Ronald Regan dhe Margaret Theçer, bashkëpunimi i tyre për rënien e komunizmit në Evropën Lindore

951
Diana Skrapari

Ronald Regan ishte fitimtari i Luftës së Ftohtë dhe për amerikanët, personaliteti publik i preferuar, sipas një ankete të realizuar nga televizioni në 2005, një vit pas vdekjes së tij. Në politikën ndërkombëtare, periudha e presidencës së tij i takon krizës së raketave evropiane, rearmatimit dhe ngritjen e buxhetit ushtarak për të financuar projektin e iniciativës së mbrojtjes strategjike. Mandati i dytë i tij është shënuar nga vazhdimi i rritjes ekonomike, vetëm pas krashit të tetorit 1987, një inflacion i vogël, një përqindje papunësie të vogël dhe dollari amerikan shumë të fuqishëm në tregjet botërorë. Në planin ndërkombëtar, riarmatimi shpejtoi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe që u shënua nga fjalimi i Berlinit, ku Presidenti Regan i bën thirrje Mikhail Gorbaçovit të shembë murin e turpit, murin që ndante Berlinin. “Mister Gorbatchev, Tear down this wall!”

Jean Pisany-Ferry, drejtor i Institutit Bruegel, e përshkruan kështu ardhjen në pushtet të Ronald Regan dhe Margaret Theçer: « Shekulli XX mbaroi në 1989 me shembjen e Murit të Berlinit, por ishte pikërisht 10 vjet më parë që gjithcka filloi me ardhjen në pushtet të Ronald Reganit dhe Margaret Theçerit.

REVOLUCIONI KONSERVATOR. E djathta e vjetër paraqitej si garante e rendit të vjetër. Theçeri dhe Regani ishin forcë ndryshimi, atë që Karl Marks e quante forca revolucionare e kapitalizmit. Dhe mësimi u dëgjua në të gjithë botën.

Lodhja e BS. Përkrahësit e Reganit thonë se ai është fitimtari i Luftës së ftohtë dhe s’gabohen. Duke lançuar fushatën e armatimit, ai e gjunjëzoi BS-në dhe e detyroi të fillonte reforma, të cilat sollën fundin e rregjimit.

Në një artikull të botuar në Associated Press në 5 qershor 2004, marrëdhënia e tyre përshkruhet kështu: «Ai e quante njeriun më të mirë në Angli ». Dhe ajo ka thënë njëherë se “A ishte burri i dytë më i rëndësishëm i jetës së saj”. Ajo ishte lideri i parë perëndimor që e përgëzoi kur u zgjodh President dhe marrëdhënia e tyre e fortë i ndihmoi të ndryshonin botën.

“Ronald Regan ishte lideri që e fitoi Luftën e Ftohtë për lirinë dhe e bëri këtë pa asnjë të shtënë pushke”-tha Znj. e hekurt kur mbante zi për politikanin më të afërt dhe një nga miqtë e saj.

Ai arriti kaq shumë, më shumë sesa pritej me shumë humor dhe humanizëm. Dhe të gjitha këto e bëjnë Ronald Reganin, një hero të vërtetë amerikan -shtoi Znj. Theçer.

Ronald Regan doli si pretendent serioz i presidencës amerikane dhe Znj.Theçer ishte Lidere e Partisë Konservatore kur ajo takoi për herë të parë Governatorin e Kalifornisë, Regan në 1975. Ajo kishte dëgjuar nga i shoqi, Denis, i cili në fund të viteve ’60 ishte kthyer me entuziazëm në shtëpi pas një fjalimi të shkëlqyer të Ronald Reganit në Institutin e drejtuesve të ndërmarrjeve. Kur lexoi fjalimin, Znj.Theçer e kuptoi se për cfarë bëhej fjalë. Kur ajo takoi Reganin u mahnit nga sharmi, humori dhe sinqeriteti i tij. Ai propozonte reduktime fiskale për të lancuar ekonominë dhe shtuar pasuritë dhe ishte për një mbrojtje të fortë. Znj.Theçer lexonte me vëmendje të gjithë fjalimet e tij në radiot dhe televizionet kaliforniane.

Në 2 shkurt 1981, kur Ronald Regan u bë Presidenti i SHBA-ve, ai i dërgoi këtë letër Znj.Theçer:

“Ju keni të drejtë që ne kemi të njëjtin mendim mbi demokracinë dhe lirinë. Kjo është gjëja më e rëndësishme në marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe kjo është një bazë e shkëlqyer për inaugurimin e një periudhe kooperimi midis qeverisë tuaj dhe administratës sime”.

Sipas znj.Theçer në librin e kujtimeve të saj, zgjedhja e Ronald Reganit ishte e një rëndësie të veçantë, sepse ajo tregonte se SHBA, forca më ë madhe e lirisë që bota ka njohur ndonjëherë, donte të afirmonte supremacinë e saj sërisht. Ajo s’ka dyshuar kurrë në rëndësinë e këtij ndryshimi, ajo mendonte se detyra e saj ishte, që në fillim të bënte të pamundurën për të forcuar dhe favorizuar strategjinë e guximshme të Presidentit Regan për të fituar Luftën e Ftohtë që Perëndimi kishte humbur. Margaret Theçer ishte mbështetja më e fortë e Presidentit Regan në NATO.

Znj.Theçer mban këtë fjalim në SHBA mbi “Mbrojtjen e lirive”:

“Ne të gjithë e dimë se vitet ’80-’90 do të jenë të vështira dhe të rrezikshme. Do të ketë kriza dhe probleme. Por besoj se era po fryn në favorin tonë. Vendet në zhvillim i kanë kuptuar qëllimet e vërteta të sovjetikëve. Tashmë ka një udhëheqje tjetër në Aleancën perëndimore. Ka një udhëheqje tjetër në Amerikë që i jep shpresë dhe besim të githë vendeve të Botës së Lirë.”

Kur Presidenti Regan filloi mandatin e tij BS pushtoi Afganistanin, vendosi raketa në Evropën Lindore të drejtuara drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe vëzhgoi se si komunitete të botës së tretë u vendosën në pushtet kundër vullnetit popullor. Hapi i parë i Presidentit Regan ishte ndryshimi i bilancit ushtarak. Ai ndërtoi fuqinë amerikanë me një seri buxhetesh për mbrojtjen. Ka pasur kritika që kjo ishte shumë e shtrenjtë. Presidenti Regan i dha mbështetjen e SHBA-ve të gjithë kombeve që luftonin për pavarësinë e tyre ndaj BS. Politika e tij ka pasur 3 suksese: 

• tërheqjen e trupave sovjetikë nga Afganistani;
• mundësinë e vërtëtë të tërheqjes së trupave kubanë nga Angola;
• tërheqjen e trupave vietnamezë nga Kamboxhia.
Në datën 13janar 1982, ai i shkruante Znj.Theçer:

“Në takimin tonë në Ottawa në korrikun e kaluar, ju fola për domosdoshmërinë e një kontrolli më të mirë të biznesit me BS-në për sa i përket gjërave strategjike dhe teknologjike. Qëllimi ynë është të forcojmë sigurinë perëndimore. Ne ramë dakort për një mbledhje për të diskutuar mbi këtë temë. Kjo mbledhje duhet të gjejë një konsensus për kontrollet më të shpeshta që duhen forcuar dhe administruar. Gjatë dekadës së fundit, eksportimet e perëndimit dhe blerjet ilegale të BS-së kanë dhënë një kontribut të madh rritjes së kapacitetit ushtarak të BS dhe Paktit të Varshavës. Këto kontribute janë shtuar ndryshimeve të bilancit ushtarak global dhe ne duhet ta rimëkëmbim atë me një shpenzim të madh. Eksportimi i pakontrolluar i teknologjisë dhe mjeteve të infrastrukturës ushtarake në drejtim të BS duhet ndaluar.”

Bashkë me Margaret Theçerin, ata formonin një ekip të mirë, sepse kishin të njëjtën analizë për funksionimin e botës, megjithëse ishin dy njerëz komplet të ndryshëm. Ronald Regan kishte një botëkuptim të mprehtë të panoramës strategjike, por ia linte detajet taktike të tjerëve. Margaret Theçer ishte koshiente që marrëdhëniet me sovjetikët duhet të shikoheshin ditë për ditë që mos të bëheshin të pakontrollueshme.

Të dy ishin të bindur për një mbrojtje të fortë, që ishte e vetmja mënyrë për të zhdukur komunizmin. Ata dëshironin një sulm të lirisë. Regani ishte për një fushatë ndërkombëtare në favor të demokracisë për të mbështetur «revolucionin demokratik që gjente forca të reja».

Kjo tregonte një orientim të ri të luftës së perëndimit kundër komunizmit dhe ishte manifesti i doktrinës së Reganit -krejt ndryshe nga doktrina Brezhnev- sipas së cilës perëndimi s’do t’i linte vetëm vendet ku komunizmi ishte vendosur me forcë.

Iniciativa e Reganit që shqetësonte komunistët ishte vendimtare në luftën e perëndimit. Rritja e armatimit në vendet perëndimorë e çoi drejt katastrofës ekonominë sovjetike të planifikuar. Rënia e Murit të Berlinit ishte një episod me rëndësi. Kjo shënoi dhe fundin e rregjimit komunist në Evropën Lindore.

Ronald Regan e mbaroi mandatin e tij si President i SHBA-ve në vitin 1989. Ai vdiq në 5 qershor 2004 pasi kishte sëmundjen e Alzheimeirit që prej vitit 1994. Znj. e hekurt mbajti këtë fjalim në funeralin e tij në 11 qershor 2004:

“Ne kemi humbur një president të madh, një amerikan të madh, një njeri të madh dhe unë një shok të mirë…Shumë veta profetizuan fundin e Perëndimit. Ai frymëzoi Amerikën dhe aleatët e saj me një besim të ri në misionin tonë për liri …

Shumë shpresonin një bashkëjetesë të vështirë me BS. Ai e fitoi Luftën e Ftohtë, jo vetëm pa asnjë të shtënë, por duke ftuar armiqtë e tij të dilnin nga fortesat dhe t’i transformonte në miq. Nuk mund ta imagjinoj se si një diplomat ose aktor dramatik mund t’i përmirësonte fjalët e tij thënë Mikhail Gorbaçovit në Konferencen e Gjenevës : «Më lini t’ju them pse nuk kemi besim tek ju!». Këto fjalë janë të pastra, por edhe të rënda… Ata janë një ftesë për një fillim të ri dhe një marrëdhënie të re të bazuar mbi besimin…Si Kryeministër unë kam punuar bashkë me Ronald Regan për mëse 8 vjet (më të rëndësishmit e jetës sonë). Në flisnim rregullisht, para dhe pas presidencës së tij dhe unë kam pasur kohë të mendoj, pse ai ishte një president i madh…Ai na tha se BS kishte një motivim pa mbarim për pushtetin ushtarak dhe zgjerimin territorial, por ai e dinte se kjo do të zvogëlohej nga dështimet e reformave të pamundura. Ai nuk hezitoi të denonconte Perandorinë e së keqes të Moskës, dhe kishte besim se një njerii besueshëm mund të dilte nga këta korridorë të errët. Presidenti i rezistoi zgjerimit të BS dhe u mbështet në çdo pikë të dobët të BS, deri sa komunizmi ra nën presionin e difekteve të tij. Dhe kur një burrë me vullnet të mirë doli nga rënojat, presidenti Regan iu drejtua për t’i dhënë dorën dhe për t’i ofruar një kooperim të sinqertë. …Me patriotizmin amerikan, ai ngriti botën. Dhe sot bota, në Pragë, në Bukuresht, në Varshavë dhe në Sofie, në Budapest, në Kiev dhe në Moskë, bota qan vdekjen e çlirimtarit të madh dhe i bën jehonë lutjes së saj: Zoti bekoftë Amerikën! 

Popujt e liruar nga komunizmi në Evropën Lindore do t’i jenë mirënjohës presidentit Regan dhe Margaret Theçerit për luftën kundër komunizmit.Ai ka dhënë një kontribut të madh dhe fjalët e tij në Londër në qershor 1988 do të ngelen të paharruara :

« Ne e vendosim besimin tonë në një ligj suprem …ne mendojmë që njerëzimi nuk duhet çnderuar nga Shteti i plotfuqishëm, por duhet të jetojë sipas imazhit dhe ngjashmërisë së Atij që e krijoi ».
Sigal