Ruben Avxhiu: Shqiptarët dhe deliri i një dileme

547
Sigal

Shqiptarët duhet ta
shohin mirë dhe me vëmendje Hillary Klinton. Jo sepse mund të shkruajë një faqe
të re historie duke u zgjedhur presidentja e parë grua në SHBA. Po sepse as ka
ndodhur dhe nuk do të ndodhë asnjëherë më, në historinë moderne, që kandidati
për postin më të fuqishëm të botës të njohë kaq mirë çështjet shqiptare, të
ketë vizituar kaq shpesh trojet shqiptare, dhe të njohë personalisht kaq shumë
shqiptarë. Sikur të ishim njerëz me këmbë në tokë, modestë, dhe të mos vuanim
nga amnezia historike do të ishim tani duke fërkuar sytë e duke pickuar mishin
për t’u zgjuar nga ëndrra apo për të kuptuar se si na erdhi ky fat për një
popull që historia e ka sfiduar e tallur jo pak herë. Mirëpo, e vërteta është
që shumëkujt pre nesh, përfshi edhe ata që e adhurojnë kandidaten demokrate,
kjo më sipër na duket e natyrshme. Na duket normale që njeriu më i fuqishëm i
botës ta dijë personalisht se ku bie Shqipëria, Kosova, se ku jetojnë
shqiptarët etj. Kështu ndodh, kur je zhytur mirë thellë në delirin e paparë ku
na duket se bota rrotullohet rreth nesh, jo vetëm që nuk të bën përshtypje kjo
gjë e jashtëzakonshme, po ia mbush mendjen vetes se kjo zgjedhje presidenciale
në SHBA është një dilemë legjitime.

Kandidati që mbështet
aspiratat shqiptare

A të votojmë për
kandidatin e parë dhe të fundit që njeh dhe mbështet aspiratat tona kombëtare,
demokratike dhe të lirisë, apo të mbështesim një kandidat që as e njohim, as na
njeh dhe as ka durimin e të dijë për ekzistencën e popujve të vegjël, të
situatave dhe historive komplekse. Kjo nuk është thjesht punë nacionalizmi.
Ndërhyrja amerikane në Ballkan i dha fund një dekade luftërash, përmbysi
peshoren e fuqisë që kishte dënuar me humbje historike shqiptarët përballë
serbëve, solli çlirimin e Kosovës dhe zvarritjen e detyruar të rajonit drejt
një demokracie liberale. Kjo ka përmirësuar jetët e të gjithëve, ka ndërprerë
vrasjet dhe përdhunimet masive, luftërat, ka ngritur standardet e jetesës, ka
shtuar sigurinë e përditshme, lirinë e të folurit, emancipimin e grupeve dhe
individëve tradicionalisht të shkelur me këmbë. Të duash një Amerikë të
angazhuar në rajon nuk është thjesht nacionalizëm shqiptar është një shpesë për
një jetë më të mirë dhe më të sigurtë për të gjithë. Ka ende shumë probleme
Ballkani edhe sepse shumica e ndryshimeve kanë ardhur kundër dëshirave të
shumicës së njerëzve që jetojnë aty. Për shembull, nëse ballkanasit do të
votonin Kosova nuk do të bëhej kurrë e pavarur, po do të mbetej pjesë e
Serbisë. Po ky angazhim dhe investim amerikan për të përmirësuar jetën në
Ballkan nuk është pafund. Në fakt, me Klinton kjo periudhë arrin fazën e saj më
të lartë dhe të fundit. Pas kësaj rifillon normalizimi i marrëdhënieve të një
vendi të madh me një komb të vogël. Nuk do të ketë më një lidhje kaq speciale.
Jo sepse Trump është kundër shqiptarëve. Po sepse kohët po ndryshojnë dhe
kandidati republikan është një nga sinjalet paralajmërues të ndryshimit. Trump
është prodhimi i një Amerike të cilës i ka ardhur bota në majë të hundës. I një
Amerike për të cilën shqiptarët e serbët janë njësoj, dy popuj aty larg që nëse
nuk binden le t’ia hanë kokën njëri-tjetrit. Sa shqiptarë kam dëgjuar e lexuar
në vitet e fundit, që shfryjnë me urrejtje kundër Amerikës. Punë e madhe se i
shpëtoi shqiptarët, shiko se çfarë bëri në Irak. Punë e madhe se shpëtoi
shqiptarët, shiko me siguri po komploton kundër Erdoganit. Punë e madhe që
shpëtoi shqiptarët, shiko se çfarë po bën imperializimi, neoliberalizmi,
globalizmi, etj, etj. Më keq akoma, ashtu si serbët në 1999, ka filluar loja
për të gjetur arsye banale për të shpjeguar ndihmën dhe interesin. Donin
Trepçen. Donin bazën në Bondsteel. Na penguan se po të mos ishin këta do të
shkonim deri në Beograd. Po mbrojnë Thaçin, po mbrojnë Berishën, po mbrojnë
Ramën. Pse duhet Amerika të shpenzojë energjitë e saj atëhere, të investojë për
të ringritur në këmbë shoqëri e kombe që herët a vonë do të kthehen kundër saj.
Trump është besimi i amerikanëve se është çmenduri t’u bësh nder popujve të
tjerë. I një Amerike që ka mjaft halle në tokn e saj kështu që nuk ka nge të
zgjidhë ato në anët e tjera të globit. I një Amerikë që refuzon të mësojë se
kush janë shqiptarët dhe serbët. Kjo Amerikë mund të jetë një fazë kalimtare,
po mund të jetë edhe epoka e re e historisë, që katër vite të Presidentes Klinton
mund të mos e ndalojnë dot. Ndoshta republikanët do të kenë katër vjet për të
vendosur edhe njëherë nëse mund ta bindin shumicën masive të bazës së tyre se
SHBA duhet të luftojë për lirinë dhe demokracinë në botë. Ndoshta demokratët do
të mund të bindin rininë e tyre radikale se SHBA duhet të mbetet në kontroll të
rendit botëror për të mos lejuar erozionin global të demokracisë liberale. Po
gjërat për shqiptarët nuk do të jenë më kurrë njësoj. Një nga dukuritë më
interesante të kësaj fushate te shqiptarët e Amerikës kanë qenë njerëzit që
kanë investuar mijëra dollarë gjatë 25 viteve të fundit për Klinton dhe
politikanë si ajo e që tani duan të fitojë Trump. Ose kanë folur kundër saj me
delirin e atij që nuk e kupton fatin e madh që ka pasur, që nuk vlerëson
sakrificën e vet, dhe që nuk di të mbledhë frytet e investimit të tij jetësor.
Disa nga këta njerëz, Klinton mund t’i njohë me emër, ndërsa Trump nuk do ta
dijë kurrë se kush janë, po çfarë joshje e pandalshme për të përbuzur aleatin
dhe për t’i shërbyer atij që nuk e di se kush je. Mos u habisni. E kemi në ADN
që udhëheqësit e gabuar dhe abuzues të na bëjnë për vete. Si ata kafshët e
cirkut që janë rrahur në moshë të vogël dhe i nënshtrohen me gëzim lëvizjes së
shkopit, kur dëgjojmë një udhëheqës me retorikë abuzive si ata që nga trojet
prej të cilëve kemi ikur, përndizet mazokizmi ynë historik.

Lidhja me shqiptarët

Klinton në vitin 1992
vizitoi New York-un për të ndihmuar zgjedhjen e bashkëshortit Bill Klinton për
president të Amerikës. Ajo u takua me kryeredaktorin e gazetës ‘Illyria’ Joe
Finora dhe botuesin e sotëm Vehbi Bajrami. Klinton në 1992 vizitoi New York-un
për të ndihmuar zgjedhjen e bashkëshortit Bill Klinton për president të
Amerikës. Ajo u takua me kryeredaktorin e gazetës Illyria Joe Finora (djathtas)
dhe botuesin e sotëm Vehbi Bajrami. Kanë ndryshuar shumë gjëra në këto 30 vite
për shqiptarët këtu. Askush nuk i mban mend sytë e shuar të politikanëve,
diplomatëve e ekspertëve që dëgjojnë me mendjen te akrepat e orës, për vuajtjet
e shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi. Ngatërrimin e Shqipërisë me Armeninë,
vërtitjen e kotë me flamuj përpara ambasadave e institucioneve në Washington.
Entuziazmi për ndonjë amerikan kurioz, që ka zero ndikim në politikën e
jashtme, po që në orën e pushimit të drekës, ndalon për të mësuar kush janë
protestuesit ekzotikë të radhës në trotuarin tjetër të selisë së OKBë. Mund të
gjesh dy-tre kongresistë që të thonë ndonjë fjalë për ty në Kongres e në media.
Edhe Serbia i ka pasur. Që deklaratat e tyre të bëhen politikë e jashtme e
vendit është gati e pamundur. Kongresistët shpesh kalojnë dekada duke mbajtur
votues e donatorë me shpresa se në mos kjo administratë tjetra do të tregojë
interes. Të kesh një diplomat dhe ekspert që ka simpati për kauzën tënde nuk
është e lehtë. Çfarë fati nëse diplomati merr ndonjë post që ka rëndësi. Po
nëse bëhet ndihmës Sekretar i Jashtëm, apo zëvendës-Sekretar i Jashtëm? Apo
NënSekretar i Jashtëm? Ka disa poste të tilla. Duken konfuze sepse ashtu janë
krijuar. Lobistët shkëmbehen nga një zyrë te tjetra me shpresën për të kuptuar
se ku mund të ndikojnë. SHBA është një superfuqi me vëmendje të kufizuar.
Këmbanat nga e gjithë bota bien për vetësh e këtij vendi të madh. Zilja e vogël
e shqiptarëve ka qenë me fat. Po edhe shqiptarët kanë bërë të gjitha sakrificat
që mund të bëjnë si komunitet për ta tundur fort dhe me alarm atë. Tani, kur në
karrigen më të fuqishme të vendit më të fuqishëm, mund të ulet dikush që na
njeh, çfarë çmendurie që sa e sa shqiptarë e shohin me urrejtje dhe me shpresë
që të humbasë. Se duan ta rregullojnë Amerikën ata që ende nuk kanë rregulluar
shtëpinë e tyre? Se vendosin partinë dhe ideologjinë përpara atdheut për të
cilin mburren se mendojnë ditë e natë? E them shpesh këtë se Tibeti është disa
herë më i madh se Ballkani, gati sa e gjithë Europa Lindore. Se kurdët janë 25
milionë vetë dhe nuk kanë ende një shtet, ndërsa ne mund të bëhemi shumicë në
tre shtete. O deliri i fukarait të përjetshëm kur papritur bie në pak begati.
Një nga fotografitë e para të Klinton me shqiptarët është nga vitet në 1990,
duke mbajtur në duar një kopje të gazetës “Illyria”. Kishte ardhur për të
bindur shqiptarët se Bill Klinton do të ishte shumë më i mirë për ne. I
buzëqeshëm mirëpo, të them të drejtën dy herë kemi votuar masivisht kundër tij.
Sot, ai ka një statujë në Prishtinë dhe Kosova është e pavarur nga Serbia.
Hillary u rikthye përsëri te shqiptarët në Bronx dhe në gazetën ‘Illyria’ kur
kandidoi si senatore. Ka edhe një fotografi të dytë duke e lexuar atë. Në ato
tetë vite i njohu edhe më mirë shqiptarët këtu. U vendosën me shtëpi në veri të
qytetit, ku banojnë shqiptarë. Si Sekretare e Shtetit, në krye të diplomacisë
më të fuqishme të botës, ndihma e saj për njohjen e Kosovës dhe përparimin e
Shqipërisë ka qenë e madhe. Po shqiptarët nuk përfituan shumë në atë kohë,
ndonëse zunë miqësi me shumë nga diplomatët që drejtonin Departamentin e
Shtetit dhe do të drejtojnë diplomacinë amerikane nëse ajo zgjidhet presidente.
Nuk përfituan shumë sepse interesat partiake e personale po dominojnë përsëri
mbi ato kombëtare e demokratike. Po sidomos sepse ne besojmë se shumica e
punëve u zgjidh, se tani e tutje do të jetë gjithmonë kështu. Ne do të tregojmë
sesa shumë e duam Amerikën dhe ky vend do të bëjë gjithshka për ne, kushdo që
të zgjidhet. E kaluara u harrua. Edhe rruga që na solli deri këtu. Në javët e
festës së 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Klinton deklaroi në Tiranë
përpara parlamentit shqiptar. “Kemi qenë me ju gjatë 100 viteve të kaluara dhe
do të jemi me ju edhe në 100 vitet që po vijnë”. Ky njeri tani mund të bëhet
president i Amerikës! Trump ka shanse të mëdha sepse si asnjëherë tjetër në
kohën moderne ka në Amerikë, një mobilizim të një vote proteste, votë frustrimi
dhe mosbesimi. Po vota shqiptare për Trump nuk është e tillë. Nuk është një
votë proteste. Është votë vetëkënaqësie, skizofrenie dhe amnezie.