Prof. Zef Preçi: De-oligarikizimi si nevojë e kohës…

224
Sigal

Në ekonominë shqiptare kapja e shtetit ka shtrembëruar dukshëm proceset reformuese në ekonomi, ndersa atrofizimi i strukturave rregullatore të tregjeve ka mundësuar krijimin dhe ruatjen e strukturave monopoliste apo oligopoliste, vendase dhe te huaja, të mbështetura edhe nga elita politike drejtuese për interesa të fuqishme elektorale dhe financiare.

Një oligarki, siç diskutohet në veprën Republika të Platonit dhe në Politika e Aristotelit, është një formë qeverisjeje e kontrolluar nga një grup i vogël. Në kuptimin e tij aktual në vendet ish-socialiste jashtë BE dhe në Rusi, termi “oligark” nënkupton një biznesmen që kontrollon burime të mjaftueshme për të ndikuar në politikën kombëtare.

Oligarkët janë ata sipërmarrës biznesi të periudhës post-komuniste në vendet e Europës Lindore dhe në Rusi që grumbulluan me shpejtësi pasuri në vitet 1990 nëpërmjet privatizimit të pronës publike, që pasoi shpërbërjen e ekonomisë së centralizuar. Shteti post-totalitar i dështuar komunist ndërtoi një kuadër ligjor të mangët/të dyshimtë mbi pronësinë e aseteve shtetërore, gjë që lejonte marrëdhënie jozyrtare me ish-zyrtarët e regjimit komunist si një mjet për të fituar pronë shtetërore. Shfaqja e oligarkëve të parë apo krijimi i oligarkisë lidhet kryesisht me periudhën e liberalizimit të tregut, dmth me deshtetëzimin e monopoleve shtetërore të trashëguara nga periudha e ekonomisë së centralizuar.

  1. Tipare oligarki post-komuniste: Rusia, krahasim me Shqipërinë

Si kudo në botën e sotme, rritja ekonomike është shtimi e prodhimit të mallrave dhe shërbimeve gjatë një periudhe të kohës dhe varet nga katër faktorët e prodhimit: toka, puna, kapitali dhe sipërmarrja. Pikërisht marrja nën kontrolli nga ana e oligarkëve e këtyre faktorëve, duke vendosur një radhë të marrjes nën kontroll që lidhet me normën e fitimit dhe sidomos për burimet e fundme apo të papërsëritshme të rritjes, mund të konsiderohet edhe si procesi i oligarkizimit të ekonomisë sonë kombëtare. Një numër relativisht i vogël sipërmarrësish të lidhur ngushtë me elitën politike të vendit, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga administrata e ish-regjimit të mëparshëm me akses në informacion dhe në vendim-marrjet strategjike në momentin e transformit të sistemit të filluar në 1991, të njohur në publik si “oligarkët”, kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë shqiptare.

Për shumë qytetarë shqiptarë, termi “oligarkë” mund të ketë një konotacion negativ. Në kuptimin e debatit të këtij aktiviteti, padyshim që nuk bëhet fjalë për një gjykim ligjor, ekonomik ose moral për biznesmenët më të pasur të vendit, por thjesht si term konvencional dhe i përshtatshëm për t’ju referuar asaj kategorie të pasunarëve të periudhës mbas vitit 1991 që janë bërë të tillë kryesisht nga zotërimi i aseteve të rëndësishme natyrore të vendit, fondeve publike të buxhetit qendror e vendor dhe të drejtave ekskluzive të shtetit.

2. Korrupsioni, Kapja e Shtetit dhe De-Oligarkizimi

Që nga viti 2001, rrjeti i Lidershipit të Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet (SELDI), në cilin Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike që unë drejtoj është antare nga Shqipëria  ka përdorur Sistemin e Monitorimit të Korrupsionit (CMS) për të analizuar dhe për të monitoruar nivelet e korrupsionit në secilin vend. CMS është një metodologji e zhvilluar nga Qendra për Studimin e Demokracisë (Bullgari) dhe njihet nga OKB si një nga sistemet më të mira për monitorimin e korrupsionit. Kjo metodologji lejon krahasueshmërinë e të dhënave midis vendeve dhe regjistron nivelin aktual dhe prirjet e përfshirjes së drejtpërdrejtë në korrupsionin administrativ, si dhe qëndrimet, vlerësimet dhe pritshmëritë e publikut në lidhje me korrupsionin.

Në një analizë të vitit 2016 me titull “Lufta Kundër Rreziqeve të Qeverisjes në Energjetike dhe Kapjes së Shtetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, kemi evidentuar se “Traditat e dobëta të demokracisë, rrjetet e proteksionizmit politik, oligarkia ekonomike, dhe praktikat e errëta të biznesit të ushqyera nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar, kanë penguar suksesin e nismave kritike reformuese në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë”.

Një instrument tjetër që SELDI ka zhvilluar gjatë kësaj periudhe është edhe ajo që njihet si Diagnostifikimi i Vlerësimit të Kapjes së Shtetit (SCAD), përmes të cilit identifikohen sektorët shumë të cënueshëm ndaj monopolizimit. Përmes këtij instrumenti dhe të tjerëve si këto janë trajtuar çështje të tilla si: Integriteti i prokurimeve publike; ndryshimet në prokurimet publike dhe mbipërdorimin e procedurave urgjente që lidhen me përballimin e COVID-19; rreziku i korrupsionit lidhur me prokurimet në sektorin e kujdesit shëndetësor; qeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore në sektorin e energjisë, etj.

Hulumtimet tona empirike të mëparshme dhe aktuale si në kuadrin e SELDI-it, ashtu edhe të R2G4P më çojnë në përfundimin se në ekonominë shqiptare kapja e shtetit ka shtrembëruar dukshëm proceset reformuese në ekonomi, ndërsa atrofizimi i strukturave rregullatore të tregjeve ka mundësuar krijimin dhe ruatjen e strukturave monopoliste apo oligopoliste, vendase dhe të huaja, të mbështetura edhe nga elita politike drejtuese për interesa të fuqishme elektorale dhe financiare.

Një numër punimesh serioze të tjera kanë denoncuar korrupsionin e madh dhe kapjen e shtetit nëpërmjet ligjeve të porositura duke pasqyruar nevojën e çmontimit të këtyre praktikave qeverisëse (Transparency International në bashkëpunim me IDM, 2021).

Siç dihet, De-oligarkizimi është një koncept i njohur për njerëzimin për rreth 100 vjet që fitoi popullaritet gjatë fushatës zgjedhore të Theodore Roosevelt në Shtetet e Bashkuara (1858-1919). Kështu në vitin 1890, republikanët sollën në Kongres Aktin Sherman, i cili e shpalli krim pengimin e tregtisë së lirë duke krijuar një trust (monopol) dhe duke bashkëpunuar për këtë qëllim. Në thelbin e tij, ligji ishte baza e legjislacionit antitrust të drejtuar kundër uzurpimit të tregut nga Rockefeller. Ne i peërdorim krahasimet e ekonomisë sonë me SHBA jo se ato mund të krahasohen, por se kështu mund të kuptojmë se ku gjendet ekonomia jonë kombëtare…

Historikisht, oligarkët amerikanë kanë krijuar ekonominë, janë fuqizuar duke rritur pasurinë kombëtare dhe më pas kanë fituar ndikim mbi qeverinë. Përkundrazi, oligarkët në vendet post-komuniste patën mundësinë të pasurohen përmes aksesit në pushtet dhe burime kombëtare. Në këto vende dhe në Shqipëri, ata u shfaqën si pasojë e kolapsit të sistemit të ekonomisë së centralizuar kur një pjesë e konsiderueshme e pronës shtetërore kaloi në pronësi të tyre. Ata vazhdojnë ta trajtojnë buxhetin e shtetit si burim pasurimi. Në ditët tona janë bërë përpjekje për zgjidhjen ligjërisht të këtij problemi nëpërmjet një ligji special që jo vetëm përkufizon çfarë është një oligark, por edhe vendos disa kufinj të pjesëmarrjes së tij në jetën politike të vendit, etj., (Ukraina, 2021), por situata mbetet shqetësuese në shumë vende. Në këto kushte sfida e deoligarkizimit është realisht e frikshme dhe vetëm rritja e transparencës, rritja e përgjegjshmërisë politike dhe ekonomike, nxitja e konkurrenca të mbrojtur në ligje që zbatohen, mund të çojë në fillimin e ndryshimit, për të qenë vërtet një ekonomi e tregut të lirë.

3. Ide Fillestare mbi de-Oligarkizimin e Ekonomisë Shqiptare

Disa rekomandime modeste për të shkuar drejt ndryshimit mund të jenë edhe këto që po rendis në vijim:

  1. Rishikim i rolit të enteve rregullatore sektoriale dhe atij të konkurrencës për mbështetjen e qëndrueshme të konkurrencës në tregje.
  2. Amendim i kuadrit ligjor specifik për rikthimin i përkufizimeve ligjore për të gjithë operatorët ekonomikë që zotërojnë më shumë se 25% të një tregu të caktuar, zhvillimi i metodikave të monitorimit të tyre dhe rritje e transparencës nga institucionet rregullatore, Kuvendi dhe ministritë përgjegjëse.
  3. Vënie në funksionim të bursës si një mjet i fuqishëm rregullator i tregjeve në periudhën aktuale.
  4. Përgatitja e një kuadri ligjor specifik në lidhje me lobimin, kur dihet se sot një numër i madh zyrtarësh apo ish zyrtarësh politikë janë lobistë të parregjistruar, ndikojnë fuqishëm në deformimin e kuadrit ligjor për interesa olgarkike apo në vendim-marrje të rëndësishme për fonde buxhetore, licensa, shfrytëzimin e pasurive natyrore, etj.
  5. Thellim i dialogut me komunitetin e biznesit me qeverinë dhe inkurajim i demokratizimit të përfaqësimit të tij, rishikim i kuadrit ligjor për dhomat e tregtisë .
  6. Fuqizimi i komitetit trepalësh: Qeveri-Punëdhës-Punëmarrës, si dhe fuqizimi i sindikalizmit.
  7. Amendim i kuadrit ligjor të prokurimit publik me synim frenimin e marrëdhënieve okulte firma mëmë-firma bija, etj. si dhe nxitjen e konkurrencës në përdorimin e fondeve publike.
  8. Amendim i kuadrit ligjor dhe institucional mbi pronësinë mbi mediat për të sjellë përvojat e mira që nxitin profesionalizmin, mbrojtjen e interesit publik, mbrojtjen e të dhënave personale, etj. si dhe de-monopolizimin e kësaj industrie.
  9. Inkurajim në vazhdimësi i përgjegjësive sociale të korporatës

Së fundi, mendoj se ka ardhur koha që të rishikohet edhe emërtimi apo përkufizimi që ne përdorim për të karakterizuar një oligark. Nisur edhe nga një vendim i Komisionit të Venecias të para dy viteve, një oligark është një “person me peshë të rëndësishme ekonomike dhe politike në jetën publike”. Pra, nuk duhet t’i imagjinojmë apo kërkojmë oligarkët vetëm në jetën ekonomike të vendit, por duhet të mendojmë rreth personave që plotësojnë “kritere” të njohura për t’u konsideruar të tillë si:

  • Janë të përfshirë në jetën politike;
  • ushtrojnë ndikim të rëndësishëm në mas-mediat masive;
  • janj pronarë përfundimtar përfitues të subjekteve të biznesit që, përbëjnë nmonopole natyrore apo zëne një pozicion monopol (dominant) në treg sipas ligjeve për konkurrencën, dhe e mbajnë ose e forcojnë këtë pozicion brenda një viti, etj.