Shkaqet e protestave masive në Kazakistan dhe skenarët e mundshëm të zhvillimit të tyre në ditët në vijim

184
Sigal

Nga Redion LULI*

Qindra njerëz janë dëmtuar gjatë 7 ditëve të protestave masive që kanë përfshirë Kazakistanin. Si shtysë për nisjen e tyre shërbeu rritja e ndjeshme e kostos së gazit të lëngshëm (rritje dyfish e çmimit nga 60 tenge në 120 tenge). Më 4 janar, megjithë premtimin e autoriteteve shtetërore për të ulur çmimet e gazit në rrethin e Mangistaut, protestat u përhapën në të gjithë Kazakistanin – protesta u mbajtën në kryeqytetin Nur-Sulltan, qytetin më të madh të vendit Allma-Ata dhe në qytete të tjera – Karaganda, Uralsk, Talldëjkorgan, Këjzëjllorda, Shëjmkent. Kërkesat e protestuesve nga social-ekonomike u kthyen në politike: dorëheqja e qeverisë. Në disa qytete, turmat brohorisnin “Shal, ket” (“Gjysh, ik”), duke iu referuar ish-presidentit të Kazakistanit, Nursulltan Nazarbajevit (ai mban titullin e Presidentit të parë – udhëheqës i kombit dhe deri më 5 janar 2022, kryesonte Këshillin e Sigurimit të vendit). Në të njëjtën kohë, duhet theksuar se protestat nuk kanë një lider të dukshëm, të dallueshëm.

Për shkak të ngjarjeve në Allma-Ata, gjatë natës së 4 janarit, Presidenti Kasëjm-Zhomart Tokajev shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në rrethin e Mangistaut dhe Allma-Ata nga 5 janari deri më 19 janar (janë të ndaluara tubimet masive dhe është në fuqi regjimi i shtetrrethimit nga ora 23:00 deri në 7:00). Gjithashtu, siç kish premtuar, mëngjesin e datës 5 janar Presidenti Tokajev shkarkoi nga detyra qeverinë. Megithë plotësimin e disa prej kërkesave të protestuesve nga autoritetet qeveritare dhe thirrjet për nisjen e negociatave, protestat nuk u ndalën, përkundrazi vijuan më tej, duke marrë trajta më agresive.

Mbrëmjen e 6 janarit nisën të shtënat në afërsi të Sheshit të Republikës në Allma-Ata. Ushtarakët i kërkuan protestuesve të largoheshin nga sheshi, duke paralajmëruar se do të hapnin zjarr.

Numri i viktimave nga krahu i forcave ligjzbatuese gjatë trazirave në Kazakistan ka arritur shifrën 18, dy prej tyre u gjetën me kokë të prerë. Në total, më shumë se 3000 persona janë plagosur, nga të cilët rreth 400 janë shtruar në spital, njofton Ministria e Shëndetësisë e Kazakistanit. Në sfondin e sulmeve për të marrë nën kontroll ndërtesaе e administratës publike në Allma-Ata janë regjistruar fakte të grabitjeve, sulmeve në qendrat tregtare, dyqane dhe banka.

Shuma totale e dëmeve materiale nga trazirat në Kazakistan paraprakisht vlerësohet në 40 miliardë tenge (rreth 91 milionë dollarë), në Allma-Ata – 39.5 miliardë tenge (89.8 milionë dollarë). Më të prekurit janë bizneset në fushën e tregtisë, produkteve ushqimore, hotelerisë, transportit, shërbimeve dhe sektori financiar, bën me dije Dhoma Kombëtare e Sipërmarrësve të vendit “Atameken”.

Shkaqet përse protestat u bënë masive

Demonstratat masive filluan në rrethin Mangistau të Kazakistanit, ku në vitin 2021 u zhvilluan shumë protesta të vogla për shkaqe të ndryshme. Tani njerëzit në sheshet e qyteteve të Kazakistanit brohorasin “Plakush, largohu”, duke nënkuptuar Presidentiт e parë të vendit, Nursulltan Nazarbajev. Në vitin 2019, politikani që sundoi për 30 vjet u largua zyrtarisht nga pushteti, por ruajti një ndikim të madh në jetën e vendit.

Shumë shpresuan se pas ndryshimit të Presidentit do të kryheshin reforma, por kjo nuk ndodhi. Në pushtet erdhi Kasëjm-Zhomart Tokajev, një person nga rrethi i afërt i Nazarbajevit. Një nga hapat e tij të parë ishte riemërtimi i kryeqytetit Astana në Nur-Sulltan për nder të ish-presidentit. Për shumë njerëz, ky ishte një sinjal se sistemi i ndërtuar nga Nazarbajev vazhdon ende të jetojë. Nazarbajev kishte një lloj kontrate sociale me popullin e Kazakistanit. Njerëzit ishin besnikë ndaj regjimit, sepse panë një përmirësim të kushteve social-ekonomike në vend. Por që nga viti 2015, situata ekonomike ka filluar të përkeqësohet. Në dy vitet e fundit – gjatë pandemisë së koronavirusit – inflacioni ka qenë shumë i lartë në Kazakistan. “Slogani i Nazarbajevit “së pari ekonomia dhe më pas politika” pushoi së funksionuari, kontrata sociale u prish. Njerëzit nuk shohin ndryshime për më mirë, nuk shohin perspektiva për veten dhe fëmijët e tyre.

Shumë kazakistanas janë në prag të varfërisë. Nga pikëpamja e pushtetit, i varfër është ai që merr më pak se 40 mijë tenge, ndërsa nga këndvështrimi i Bankës Botërore, kategoria e të varfërve përfshin ata që marrin më pak se 70 mijë tenge në muaj.

Nuk duhet harruar se vatra e protestave është pjesa perëndimore e vendit, ku ndodhen vendburimet kryesore të naftës, ku pagat janë tradicionalisht më të larta se në krahinat veriore dhe jugore të Kazakistanit. Skeptikët mund të thonë (dhe kjo pikëpamje nuk është e pazakontë): protestuesit merrnin nga 200-300 mijë tenge në muaj, do bënin mirë të rrinin urtë!

Por, sipas këndvështrimit të politologut të njohur kazakistanas Dosëjm Saptajev (drejtor i “Grupit të vlerësimit të risqeve”) gjithçka është relative në rastin konkret. Saptajev: “Po, pagat në Kazakistanin perëndimor janë të larta, por çmimet janë gjithashtu më të larta atje. Për më tepër, jo të gjithë punojnë në industrinë e naftës, shumë punojnë në sektorë të tjerë me pagesë të ulët. Dhe pastaj është faktori i padrejtësisë sociale: të gjithë e dinë mirë se perëndimi i vendit është donatori kryesor i buxhetit të Kazakistanit. Njerëzit janë dëshmitarë të skandaleve të vazhdueshme të korrupsionit miliarda dollarësh, ata vëzhgojnë se si paratë po shpenzohen për kryeqytetin, ndërsa rajonet e tjera të Kazakistanit janë në gjendjen e “të afërmve të varfër”.

Në të njëjtën kohë, zona perëndimore e Kazakistanit nuk është shumë e zhvilluar në aspektin e zhvillimit kulturor dhe social. Po, njerëzit punojnë, fitojnë para, por nuk kanë të njëjtin nivel aksesi në qendrat kulturore, arsimore dhe argëtuese si, për shembull, në Allma-Ata, apo edhe në Astana (aktualisht mban emërtimin Nur-Sulltan). Nuk duhet harruar se edhe ky është është gjithashtu një faktor për ndërtimin e një jetë të rehatshme”.

Kërkesat e protestuesve

Demonstruesit po bëjnë thirrje për zgjedhje të lira, çrrënjosjen e korrupsionit dhe nepotizmit, uljen e papunësisë dhe kryerjen e reformës kushtetuese. Kërkesa e fundit – kthimi në Kushtetutën e vitit 1993 – çka nënkupton që Presidenti i vendit nuk mund të jetë më i moshuar se 65 vjeç (presidenti aktual Kasëjm-Zhomart Tokajev është 68 vjeç), që statusi special i “udhëheqësit të kombit”, që aktualisht e gëzon Nursulltan Nazarbajev, do të anulohet dhe mandati i anëtarëve të parlamentit do të reduktohet në katër vjet në vend të mandatit aktual 6-vjeçar për dhomën e ulët të parlamentit dhe atij 5-vjeçar për anëtarët e dhomës së lartë të parlamentit.

Drejtuesit e protestës

Për hir të së vërtetës, aktualisht nuk shohim ndonjë lidership serioz politik në mesin e protestuesve dhe kjo përbën një arritje të madhe për autoritetet shtetërore, ata ende nuk kanë me kë të ulen në tryezën e bisedimeve. Qeveria mund të deklarojë: “Këta janë të gjithë rebelë, grabitës, huliganë, ata duhet të shtypen ose arrestohen sa më shpejt”.

Deri tani shohim vetëm kërkesa anonime, por nuk ka drejtues, përveç njërit – ish-kryeministrit Akezhan Kazhigeldin, i cili është në emigracion të detyruar që nga fundi i shekullit të kaluar. Ai u detyrua të jepte dorëheqjen si kryeministër në vitin 1997. Më pas ai deklaroi se ishte gati të kandidonte përpostin e Presidentit. Pas kësaj deklarate ai u quajt kriminel (u akuzua për ryshfet) dhe u largua nga vendi. Kazhigeldin i është drejtuar popullit të Kazakistanit gjatë këtyre ditëve (Kazhigeldin: “E kuptoj zemërimin e njerëzve. Reagimi i autoriteteve është i habitshëm: njerëzve u kërkohet të qetësohen, të mos dëgjojnë elementët destruktivë. Në fakt këta janë njerëz të thjeshtë, të cilët u lodhën duke pritur ndonjë gjë nga autoritetet lokale dhe qendrore dhe dolën në shesh”), në disa krahina kërkojnë kthimin e tij në vend. Ai është i gatshëm të përdorë mjetet moderne të komunikimit për të përfaqësuar interesat e protestuesve. Por aktualisht kjo është e gjitha në projektim e sipër, drejtuesit e vërtetë të protestës nuk i shohim ende “në terren”.

Pse forcat e ruajtjes së rendit nuk po i shtypin protestat?

Protestat nisën në perëndim të vendit në qytetin e vogël Zhanaozen. Pikërisht në Zhanaozen në vitin 2011 u zhvillua një grevë afatgjatë (disa mujore) e punëtorëve të industrisë së naftës, duke kërkuar rritje të pagave dhe kushte më të mira pune. Në një moment, policia hapi zjarr ndaj demonstruesve, 16 persona u vranë dhe mbi 100 u plagosën. Pasojat e këtyre ngjarjeve u ndjenë për një kohë të gjatë. Atëherë autoritetet shtetërore qenë në gjendje të vinin situatën nën kontroll, por popullariteti i politikanëve në pushtet ra ndjeshëm. I gjithë vendi mësoi se çfarë ndodhi në Zhanaozen. Ekziston një version sipas të cilit Tokajev nuk dëshiron një përsëritje të skenarit të vitit 2011 në Zhanaozen. Është shumë e rëndësishme që ai të ruajë legjitimitetin e pushtetit dhe rejtingun e tij tashmë jo shumë të lartë politik. Ndoshta kjo është arsyeja pse autoritetet po tregohen kaq të kujdesshme.

Fillimisht policia tentoi të frenonte protestuesit pa përdorur asnjë mjet mbrojtjeje dhe shkopa gome. Ata po përdorin gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese në disa vende. Protestuesit u vënë flakën makinave të policisë. Në disa video nga protestat dëgjohet thirrja “policia është me popullin”. Ka raportime se në disa qytete ushtria po i bashkohet demonstruesve, por ky informacion nuk mund të verifikohet, pasi Kazakistani është shkëputur efektivisht nga pjesa tjetër e botës për shkak të shkëputjes së internetit.

Ndërkohë sipas njoftimeve të fundit Presidenti Tokajev ka dhënë urdhër të hapet zjarr pa paralajmërim kundër atyre që ai i quan anëtarë të grupeve terroriste, të cilët hapin zjarr kundër forcave të ruajtjes së rendit.

Aktorët e jashtëm

Protestat në Kazakistan janë çështje e brendshme e këtij vendi, tha sekretari për shtyp i presidentit rus Dmitri Pieskov. “Ne jemi të bindur se miqtë tanë kazakë mund të zgjidhin në mënyrë të pavarur problemet e tyre të brendshme”, – tha ai. Pieskov vuri në dukje gjithashtu rëndësinë që ka mosndërhyrja në situatën e krijuar të aktorëve nga jashtë. Zyrtari i lartë rus shtoi se autoritetet kazake nuk kanë kërkuar ndihmë nga Rusia. Njoftimi për shtyp u bë në pasditen e 5 janarit, por në mbrëmje presidenti Tokajev iu drejtua zyrtarisht Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), forca kryesore ushtarake e së cilës është Rusia, për ndihmë në rivendosjen e rendit kushtetues në vend. Ndihma nga kjo organizattë nuk vonoi të vinte.

Forcat paqeruajtëse që Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) futi në Kazakistan me kërkesë të udhëheqjes së vendit do të tërhiqen, kur autoritetet të mendojnë se mund ta kontrollojnë vetë situatën, tha Sekretari i Përgjithshëm i CSTO-së Stanislav Zas në një deklaratë për shtyp. Zas vuri në dukje se paqeruajtësit do të ruajnë objektet strategjike të Kazakistanit dhe do të ndihmojnë në ruajtjen e rendit në republikë, ata nuk do të marrin pjesë në shpërndarjen e demonstratave. CSTO përfshin Rusinë, Kazakistanin, Armeninë, Bjellorusinë, Kirgistanin dhe Taxhikistanin. Të gjithë anëtarët e organizatës janë përfshirë në dërgimin e paqeruajtësve në Kazakistan.

Bashkimi Eгropian është “shumë i shqetësuar” për zhvillimin e situatës në Kazakistan dhe dërgimi i ndihmës së jashtme ushtarake është një kujtesë e “situatave që duhet të shmangen”, deklaroi të enjten kreu i diplomacisë europiane Josep Borrell.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut të enjten u kërkoi të gjitha palëve në konflikt në Kazakistan që të “përmbahen nga përdorimi i çdolloj forme të dhunës” dhe bëri thirrje për një “zgjidhje paqësore”. “Njerëzit kanë të drejtë të mbajnë demonstrata paqësore dhe të shprehin lirisht mendimet e tyre. Për më tepër, protestuesit, pavarësisht nga zemërimi apo pakënaqësia e tyre, nuk duhet të përdorin dhunë”, tha Michelle Bachelet në një deklaratë, në të cilën ajo gjithashtu bëri thirrje për lirimin e të gjithë atyre që arrestohen vetëm për ushtrimin e të drejtës së tyre për zhvillimin e demonstrative paqësore.

Kreu i diplomacisë amerikane Anthony Blinken iu drejtua të enjten homologut të tij kazak Muhtar Beskenullëj Tleuberdi me një apel për një “zgjidhje paqësore” të krizës së shkaktuar nga protestat e paprecedenta në Kazakistan. Në një bisedë telefonike, “Sekretari i Shtetit riafirmoi mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për institucionet kushtetuese dhe lirinë e medias, dhe bëri thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës dhe të bazuar në të drejtat e njeriut”, thuhet në deklaratën për shtyp të Departamentit të Shtetit të SHBA. SHBA-të gjithashtu mohuan zërat se ata janë ndër mbështetësit e protestave në Kazakistan.

Skenaret e mundshme të zhvillimit të ngjarjeve në ditët në vijim

Këtu nuk mund të ketë skenarë të qartë. Deri më tani, gjithçka po shkon drejt skenarit të përdorimit të forcës për shtypjen e protestave, për faktin se autoritetet nuk kanë me kë të zhvillojnë një dialog politik.

Nëse do të kishte struktura politike që do të mund të merrnin kryesimin e këtyre protestave, atëherë do të priteshin rezultate. Por vendi është ende indiferent ndaj protestave të stilit perëndimor. Me shumë mundësi, protesta thjesht do të shuhet me vërshimin e shumave të mëdha të parave, nga arka e shtetit do të bëhen shpenzime shtesë, do të lëvrohen fondet e mirëqenies kombëtare etj. Protestuesit nuk kanë liderë politikë që të artikulojnë kërkesat e tyre. Fatkeqësisht, kjo është një protestë spontane dhe deri më tani asnjë forcë e vetme politike e dukshme nuk ka mundur ta drejtojë atë. Ky është një avantazh i madh për autoritetet shtetërore, sepse ata mund t’i paraqesin protestuesit si një forcë destruktive të aftë për të krijuar kaos në vend. Dhe nëse autoritetet përfitojnë nga ky rreshtim i forcave, atëherë ata do të jenë në gjendje të fitojnë.

Pashkah se protestat kanë qenë të dhunshme dhe ende vijojnë, mendoj se është e vështirë të priten ndryshime madhore në kuptimin politik, si ndryshimi i regjimit dhe dorëheqja e presidentit. Për sa i përket dorëheqjes së qeverisë, ajo mund të ketë qenë e dobishme dhe në interes të disa zyrtarëve të lartë në vend. Kishte kohë që ish-kryeministri Mamin nuk shihej si i përshtatshëm për mbajtjen më tej të pozicionit të kreut të qeverisë nga disa zyrtarë të lartë dhe ishte e leverdishme që për nisjen e protestave të dhunshme faji t’i hidhej atij. Dikush duhej të mbante përgjegjësi personale.

Është në interes të autoriteteve të marrin masa për shpalljen e një kursi për ndryshime reale demokratike në politikë dhe kryerjen e reformave ekonomike. Tokajev tashmë ka filluar ta përqendrojë pushtetin në duart e tij. Ai shkarkoi nënkryetarin e parë të Komitetit të Sigurisë Kombëtare Abish Samat Satybaldyuly – nipi i Nazarbajev dhe një nga pretendentët e mundshëm për marrjen e pushtetit.

Ajo që vërehet sa herë që një diktatori (Presidenti Tokajev) i “shtrëngohet rripi”, është se fajtorët për situatën e krijuar nis t’i kërkojë diku gjetkë, duke e drejtuar gishtin tek të tjerët. Në deklaratat e tij të fundit ai i ka shpallur protestuesit e dhunshëm si terroristë të trajnuar jasht vendit. Si mbështetës dhe nxitës të shkeljes së ligjit dhe rendit publik ai ka etiketuar të ashtuquajturat media “të lira” dhe veprimtarët e “huaj”, të cilët sipas tij janë larg interesave themelore të popullit shumëkombësh të Kazakistanit.

Në fazën aktuale Presidenti Tokajev i cilëson si një marrëzi thirrjet që vijnë nga komuniteti ndërkombëtar për nisjen e negociatave për zgjidhjen paqësore të konfliktit. Tokajev: “Çfarë marrëzie, çfarë negociatash mund të zhvillohen me kriminelë, me vrasës?!”. Duket qartë se Presidenti i Kazakistanit ka përzgjedhur përdorimin e forcës për rikthimin e rendit kushtetues në vend.

Regjimi aktual autoritar nuk do të dorëzohet, nëse do të ketë nën kontroll forcat e armatosura dhe policinë që do të zbatojnë pa diskutim të gjitha urdhrat e pushtetit aktual. Nëse policia dhe ushtria refuzojnë t’u binden urdhrave, siç ndodh tashmë në disa zona të vendit, skenari do të ketë një tjetër zhvillim. Në këtë rast, përfaqësuesit e regjimit aktual do të kenë dy mundësi: ose të largohen nga vendi, ose të negociojnë me protestuesit.

Përse nuk mund të konsiderohen ende një “revolucion” i mirëfilltë këto protesta?

Për kryerjen e një revolucioni nevojiten gjashtë faktorë kyç. Cilët janë këta faktorë: lideri, ideja (ideologjia), struktura, paratë, koha, mbështetja e jashtme. Ashtu si në situatën me protestat në Bjellorusi një vit e gjysmë më parë, vërejmë mungesën e të gjashtë faktorëve. Për sa kohë nuk vërehen të paktën katër faktorë nga të lartpërmendurit, nuk ka kuptim të flitet për ashpërsinë e trazirave dhe transformimin e tyre në revolucion mbarëkombëtar.