Shqipërisë i është shkaktuar një dëm prej 200 miliardë USD

1134
Sigal

Dr. Qemal Lame

Veprimtaria subversive për shkatërrimin e Shqipërisë

Me indinjatë mësuam nga media, se Qeveria e Greqisë ka paguar 1 milion dollarë me anë të fondit të fshehtë për pagesat e bëra nga zbulimi grek për median në Shqipëri me qëllim që të mbrohet Marrëveshja për Kufirin Detar dhe të propagandohet kundër personaliteteve që shprehen kundër, nuk e miratojnë dhe duan të mënjanojnë grabitjen e hapësirës detare dhe pasurive të saj nëntokësore.. Menjëherë shtrohet me të drejtë dhe me shqetësim pyetja sesa është paguar në vitin 1990, në dy vitet 1995 deri 1997, si dhe në vazhdimësi për shkatërrimin e ushtrisë, ekonomisë, infrastrukturës kombëtare etj?! Shqipëria me socializmin që kapitulloi, u bë pre e ndërhyrjes së kapitalit të huaj dhe luftës për tregje me fitime pa shpenzime. Shteti dhe kombi shqiptar është dëmtuar më shumë se 180 miliardë dollarë deri më shumë se 200 miliard dollarë nga shkatërrimi, grabitja, trafikimi i armatimit, municionit e teknikës ushtarake. Një shumë tjetër kolosale është shkatërrimi, grabitja, trafikimi, makinerive e pajisjeve të kombinateve, fabrikave, uzinave, ndërmarrjeve e kooperativave bujqësore, djegia e plantacioneve të ullirit e agrumeve nga Saranda në Vlorë, etj. Shteti dhe kombi shqiptar morën goditje me pasoja katastrofike edhe nga privatizimi i pa studiuar dhe përfitimet e paligjshme nga korrupsioni i zyrtarëve shqiptarë dhe ndërhyrjeve flagrante të hapura e të fshehta të kapitalit ndërkombëtar. Shqipëria ka territorin naftëmbajtës më të madh në Evropë! Shfrytëzimi i kromit, bakrit, hekur nikelit etj., kanë përmasa të tregut botëror! Por naftën, kromin, hekur nikelin e shfrytëzojnë shoqëritë shumëkombëshe dhe populli vazhdon të jetë me nivelin e jetesës më të ulët në kontinet?! Në Shqipërinë e viteve ’90 – ’95 ishin në gjendje pune rreth 500 fabrika, të cilat funksiononin përgjithësisht sipas parametrave bashkëkohorë, megjithëse ishin relativisht të amortizuara, kishin mungesa të lëndëve të para dhe nuk mund të konkurronin tregun e jashtëm. Në fund të vitit 1990 dhe në fillim të vitit 1991, me rënien e shtetit dhe hedhjen e hapave drejt kapitalizmi, demokracisë e pluralizmit, u propagandua me forcë se industria e Shqipërisë është e vjetër, me teknologji të prapambetur kineze etj. Bëheshin thirrje të hapura për t’i shkatërruar kombinatet, uzinat, fabrikat, depot etj. Me pompozitet propagandohej se shtetet perëndimore do të na sjellin teknologji moderne, do të na jepnin “çeqe të bardha” për të jetuar të lumtur, etj. Propaganda e hapur dhe veprimtaria e fshehtë subversive e zbulimeve të huaja, shkaktuan katastrofën tjetër të shkatërrimit të industrisë, ekonomisë, bujqësisë në tërësi, etj. Strategjia e shkatërrimit dhe fillimit të zhvillimit nga zero, paralizoi ekonominë, rreth 900 mijë punëtorë, mbeten pa punë, gjithë jeta e vendit u paralizua dhe mbijetesa e popullit u kushtëzua me ndihmat e shteteve perëndimore.

Shqipëria kishte mbetur prapa zhvillimit intensiv të teknikës e teknologjisë së lartë të vendeve evropiane perëndimore. Kjo ndjehej natyrshëm në efektivitetin e ekonomisë, për arsye se pjesa më e madhe e fabrikave tona prodhonin produkte, që nuk mund të konkurronin tregun e huaj me standarde të larta. Me të drejtë specialistët teknikë dhe ekonomistë, kanë deklaruar dhe vazhdojnë të mbrojnë mendimet, se me pak investime dhe rinovime, shumë shpejt Shqipëria do të arrinte të prodhonte produkte konkurruese dhe me kosto të lirë të cilat do të plotësonin nevojat e brendshme dhe do të kërkoheshin edhe nga shtetet e tjera. Shkatërrimi i industrisë shqiptare vlerësohet si një krim me përmasa të rënda mbarëkombëtare. Industria e minierat etj., me sistemin e përpunimit me cikël të plotë të burimeve të brendshme natyrore nuk duheshin prishur.

Së pari, fabrikat funksiononin me strukturën, terrenin dhe infrastrukturën ndihmëse që garantonin zhvillimin normal të prodhimit, në rast se do të plotësoheshin nevojat për lëndët e para.

Së dyti, fabrikat kishin një potencial të madh të punëtorëve dhe specialistëve të kualifikuar dhe me përvojë të gjatë.

Së treti, fabrikat mund të vazhdonin të plotësonin nevojat e brendshme, pa pretenduar të konkurronin me tregun e jashtëm. Shkatërrimi i industrisë shqiptare solli si pasojë pushtimin ekonomik dhe vartësinë e plotë nga kapitali i huaj. Shqipëria u bë vendi i vetëm në Ballkan që ju nënshtrua katastrofës më të rëndë ekonomike e financiare dhe mirëqenies së popullit.

Politikisht dhe ekonomikisht përfituan Greqia, Serbia e disa shtete të tjera perëndimore nga të cilat erdhën disa investitorë që në fakt ishin pak ose aspak të njohur, deri edhe mashtrues. Vendi u zotërua nga korrupsioni politik, ekonomik, financiar e i rëndomtë nga njerëzit e zakonshëm që arritën të vjedhin e grabisin dhe të pasurohen në dëm të buxhetit e pasurisë publike. Kjo gjendje vazhdon me përmasa të frikshme me koncesionet afatgjata deri në 30 vjet dhe nuk po arrihet të ndryshohet, me gjithë masat antikorrupsion, goditjen e grupeve e bandave kriminale etj. Shqipëria është vendi që natyra i ka dhuruar pasuri kolosale. Nuk u realizua iluzioni se do të hanim me lugë floriri. Socializmi dështoi. Por rikujtojmë se para vitit 1990, kishim mjekësi dhe arsim falas, super ushtri, zero borxhe të brendshme e të jashtme, zero kredi. Shqipëria kapitaliste demokratike është kthyer në një koloni të kohës moderne. Vetëm nga dhjetë koncesione, ku nafta mban vendin e parë, dalin jashtë Shqipërisë, mbi dy miliardë dollarë! Këtu nuk janë llogaritur, mobile telefonitë, dhe milionat që nxjerrin, bankat e nivelit të dytë! Biznesi i huaj arrin fitime dhe nxjerr pa kontroll të plotë, më shumë të ardhura sesa buxheti i shtetit shqiptar. Benker’s nuk bëri asnjë investim, shfrytëzoi barbarisht rezervar e naftës dhe shkaktoi pasoja të rënda për jetën e shëndetin e natyrën. Ardhja e Shell, vlerësohet por kërkohet kontrolli rreptë nga shteti që të mos ndodhë si me Benker’s. Vendburimi i Shpiragut ka qenë zbuluar para vitit 1990. Ai ka qenë rezervë strategjike e kombit tonë. Nuk është e drejtë të propagandohet si rezultat i punimeve të Shell dhe të përdoret si argument për të rritur shpenzimet e për të mos paguar taksat ndaj shtetit e popullit shqiptar. Koncesionarët rrisin shpenzimet, punojnë me dy bilance, fshehin fitimin e vërtetë dhe nuk paguajnë taksat sipas fitimit real! Kohët e fundit nuk po ndodhin grabitje spektakolare të makinave të blinduara që shkonin drejt aeroportit të Rinasit për të dërguar jashtë shtetit valutë dollarë dhe euro. Akoma nuk është sqaruar publikisht, nëse ato ishin fonde të ligjshme, të kontrolluara nga Banka e Shtetit, apo fitime të padeklaruara, pa u paguar taksat?! Privatizimi dhe shitja e KESH-it që u riemërtua ÇEZ, solli pasoja të rënda ekonomike. Më shumë se 1 miliard kanë shkuar tek mafia e brendshme dhe e jashtme. Shtetëzimi i saj dhe puna e bërë, e nxorën nga falimentimi dhe po realizohen fitime e investime. Me të drejtë pyesim: Përse nuk bëhet shtetëzimi i naftës, Kromit e sektorëve të tjerë strategjikë? Përse diskutohet shitja e Albtelekomit tek Serbia dhe jo shtetëzimi? Shteti i së drejtës mbron Kushtetutën dhe vepron në bazë të parimeve të saj ku themelore janë interesat kombëtare. Është e domosdoshme të ndërgjegjësohemi për përgjegjësinë kombëtare. Kështu veprojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Franca, Anglia etj. Theksojmë edhe një herë këto probleme që tërheqin seriozisht vëmendjen nga veprimtaria intensive agjenturore kundër shtetit dhe kombit shqiptar. Skandali i fondit të fshehtë të zbulimit grek për pagesat në Shqipëri, është një dëshmi që kërkon reagime me masa të gjithanshme shtetërore, ligjore, ekonomike, mediatike etj.