Të diplomuarit e diktaturës nuk njohin diplomat e Bashkimit Evropian

734
( Vijon nga numri i kaluar )

Av. Zaçe ISLAMI
Arsimi i Lartë/ Është paradoks, që diplomat greke, të njohura në të gjithë botën për ushtrimin e profesionit, nuk vlerësohen në Shqipëri
Edhe kjo sorollatje është e panevojshme, pasi Greqia është vendi i parë për numur emigrantësh shqiptarë, e për pasojë, ka të diplomuarit më të shumtë e më të hershëm si ne Shqipëri, ashtu edhe në diasporë, gjë që ka mundësuar një data base e një tipologji, universitetesh, fakultetesh dhe diplomash, pa qenë nevoja për të pyetur për çdo person në veçanti. Edhe pse përgjigja fshihej që nga 4 gushti, vajtjet e përditshme në ministri, nuk po na zgjidhnin asgjë, madje kur kërkonim sqarim, nuk harronin të na “pajisnin” me ndonjë diagnozë. Duke humbur disa vende pune, si në veprimtarinë private, ashtu edhe në konkurrime të administratës publike, na ngushëllonte vetëm fakti se kishte edhe hallexhinj të tjerë me nga 3 vjet pritje(lehtësisht të verifikueshme nga praktikat), detyrohemi të përmendim se do kërkojmë ndihmë nga mediat dhe pas pesë minutash, ne 21 shtator, na japin vendimin e njohjes së diplomës, duke falsifikuar edhe datën e marrjes së vendimit – 14 shtator. Si mundet që të të thonë se vendimi ende nuk ka dalë nga komisioni, për arsye të pritjes së përgjigjes nga Greqia dhe pas 5 minutash, të të jepet në dorë, e madje me një datë të tejkaluar? Vendimi i njohjes ishte një copë letër e improvizuar, pa bazë ligjore. Deri këtu kemi të bëjmë me shkelje proceduriale, për të cilat nuk mban askush përgjegjësi edhe pse janë po aq të rëndësishme sa edhe substanca. Ana thelbësore e saj është, vlerësimi i diplomës greke të sistemit 4 vjeçar(Greqia nuk e aplikon sistemin e Bolonjës), me nivelin Bachelor kur nga universiteti grek kishim dokumentin i cili në përshtatje me sistemin e Bolonjës përcakton se niveli i diplomës greke i përgjigjet sasisë prej 240 kreditë dhe 8 semestrave. Ky nivel në Greqi konsiderohet i nivelit 6. Mashtrimi i zonjave të komisionit të njehsimit të diplomave është, se shfrytëzojnë mospërputhjen e legjislacionit grek në lidhje me nivelin 6 dhe legjislacionit shqiptar. I diplomuari në Greqi nga të gjitha universitetet greke ka të drejtë të punësohet në të gjitha nivelet e administratës publike dhe qeveritare të atij vendi , ndërsa paradoksalisht ky i diplomuar nuk mund të punojë askund në Shqipëri bazuar në nivelin 6 të ligjit për arsimin e lartë në Shqipëri. Dihet nga të gjithë se, si diplomat shqiptare të sistemit 4 vjeçar, përfshi edhe ato të hetuesve e torturuesve të diktaturës, ashtu edhe të universiteteve të huaja të sistemit 4 vjeçar, janë njohur në Shqipëri, tradicionalisht, me nivelin që i koorrenspondon titullit Master.
Është paradoks, që diplomat greke, të njohura në të gjithë botën me të drejtën e ushtrimit të profesionit përkatës, nuk i japin mundësi të diplomuarit të ushtrojë profesionin e tij, vetëm në Shqipëri, ndërkohë që diplomat e diktaturës me nga 20 lëndë qesharake si: histori e partisë së punës, materializëm dialektik e historik, marksizëm – leninizëm, stërvitje ushtarake, punë prodhuese, histori dhe e drejta e kooperativave bujqësore e të tjera.. .sot vlerësohen me master dhe mbajtësit e tyre, kanë edhe pozicione kyçe në vendimmarrje dhe ligjvënie. Po ne fund të fundit, edhe vet ministrja e arsimit, si dhe ministrat e deputetët e tjerë, në shumicë, çfarë shkollash më të mira na paskan përfunduar se sa Pandion i Athinës(themeluar në 1927) dhe Demokritio, ku kanë studiuar shumica e personaliteteve më të shquar të botës akademike e politike, si ministrat e arsimit, të mbrojtjes, kryetarë të parlamentit, eurodeputetë, korifenj të artit, letërsisë e gazetarisë, ku japin mësim pedagogë si ish kryeministri më i suksesshëm i vendit, Kosta Simitis, dy ish presidentë e ish kryeministra, shumica e diplomatëve, një gjyqtar i gjykatës së Hagës njëkohësisht i ati i nobelistit Jorgo Seferi dhe themelues i gjykatës kushtetuese të vendit, në vitin 1927, si dhe personalitete të tjera të vendit, që e kanë udhëhequr Greqinë në momentet më delikate të saj. Këto shkolla i kanë themelet bashkë me ligjvënësit e lashtësisë Likurg e Soloni, i kanë rrënjët edhe para 200 vjetësh, që nga themelimi i Greqisë moderne, prej mbretit Otto. Me lëndët voluminoze dhe kërkesën e llogarisë, pa indulgjenca individuale e nacionale, atje, kriter vlerësimi janë aftësitë dhe përgatitja, e jo ato fenomenet e shëmtuara, mjaft të përfolura, më shumë prej politikës, mediave dhe vet studentëve të ndershëm e pedagogëve korrektë. 

Jemi të gjithë dëshmitarë të denoncimeve të vazhdueshme të akteve korruptive të shit – blerjes së notave dhe diplomave nëpër kanalet televizive, me përfundim , ndjekjen ligjore nga autoritetet përkatëse. Para pak ditësh, mediat bënin publike faktin se qarkullojnë rreth 40 mijë diploma false, mbajtësit e tyre të pajisur me anti – virus politiko – nepotik kanë vërshuar në të gjitha shkallët e administratës publike në shkallë qendrore e vendore.

Është për të ardhur keq, dhe po na fyen dyfish zonja ministre, si me zhvleftësimin e diplomës të përftuar me mjaft mund e sakrifica emigrantësh (as njeri prej fëmijëve nuk mund të ushtrojë profesionin e tij me këtë njësim, me rezultat të mos sistemohen as në punë të rëndomta, pasi i konsiderojnë të mbikualifikuar), ashtu edhe me mospërfilljen për ti kontaktuar që nga kërkesa e 26 shtatorit dhe e ripërsëritur shumë herë. Nëpërmjet sekretares së saj, premtoi se do të ngrihej një komision për të shqyrtuar të dyja kërkesat dhe ankesat e tyre, brenda javës, por as kjo nuk u bë dhe ne jemi ende në pritje…të kalendave greke. 

Me shumë presion e këmbëngulje, bëri edhe njohjen e diplomës tjetër në 2 dhjetor, me të njëjtën metodë mashtrimi e sorollatje, jashtë çdo afati kohor(përgjigjen e ardhur nga Greqia në 4 gusht e mbante të fshehur deri në 2 dhjetor, kur në dyert e saj u paraqit një kanal televiziv) e procedure normale, me të njëjtin vlerësim Baçelor, të pa motivuar me ligj.

Vendimet janë të pa drejta, keqdashëse dhe jo pa qëllim, pa bazë ligjore. Kur ju kërkon shpjegim, të përgjigjen vetëm me gojë e të hedhin herë te ligji shqiptar për arsimin 10247 3.2010 (i shfuqizuar!), herë tek ligji shqiptar 80/2015, herë tek Marrëveshja e Lisbonës, apo tek Korniza Evropiane e Kualifikimeve (KEK), Korniza Shqiptare e Kualifikimeve (KSHK), që në të vërtetë të gjitha këto janë në koherencë të plotë me njëra tjetrën, burojnë nga Marrëveshja e Lisbonës e vitit 1997, njohur nga shteti ynë me ligjin nr8834/22.11.2001, por që zonja Lindita Nikolla, së bashku me drejtoren e arsimit të lartë dhe njëkohësisht edhe kryetare për komisionin e njohjes së diplomave të huaja, zonja Linda Pustina, me koshiencë të plotë dhe në vazhdim të katrahurës së reformës së arsimit, nuk duan ti zbatojnë.
Ndjesë për zgjatjen në hollësi të tilla juridike, por qëllimi im është që:
1 – të denoncoj këtë masakër që i bëhet inteligjencës sonë, ku në vend që të hartohen politika për përthithjen e trurit, siç pretendon ministria, se disponon 3 milionë euro vetëm për këtë qëllim, me këtë njohje dhe njësim denigrues e masiv, i syrgjynos rrugëve të botës nëpërmjet lotarive amerikane apo Gjermanisë, t’i punësojë si infermierë e në pritje për të ikur i shkojnë si lëndë e parë all – center, ku edhe atje jo gjithmonë i pranojnë, sepse janë të mbi kualifikuar.

2 – të sensibilizoj të gjithë viktimat e kësaj masakre që të organizohen së bashku me të dy fëmijët e mij, ta çojnë problemin në të gjitha institucionet e larta ekzekutive e legjislative, brenda e jashtë vendit, dike filluar nga trupi diplomatik, strukturat përkatëse të Bashkimit Evropian, UNESCO, gjykata administrative të të gjitha niveleve, Presidencë etj…

Shkurtimisht, po informoj opinionin, e më tepër të diplomuarit qe nuk jetojnë në Shqipëri, e për pasojë nuk kanë dijeni për makinacionet , pasi nuk kanë mundësi t’i ndjekin procedurat nga afër, si dhe strukturat evropiane, se Ministria, të tjera ligje ka dhe të tjera zbaton, madje në mënyrë selektive. Të diplomuar nga i njëjti universitet dhe fakultet, vlerësohen me Master. 

Marrëveshja e Lisbonës është një marrëveshje e nënshkruar nga disa shtete të Evropës gjeografike dhe të Mesdheut, përfshi edhe vendin tonë, për të ndërlidhur e koordinuar sistemet dhe nënsistemet kombëtare të vendeve nënshkruese, për njohjen dhe njësimin e kualifikimeve të arsimit të lartë, për të pasur një vlerësim real të njohurive të përftuara në përfundim të studimeve, që të mos humbasë vlera reale e kualifikimeve nga një vend tek tjetri, si dhe për një lehtësim në qasjen e tregut të punës. 

Urdhëresa e Marrëveshjes, qysh në nenin II/1, në kompetencat e palëve, është që të merren të gjitha masat për të inkurajuar që dispozitat e saj, të zbatohen me dashamirësi.

Me bazë sa më sipër, njohja dhe njësimi janë dy komponentët e vërtetimit që lëshon Ministria, që duhet të jenë në koherencë të plotë me nenet e saj, të cilat duhet t’ju nënshtrohen kushteve specifike të ligjshmërisë kombëtare – neni VI/5, i cili të çon tek neni 

92/4: Titujt e lëshuar jashtë vendit nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, njihen në Republikën e Shqipërisë, të barasvlershëm nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar punësimin ose karrierën akademike në Shqipëri, përmes procedurës së njohjes dhe 

neni 92/6, i ligjit shqiptar 80/2015 i cili shprehet se procedurat për njohjen dhe njësimin e diplomave të huaja, përcaktohen me udhëzim të ministrit të arsimit, duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare, të nënshkruara nga vendi ynë dhe mund të përcaktojë dhe vlefshmërinë e diplomës së njesuar, sipas fushës së punësimit, si dhe 

neni 124/2
Diplomat e lëshuara në Republikën e Shqipërisë që kanë zgjatur 4 vite – 8 semestra, deri në përshtatjen sipas parimeve të procesit të Bolonjës, janë ekuivalente me diplomat “Master i shkencave”,

Në kundërshtim me këtë detyrim ligjor, ministria e arsimit të përgjigjet se ne nuk japim punë, le të shkojnë fëmijët të punojnë në Greqi. Cinizëm i sinqertë sepse politikat aktuale po e çojnë rininë të endet rrugëve të botës, sepse të njëjtën gjë na sugjeruan edhe në kryeministri.

Po çfarë ka ndodhur në të vërtetë me titullin Baçelor që vlerëson ministrja e “suksesshme” e arsimit. Përpara se të njësojë diplomat e Greqisë, duhet të njësojë Baçelorin e Shqipërisë, a mundet që në Greqi, një shqiptar të konvertojë diplomën e tij me të njëjtin nivel? Kurrë, madje as diplomën e saj nuk e njeh Greqia dhe asnjë vend tjetër i botës pasi këtu sistemi akordon 180 kreditë(ECTS), ndërkohë që atje , jo më pak se 240, këtu me 23 lëndë, atje me 67 lëndë, këtu me 3 vjet – 6 semestra, atje me 4 vjet – 8 semestra.

Marrëveshja e Lisbonës, nëpërmjet Kornizës Evropiane të Kualifikimeve(KEK) dhe Kornizave Kombëtare të Kualifikimeve(KKK), përcakton fare qartë ne pikën C:

Korniza Kombëtare e Kualifikimeve është një instrument për klasifikimin e kualifikimeve në bazë të një grumbulli të kritereve për nivelet e specifikuara të të mësuarit të arritur, që ka për qëllim integrimin dhe koordinimin e nënsistemeve kombëtare të kualifikimive dhe përmirësimin e transparencës, aksesit, progresit dhe cilësisë së kualifikimeve në raport me tregun e punës dhe shoqërinë civile. Nxjerrjen e të diplomuarve jashtë tregut të punës, edhe pse është në inkoherencë me Marrëveshjen e Lisbonës sipas Nenit IX/3: Palët inkurajojnë përdorimin e Suplementit të Diplomës së UNESKOS, Këshillit të Evropës ose çdo lloj tjetër dokumenti të krahasueshëm, komisioni i zonjës Pustina – Bako, nuk e merr në konsideratë, me keqdashje, edhe pse atje përcaktohet qartë se i diplomuari në drejtësi, ka qasje të punojë sipas rregullave si avokat, gjyqtar i të gjitha shkallëve deri në gjykatën kushtetuese, të punojë si funksionar i lartë në diplomaci, në nivele të larta të administratës publike dhe private. Zonja Nikolla nuk denjon të na kontaktojë edhe pas kërkesave të vazhdueshme, as të kthejë përgjigje zyrtare, duke shkelur të drejtën kushtetuese të informimit. Sigurisht, është në pozitë të vështirë se do t’i duhet të anulojë mijëra vendime të tjera njohjeje, dhe si në kohën e diktaturës, ankesën ja pason përsëri komisionit të zonjës Pustina, të përbërë prej saj(me profesion farmaciste) dhe zotit Dhimitër Baka (me profesion të panjohur sepse refuzon ta deklarojë), përsëri në kundërshtim të Marrëveshjes së Lisbonës që urdhëron transparencë të plotë, sipas Nenit III/2 që saktëson se: Çdo palë duhet të kujdeset që procedurat dhe kriteret e përdorura për vlerësimin dhe njohjen, të jenë transparente dhe të besueshme e koherente dhe në limite kohore të arsyeshme. Zonja ministre, përse nuk i kontakton qytetarët që i u ke borxh gjithë mundin e jetës dhe e ke mbushur ministrinë me dështakë baçeloristë dhe nepotikë, çfarë do pësoje nga të diplomuarit jashtë vendit, të siguroj që nuk do të të përlyenin as me salcë e as me tjetër gjë…, sepse ata i kanë pritur, vlerësuar e dekoruar(ndjesë lexuesit për mungesën e modestisë), homologët e tu të shtetit ku kanë studiuar. Do të dilje e fituar se do mësoje prej tyre që atje, si në gjithë administratën publike të të gjitha niveleve, funksionon takimi i përditshëm i qytetarëve edhe me ministrat, zv.ministrat, sekretarët e përgjithshëm, drejtuesit e drejtorive e kudo, nga ora 12 – 14, me përkushtimin maksimal për të zgjidhur problemet e jo për ti shkaktuar sikurse vepron ti. 

– Si mundet që një farmaciste nepotike dhe një punonjës anonim, të përbëjnë një komision për të vendosur për çdo profil diplome të huaj, e për më tepër, kanë dhe atributet e komisionit të ankimimit të vetvetes?

– Si e bëre reformën arsimore me të njëjtët “ekspertë” duke ju dërguar klientëve të tu të universiteteve private, ajkën e maturantëve?

– Përse, me reformën tënde të suksesshme, i hoqe të gjitha doktoraturat e universiteteve publike dhe ja dhe shkencëtarit me të famshëm Henri Çili, i cili, duke ditur se sa vetëve u ka hyrë në hak, ka frikë të paraqitet nëpër mediat e përnatshme në cilësinë e administratorit lubi të UET, por del në cilësinë e botuesit MAPO?

– Përse nuk ja njohe diplomën e Kolegjit Evropian, financuar nga Mbretëria e Belgjikës, profesorit të universitetit, zotit Ilir Aliaj, publikuar prej tij në 4 janar 2017, në artikullin me titull “Gjykata e njeh diplomën, ministria e arsimit jo”? Përveç teje që duhet ta lexosh se të bën mirë, që të kuptosh se sa e suksesshme je dhe si arrite tek salca, duhet ta lexojnë dhe bashkësia e të gjithë atyre që po masakron ministria jote e po i shpërndan rrugëve të botës, sepse, siç e pohon edhe vet zoti Aliaj, ky është edhe qëllimi i shkrimit të publikuar.

– Përse e ndryshon arbitrarisht njohjen e diplomave të huaja, ndryshe nga tradita e paraardhësve të tu, gjatë gjithë periudhave, përfshi edhe diktaturën?
Për fatin e keq tëndin dhe të komisionit Pustina – Baka, gjykata nuk ja çoi dëm mundin, kam bindjen se edhe të tjerët do ta marrin atë që ju takon, por ty duhet të të “dorheqë” kryeministri, se edhe po nuk e bën ai, siç e ka treguar edhe me disa kolegë të tu, të premtoj se do të të “dorheqim” ne.

Mos ndjehesh e rrezikuar ti dhe froni yt i pamerituar dhe i harbutëve partiakë e nepotikë që ka mbledhur rreth vetes (Pustina është mbesa e ish kryeministrit Nano, Hasanaj – Prifti është kunata e Dritan Priftit)nga të diplomuarit jashtë vendit? Sikundër e theksova edhe më lart, qëllimi i këtij shkrimi është që të organizohen të dëmtuarit nga vendimet e komisionit të ministrisë tënde, të protestojnë , me bazë të plotë juridike si në vend, edhe në diasporë, me të gjitha format dhe mjetet ligjore, në të gjitha instancat. Për të përmbushur me efikasitet këtë nismë, ju vë në dispozicion numrin tim të telefonit dhe ju ofroj ndihmën juridike falas. 0696689311. Ti moj zonjë e bardhë me zëmër të zezë , kur ke një nivel kaq të lartë shkencor të universiteteve të tua , pse e ke dërguar në Francë për të studiuar tënde bijë? 

Dhe së fundi zonja ministre me po vë qershinë mbi tortë:

Si do ta justifikosh faktin që shtetasit K.G (nuk dua të jap emrin e plotë) bashkëstudent në të njëjtin universitet dhe fakultet në Komotini me vajzën time, ju i jepni titullin MASTER, ndërsa time bije nivelin BACHELOR?! 
Sigal