RRËFENJË PËR DY PIKAT MBI ZANOREN E TRETË TË SHQIPES…

630
Abdurahim Ashiku
Shënim me dhimbje
Këtë rrëfenjë, me emër të vërtetë, shkruar si sot katër vjet më parë, e kërkova në arkivin tim pas një përgjigjeje që më erdhi nga portali “Shqipëria që duam”, përgjigje që në rreshta “varka e shqipes” kishte thyer bashin dhe ecte kuturu…

Më sëkëlldisi tek e lexoja dhe e “përktheja” por nuk më dëmtoi materialisht…
Rrëfenja e shkruar katër vjet më parë kishte “vrarë” një njeri, kishte bërë të kruajë xhepat, të mallkojë ata që nuk kanë pikë mbi Ë në trurin e tyre…
Dhe jo vetëm një, mijëra, dhjetëra mijëra…
Po e përcjell me vlerë dite…

Shpëtim e quajnë…Kështu e thirrën babai dhe nëna në një ditë të zakonshme të vitit 1969. Kështu e thërrasin edhe sot kur kanë mbi shpinë barrën e madhe të viteve. Shpëtim e thirrën… Dhe e shkruan, klasë pas klase, nga e para e fillores, tek e fundit e universitetit. Shpëtim ishte e shkruar në gjendjen civile. Shpetim ia shkruan, mbi pasaportë…Dy pikat, mbi germën e tretë, zanore e shqipes së Kongresit të Manastirit, ia morën, ia vodhën, ia hodhën, sheshmbeturinave, si të ishin…Pa erë, pa vlerë…Për kaq, për dy pika mbi zanoren e tretë, askush nuk e vret mendjen, nuk flet, nuk thërret, nuk bërtet. Thjesht se ne shqiptarët jemi mësuar të na e shpërbëjnë emrin, dinjitetin, identitetin.

Pa dy pikat mbi germën e tretë zanore të alfabetit shqip të Manastirit Shpëtimi – Shpetim shkruar në pasaportë do të udhëtonte i qetë tërë jetën nëpër vendlindjen e tij… Do të udhëtonte… sikur një ditë, tek dorëzonte dokumentet për rinovimin e letrave në njësinë bashkiake të Athinës nëpunësi të mos e kishte kthyer mbrapsht. Mbi pasaportën e tij mungonin dy pika mbi germën e tretë zanore. Mbi certifikatën e tij ishin të pranishme dy pikat mbi germën e tretë zanore. Nëpunësi nuk bënte prapa. Për të i dilnin përpara dy emra të ndryshëm, shkruar ndryshëm. Koha nuk priste dhe heroi ynë u nis urgjent për në Tiranë…U ngjit në katin e dytë të ndërtesës në krah të Ministrisë së Drejtësisë (!), trokiti në derën e gjendjes civile dhe pa pritur përgjigje hyri brenda.

– Kam një hall, i tha nëpunëses. – Kam ardhur urgjent nga Greqia duke udhëtuar gjithë natën. Më duhet të kthehem me autobusin e mbrëmjes në mënyrë që nesër në mëngjes të paraqes dokumentet. Nuk ma pranojnë certifikatën e lindjes sepse emri im mbi pasaportë ndryshon nga ai mbi certifikatë. Në pasaportë e kanë shkruar Shpetim kurse në certifikatë Shpëtim. Më duhet patjetër një certifikatë me emrin Shpetim.

– Është e pamundur, – i thotë nëpunësja.- Kjo bëhet me vendim gjykate.- Nuk kam kohë për t’u sorollatur gjyqeve. Është tepër urgjente. Rrezikoj përzënien nga Greqia bashkë me gruan dhe fëmijët. Humbas punën..
.- Po…- u mblodh nëpunësja duke përdredhur supet. 
– Ta paguaj…
– Bën njëzetmijë lekë…
– Urdhëro pesëdhjetëmijë. Hallall i paç, vetëm më çliro nga kjo barrë…!
Mbi tavolinë hodhi një llapushë të madhe pesëmijë lekë-she nga ata të prerjeve të fundit.
Nëpunësja, pa kaluar as dhjetë sekonda, i dha në dorë certifikatën me firmë dhe vulë.

Shpetimi ndjeu në duar ngrohtësinë e letrës që sapo kishte bërë rrugë nga kompjuteri në printer dhe erën e bojës së vulës të gjendjes civile. Zbriti shkallët dhe u fut në një qoshk për t’u qetësuar me një birrë e dy qofte që i zbritën nga skara. Shpetimi, i çliruar nga dy pikat mbi zanoren e tretë të shqipes së Kongresit të Manastirit prapë e ka një hall…Vajza e tij e bukur me emër qiellor Rea nuk mund të udhëtojë të takohet me gjyshin dhe gjyshen, veçse kur mblidhen e lidhin fjalën “për ditë të shënuara fetare” dy policët e dy vendeve, (apo dy ministrat e jashtëm) grekë e shqiptarë. Pasaporta e Reas së vogël dy vjeçe është shkruar me gabime toponimike. E ka shkruar e njëjta administratë analfabete që ka marrë në dorë të bëjë pasaportat dhe letërnjoftimet e shqiptarëve…

Shënim: Rrëfenja është e vërtetë në tërë detajet e saj. Emri është i vërtetë, nuk është pasuar vetëm nga mbiemri.

Jam i sigurt se askush nuk do të dyshojë në të vërtetën e rrëfenjës. Secili mërgimtar e ka një tregim të kësaj përmase apo edhe i përmasave më të mëdha. Jo vetëm në Greqi por edhe kudo ku punojnë e jetojnë shqiptarë me pasaportë shqiptare…Në Bruksel një vajze me emër të përveçëm në mërgatën shqiptare ia refuzuan nënshtetësinë vetëm për dy pika mbi zanoren e tretë. 

Në pasaportë ishte shkruar vendlindja KUKES kurse në certifikatë KUKËS…
Deri kur në administratën e shtetit shqiptar do të gëlojnë nëpunës analfabetë?
Sigal