Rezarta SHEHU/A jetojmë në një demokraci të vërtetë me të gjitha parimet?

675
Sigal

Në të vërtetë, të flasësh për politikë në vendin tonë, është sa e vështirë aq edhe gjë e zakonshme. Edhe pse duket se të gjithë, i madh e i vogël, të arsimuar ose jo, punëtor i thjeshtë apo nëpunës i administratës, të moshuar apo të rinj, etj. Me pak fjalë të gjitha kategoritë e shoqërisë duket sikur “marrin vesh” nga politika. E në fakt të gjithëve i’u duket vetja nga pak politikanë. Më bën përshtypje pse gjithë ky interes? Është kulturë të flasësh për politikë, është trend, është vrasje e kohës, është detyrë ndaj shoqërisë, ka pakënaqësi ndaj aktualitetit, apo thjesht kohë fushatash? Shqipëria është një vend i vogël me pak njerëz, me një sipërfaqe të vogël e me ndërtime pa kriter. Me pak fjalë, mungon një plan urbanistik i studiuar dhe duket sikur të zihet fryma. Mungesa e gjelbërimit, por edhe niveli i lartë i ndotjes akustike apo të mjedisit, ndikon negativisht në të përditshmen tonë. Duke qenë se jemi një vend i vogël, mendoj se është më e lehtë për t’u sistemuar, për t’u organizuar dhe për të bërë lëvizje të rëndësishme përpara. Qofshin këto në infrastrukturë, në arsim, në shëndetësi, në sistemin gjyqësor, sa i përket zgjidhjes së çështjes së pronave, në kontribute të ndryshme shoqërore, në ngritjen e strukturave të veçanta për rimëkëmbjen e bujqësisë, në sistemin e ngrohjes etj. Fatmirësisht na ka bekuar natyra me klimën e favorshme mesdhetare, sepse na mungojnë aftësitë për të krijuar dhe menaxhuar sisteme si në vendet e tjera europiane apo perëndimore me klimë të ftohtë, një gjë e tillë është e detyrueshme. Ne kemi mjaft burime natyrore të pashfrytëzuara p.sh nafta në Patos e vende të tjera, kemi fruta dhe perime bio e me shumë shije, por këta sektorë janë  lënë pas dore. Në këtë drejtim nuk është bërë asgjë dhe për më tepër fermerët ankohen për mungesë të tregut të shitjes. Sigurisht që jemi mjaftueshëm të informuar, se në vende të zhvilluara të botës, për kujdesin dhe rëndësinë që ata i kushtojnë mjedisit, gjelbërimit, si edhe ndërtimi i  qyteteve është bërë që në kohët e hershme mbi plane urbanistike të studiuara. Kur shkojmë në vendet perëndimore apo kudo në Europë, pasi i shikojmë dhe mahnitemi me bukuritë e krijuara nga dora e njeriut, bëjmë pak ose aspak për ndërtimin e vendit tonë. Me një sy të parë nga jashtë, shoqëria jonë është një shoqëri që parapëlqen më tepër të harxhojë kohë, duke ndenjur me orë të gjata kafeneve nga mëngjesi në darkë, mund të frekuentojmë  çdo ditë të javës pub-et,  mund të lexojmë gazetën (një pjesë) dhe të flasim për politikë si të ishim ekspertë të vërtetë. Po sa i takon lirisë, të drejtave dhe detyrimeve në vendin tonë? – A jemi ne mjaftueshëm të lirë për t’u shprehur, për t’u punësuar, për t’u arsimuar, ku dhe si të dëshirojmë? Këto janë pyetje që shumë qytetarë i shprehin herë pas here në një mënyrë apo në një tjetër. Diku më sipër kam përmendur shërbimin shëndetësor. Ky në fakt është një nga çështjet që duhet trajtuar me shumë kujdes, pasi është një çështje shumë e ndjeshme që na prek të gjithëve për arsyen e vetme se, bëhet fjalë për jetë njerëzore. Dëshiroj të shtroj një pyetje për mjekët, (për një pjesë prej tyre). A e keni kuptuar betimin e Hipokratit, se për ta lexuar jam e sigurt se e keni bërë. Problemi qëndron, a e keni kuptuar, pasi sjellja juaj kundrejt pacientëve lë shumë për të dëshiruar, ndërkohë që, juve jeni pjesa më intelektuale e shoqërisë, por presupozohet edhe më humania. Me përjashtim të disave, të gjithë të shikojnë nga duart, se ndryshe nuk të prekin me dorë, pavarësisht gjendjes shëndetësore. Sa e sa raste janë trajtuar në median televizive dhe atë të shtypit, ku njerëz të pafajshëm humbasin jetën për neglizhencë dhe indiferentizëm të ekipit mjekësor. Kam dëgjuar që paguheni pak. Po arsimi, si po ecën në Shqipëri? Gjendja paraqitet kaotike, nuk e kuptoj këtë ndryshimin e sistemit, këto eksperimentet, që po bëhen, se di sesi do të përfundojnë këto modele  të marra sa andej këtej, nuk i dihet se si do të përfundojnë gjërat ndonjë ditë. Me siguri edhe ata që po e përkrahin këtë metodë të re nuk janë as vetë të qartë. Të gjithë po shkollohen, të gjithë duan të diplomohen, të gjithë duan poste të larta dhe mundësisht të gjithë duan të punojnë në zyra e mundësisht në shtet. Askush nuk ngre shqetësimin se a i zotërojnë të gjithë aftësitë e duhura për arsimim të lartë, apo liberalizimi është i domosdoshëm…, meqenëse disa prindër, dikur nuk kanë pasur mundësi të shkollohen, le të shkollohen fëmijët e tyre parazitë (një pjesë). Pastaj nuk është e thënë që të gjithë të punojnë në zyra, ne kemi nevojë edhe për specialistë, zanatçinj, elektricistë, këpucar, rrobaqepës, orëndreqës etj. Mendoj se këto mekanizma të inicimit nuk i ka në dorë individi, po shteti ç’farë po bën në këtë drejtim? Duhet t’u japë më tepër përparësi reformimit të shkollave profesionale, që me sa duket janë mbyllur dhe ato që kanë qenë. Është e lehtë të ndërtosh godina e të hapësh universitete private, që të shkollohen rinia, e ardhmja e kombit. Po të jetë ky qëllimi është gjë shumë e mirë, por duhet që në të njëjtën kohë të studiohet tregu i punës. Ç’bëhet në këtë drejtim, apo merr një diplomë dhe rri në shtëpi, ose torturohu ca vite këtu dhe po pate fat, ose mik do ta gjesh një vend pune. Në të kundërt, largohu nga atdheu dhe shko puno diku tjetër. Në të vërtetë, gjetja e një vendi pune është bërë utopi,  po ashtu edhe universitetet private dhe spitalet private janë kthyer në biznese të fuqishme, në burim a pastrim parash, kush dreqin e merr vesh. A jemi ne të lirë, për t’u shprehur? Besoj se shumica e mediave janë të politizuara dhe politika kontrollon e përzgjedh. Informacion kemi me bollëk, vetëm se këtu duhet të përzgjedhim ne se çfarë të përtypim e çfarë jo. Politika i duhet lënë politikanbërësve. Pse flasin shqiptarët për politikë? Sepse vetëm këtë mund të bëjnë. Të flasin!