Servet TARTARI*/ Korrupsioni dhe justifikimi qeveritar për makinat e përdorura

526
Sigal

Në një të përditshme shqiptare, të datës 6 Nëntor 2013, u botua artikulli: “Ndaloni makinat  e  përdorura”! Ju drejtohemi, këtyre zotërinjve, në respekt, si Shqiptar: Në cilin vend të Europës, madje, edhe të botës, nuk ka makina të përdorura në qarkullim?!… Edhe në shtetet më të zhvilluara, apo shtetet që na rrethojnë, kanë në qarkullim, më shumë se ne, makina të përdorura. Madje, në Shqipëri, ka makina luksoze, më shumë se në shtetet e tjera krahasuar me popullsinë tonë, e sidomos, të nivelit më të ulët të të ardhurave. A nuk quhet e re, kur makina ka dalë nga servisi? Apo quhet makinë e vjetër nga llamarina? Sot makinat koalidohen në kushtet që ka edhe Europa, dhe kur makina plotëson kushtet teknike dhe higjienike, si mund t’a heqësh nga qarkullimi?! Por le t’i referohemi fakteve, ka shumë makina që janë prodhuar nga vitet 2000, 2006, 2008 që lëshojnë tym, por që janë në kushte brenda normave. Edhe kjo ka shumë arsye, siç është nafta jashtë kushteve të përdorimit, apo ndërrimi i vajit, dhe makina do të ketë tjetër punim, duke mos e prishur ambientin. Thuhet: “Të hiqen mjetet e përdorura nga qarkullimi”. Po mirë more zotërinj të nderuar, e llogarisni, se në çfarë niveli jetese është populli i jonë, ku mbi 60% janë në varfëri, madje, marrin bukë me lista. Po pensionistët? Po të përndjekurit politik që ende nuk janë shpërblyer, madje ka nga ata që janë pa strehim dhe ju kërkoni të marrin makina me zero kilometra?!Pse të mos thuhet e kundërta, që të luftohet korrupsioni!? Le të bëhet një analizë e të gjithë atyre që, kanë makina luksoze, që variojnë nga 30, 50 apo 100 mijë euro, si i kanë blerë, me çfarë të ardhurash janë blerë? Nga i kanë siguruar këto të ardhura marramendëse, duke krahasuar nivelin e të ardhurave dhe të jetesës të shumicës në vendin tone?! Mund të themi pa ndrojtje se, Shqipëria zë vendin e parë në përdorimin e makinave luksoze, krahasuar me popullsinë dhe të ardhurat, si dhe nivelit të jetesës në vendin tonë, të përqendruara në pak shtetas. Më tërhoqi vëmendjen diskutimi i disa deputetëve shumë të nderuar, ku u shprehën hapur se: “E kemi të pamundur, që të blejmë makina me kilometra zero”. Kur nuk munden deputetët, që kanë një pagesë shumë më të lartë se pagat e punonjësve, po ashtu edhe të pensionistëve, dhe të përndjekurve politikë, të mos llogarisim shtresat e tjera, që jetojnë në kushte ekonomike të tejskajshme. Nuk është fjala këtu që të lihen në qarkullim automjetet shumë të amortizuara, por mjetet që plotësojnë kushtet teknike dhe higjienike, pavarësisht nga koha e përdorimit apo e prodhimit, ç’të keqe i sjellin mjedisit ?! Pse të mos themi që, ky pretendim quhet korrupsion dhe duhet luftuar e jo të përkrahet nga ndonjë pushtetar, që është i lidhur me korrupsionin, si në pushtetin e djeshëm, dhe të sotëm. Një gjë me mend duhet bërë. Janë shumica që e kërkojnë këtë.

*Publicist-shkrimtar