Shkëlqim Cani: Do ta bëjmë luftën ndaj evazionit dhe korrupsionit një realitet

524
Sigal

Fjala e ministrit të Financave gjatë prezantimit të “Crown Agents”, në punën e doganave shqiptare

Në këto 23 vite demokraci jemi karakterizuar nga një vullnet i admirueshëm për të ngritur institucione të reja. Ky proces nuk ka përfunduar dhe koha me zhvillimet e saj dinamike vjetron disa dhe bën të domosdoshme lindjen e disa të tjerave. Doganat dhe Tatimet kanë qenë dy institucionet më të qëndrueshme, sepse rëndësia e tyre është e lidhur drejtpërsëdrejti me Buxhetin e Shtetit. Sot ne po prezantojmë publikisht një “institucion” të ri në formën e asistencës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave: “Crovvn Agents”. Ideja e mbërritjes në këtë lloj asistence buron:

-Së pari, nga fakti se institucionet vërtet janë ngritur, por ato janë larg të qenit efiçiente; dhe

-Së dyti, nga vullneti i qeverisë për të ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare për të luftuar evazionin, diskriminimin dhe korrupsionin në fushën e doganave.

Në vizionin tonë të ri për shtet të së drejtës dhe ekonomi të bazuar te sipërmarrja e lirë, doganat nuk janë thjesht një tra. Në mënyrë metaforike, populli e ka identifikuar me një tra, jo vetëm në kuptimin e forcës së ligjit për të kontrolluar në emër të interesave të vendit atë që hyn dhe del, por dhe për faktin se eksperienca e këtyre 23 viteve e ka trajtuar këtë tra me buton sipas thirrjes së telefonit, portofolit, ngjyrës së partisë dhe arbitraritetit. Në vizionin tonë, duam të çrrënjosim këtë opinion dhe vlerësim. Duam që doganat t’i bëjmë pjesë të zhvillimit tonë të ri me një qasje krejt të re ndaj biznesit, me një motiv krejt të ri të përgjegjësisë ndaj shtetit, me një ego profesionale jo për xhepin, por për shtetin, nëpërmjet kulturës dhe cilësisë së shërbimit. Në katër muaj qeverisje ne kemi insistuar për këtë ndryshim. Nga një administratë thellësisht e demoralizuar, me mungesë të theksuar përgjegjësie dhe larg realizimit të detyrave, arritëm të ndryshojmë trendin dhe të ngushtojmë hendekun e mosrealizimit, derisa në fund të vitit të ardhurat nga doganat tejkaluan objektivat e vendosura në buxhetin e rishikuar. Por, vizioni ynë për këtë institucion të rëndësishëm dhe të domosdoshëm është shumë më ambicioz. Në katër muaj, ne të gjithë kemi kuptuar se sa rezerva ka për të luftuar evazionin, shmangien nga detyrimi, korrupsionin dhe mashtrimet. Rastet e gjetura për shmangie të detyrimeve në magazina doganore, kalime të traut pa paguar detyrimet dhe denoncimet që bëhen për korrupsion, kërkojnë një vullnet më të madh dhe një përmirësim të vazhdueshëm organizativ, strukturor dhe ligjor. Sot i japim Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave një asistencë profesionale: “Crovvn Agents”, për ta bërë luftën ndaj evazionit dhe korrupsionit një realitet dhe jo thjesht një fushatë letrare. I njohur për ekspertizën dhe reputacionin ndërkombëtar, në emër të Ministrisë së Financave i garantojmë “Crovvn Agents” mbështetje të plotë, bashkëpunim të shëndetshëm dhe u urojmë doganave e mbështetësve të tyre suksese. Jemi të bindur se stafi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave do të demonstrojë një përkushtim të ri për të lartësuar figurën e doganierit dhe për të fituar betejën me vlerësimin negativ për evazion dhe korrupsion. Çdo ditë që kalon po bëhet më e qartë vendosmëria jonë në këtë drejtim. Së bashku me “Crovvn Agents”, nëpërmjet forcimit të kontrollit, të bllokojmë rrugët e ngritjes së traut për interes të xhepit dhe jo të shtetit.