është vetëm një, hijerëndë dhe madhështore si vetë qielli që mban dhe shqiponjën dhe harabelin, madje dhe vetë avionin në qoftë se me këtë do përkufizonim këngët e përpunuara. Ama duhet të pranojmë se jo të gjithë, jo kushdo mund të mbajë iso. Nuk është fjala t’ia bëjmë në grup vetëm e…  e…, por të krijojmë një ambient komod për këngën, të krijojmë një qiell të pastër për fluturim. Sepse dhe mbajtja e iso-s është një art më vete jo më pak i rëndësishëm se mbarësi apo hedhësi.

                  * * *

Iso-ja nuk njeh hierarki njerëzish racash e feje, gjendje pasurore apo gjendje civile, origjinë shoqërore apo origjinë fshati apo qyteti. Mbajtësit e iso-s ulen të gjithë bashkë, afrojnë kokat me njeri tjetrin, bashkojnë zërat e tyre në një dhe kush i sheh nga larg s’mund të kuptojë kurrsesi sa veta janë, kush mban iso mirë e kush stonon.

Për të mbajtur iso ulen pranë e pranë i pasuri dhe i varfëri, akademiku dhe analfabeti, bjondi e bruni, i riu dhe i vjetri duke humbur kështu identitetin e tyre me të cilin diku, dikur mund të krenohen ose turpërohen. Ata vihen tërësisht në shërbim të iso-s duke u shndërruar kështu në një atlas që mban mbi supe kupën e qiellit.

Madje dhe hasmëritë mund të ulen pranë e pranë, të mbanë iso-n dhe më pas diku larg mjediseve të iso-s, detyrimisht larg këngës, të vazhdojnë hasmërinë, të vriten me njëri -tjetrin. Po kurrsesi në mes të iso-s, kurrsesi pranë këngës e isos-s, askush nuk do të guxonte as të mendonte (pavarësisht që s’do ta linin të tjerët) të vinte dorën mbi armë për të vrarë e për të marrë hak. Arma shkrepet në prani të iso-s vetëm në drejtim të qiellit për të shprehur dhe shtuar gëzimin e momentit. Për tjetër gjë, pjesëtarët qenë të çarmatosur, ndonëse me armë në brez. E pra vetëm iso-ja, vetëm kënga e ka çarmatosur shqiptarin. Në ndryshim nga kënga “majekrahit”, e cila është shumë më e re se iso-ja, kjo e fundit s’mund të mbahet nga një njeri i vetëm. Edhe kur dikush “logat” me vete dhe për vete, ai i jep këngës intonacionet e një grupi. Flamuri i iso-s është më i madhërishëm se flamurkat e vockla të partive politike të vetëquajtura të mëdha. Ka mijëra vjet që valëvitet ky flamur. Ka parë njerëz, grupime njerëzish, rende shoqërore, parti e shoqata në zenith e në theqafje. I ka pritur e përcjellë , jo rrallë me indiferencë totale ndaj zhurmës së tyre, gjithfarësoj marrëzish të mendjes njerëzore.

Po si ka lindur kjo magji  stërshekullore?

Njerëzimi, para se të fillojë të këndojë, bile para se të fillojë të flasë, ka filluar të qajë, të vajtojë, të rënkojë. Një dhimbje fizike ka provokuar lot e  rënkime, një dhimbje shpirtërore i ka bërë ato më të shpeshta,më ritmike. Njeriu pasi qan, vijon të rënkojë për dhimbjen që provoi. Pikërisht ky rënkim është  zanafilla e iso-s ndërsa vajtimi është zanafilla e këngës. Dhimbja shpirtërore për të dashurin e vdekur, shoqëruar kjo me ritin e varrimit, grumbulloi të afërmit pranë të vdekurit. Dhimbja e shprehur me vajtim e me rënkim, herë të gjithë bashkë e here veç e veç, por gjithsesi, vajtimi i njërit shoqëruar  me rënkimet e të tjerëve, është zanafilla e grupit. Dikur, dikush, pjesëtar i fisit apo kalimtar i rastit që e pa këtë ritual dhe i dëgjoi vajtimet e rënkimet, mendoi se kjo ishte e bukur të përsëritej, a për dhimbjen që provokonte, a për kujtimin e të dashurit të vdekur, a për vetë ëmbëlsinë që krijonte qoftë kjo dhe e dhimbjes. Dhe filloi ndoshta të përsëriste fjalët e vajtimit apo të imitonte rënkimin, duke u bërë pa vetëdijen e tij  këngëtari dhe mbajtësi i parë i iso-s. Mandje dhe emri i saj i parë ka qrnë me “y” dhe quhej Yso. Duke qenë se mbahej nga shumë veta u quajt Yso e shumë vetave, në kuptimin “rënkimi” i shumë vetave, rënkim kolektiv. Pastaj koha i hoqi germën “y” për të ardhur tek ne me shprehjen iso. Por edhe popujt e tjerë kanë qarë e rënkuar –do thotë dikush-pse s’e kanë iso-n. Po, kanë qarë edhe popujt e tjerë, por merita e popullit tonë është pikërisht këtu, që këtë vajtim dhe rënkim e ngriti në art. Koret antike ilire dhe greke nuk kanë qenë gjë tjetër veçse rënkimet dhe rënkueset  pas dhe në mes të vajtimit, por këtë herë të ngritur në art. Lidhja logjike e iso-s me koret antike greke e ilire është një temë më vete për tu studiuar më me profesionalizëm, por që gjithsesi është një lidhje që afron dhe jo largon, që bashkon dhe jo ndan aspiratat progresiste e kulturore të dy popujve tanë. Ka mijëra vjet që ky rënkim, kjo mërmërimë kolektive që u përpunua duke arritur sot në majat e artit. Hoqi diçka e mori diçka duke u përsosur vazhdimisht dhe u ngjit në piedestal. Na është rrëqethur trupi e shpirti, na ka gufuar zemra nga këngët e iso-t e tyre. Kemi vrapuar nëpër festa e festivale, kemi kënduar e debatuar me njëri- tjetrin për më të bukurën e këngëve dhe të iso-ve, kemi hequr e hedhur vallen e rëndë të burrave të shoqëruar me këngë e iso duke bërë të dridhet dheu nën hapat tona. Kemi jetuar me iso-n duke e bërë pjesë të domosdoshme e organike të jetës sonë. Dhe sot moderniteti i jetës, urbanizimi e progresi po e kërcënojnë me haresë. A nuk të duket si afrimi i një gjëme, si diçka e shtrenjtë që të shpëton nga dora në mes të detit dhe s’ke si e gjen dhe s’ke si e mbron.?  Pikërisht si një shpëtimtar avitet në këtë rast vendimi i 25 Nëntorit 2005 i UNESCOs për ta marrë nën mbrojtje këtë thesar, që të mos na “shpëtojë nga duart” neve që jemi në mes të detit të trazicionit të stërzgjatur. Populli ynë do t’i jetë mirënjohës firmëtarëve të këtij vendimi. Dhe jo vetëm atij, por dhe birit të tij që ja prezantoi shkencërisht  botës këtë pasuri të rrallë, birit të tij me një emër të thjeshtë, Vaso Tole, gati anonim, si një pjesë isoje e shkëputur rastësisht nga ndonjë këngë.