Prof. Rexhep Meidani/ Veçori politike-ekonomike të shekullit të 21-të

695
Disa vërejtje rekomanduese, sipas aspekteve kryesore, mund të jenë: Në teknologji, në ekonomi, në shoqëri, në qeverisje, në lidhje me aftësitë individuale në shekullin e 21-të. Një sfidë e parë mbetet liberalizimi i mëtejshëm i tregtisë dhe i sistemit të pagesave. Po ashtu, një tregti ndërkombëtare krejtësisht e hapur do të vazhdojë të jetë një nga çelësat për rritjen ekonomike globale, përfshirë dhe tregtinë e mallrave bujqësore apo të shërbimeve në këtë integrim

Disa tipare të përgjithshme 

1. Revolucioni në informim dhe telekomunikim, globalizime intensive po reflektojnë disa ndryshime fondamentale në përmasat hapësinore-kohore të jetës së njeriut dhe ekzistencës sociale. Ndryshime të tilla janë duke i bërë gjithmonë e më fluide kufijtë midis çështjeve të brendshme (kombëtare) dhe atyre globale (ndërkombëtare), duke e gërryer në shumë aspekte konceptin e vjetër të sovranitetit shtetëror.
2. Vetë procesi i globalizimit e ka bërë të pashmangshme nevojën për të riformuluar çështje kyçe të politikës dhe ekonomisë, dhe, mbi të gjitha, se çfarë duhet ndryshuar në themelin e ndërtimit aktual të shtetit-komb të rendit botëror, duke e bërë gjithmonë e më të fuqishme rolin e ndërvarësisë.
3. Prirjet kundërshtuese në binomin: rend i shtetit- komb/rend global kërkojnë një përcaktim më të mire të paradigmës së fuqisë dhe zhvendosjeve të saj: a) për nga sipër (drejt qeverisjes mbi-kombëtare); b) për nga poshtë (si shpërhapje dhe autonomi/decentralizim drejt qeverisjes vendore); c) nga brenda sistemit jashtë tij (privatizim/agjentifikim). Pikërisht, një zhvendosje e tillë trefishe në paradigmën e fuqisë, bazuar në një infrastrukturë numerike të përbashkët ka imponuar dhe po imponon përcaktime të reja të shumë prej koncepteve politiko-institucionale dhe social-ekonomike.
4. Në një ndërvarësi gjithmonë e më komplekse politike-ekonomike (përfshirë mjaft probleme të lidhura ngushtë me klimën dhe mjedisin, çështje bazike të sigurisë të lidhura me luftën kundër terrorit, me politikat mbi emigracionin, edukimin, kujdesin shëndetësor, etj.) tri rrjete kryesore mbeten tepër të rëndësishme: tregtia, komunikimi (fizik e virtual) dhe media (tradicionale e sociale), të mbështetura gjerësisht mbi internetin. 

A mund të flitet për një paradigmë të re ekonomike?

Po, ka shumë mundësi gjatë shekullit të 21-të. Por, shumë elementë të kësaj paradigme janë të pranishëm prej kohësh, ndryshe fare nga ajo që shihet në shkencë, teknologji, mjekësi, etj. Konkretisht, fundamentalizmi i tregut, i konceptuar dhe i përpunuar, që gjatë Revolucionit Industrial, është dhe do të mbetet pjesë e kësaj paradigme. Ndërsa, analiza plotësuese kërkohen apo lidhen ngushtë dhe me rubrikat e mëposhtme: 

I.Qeverisja. Sipas fundamentalistëve të tregut, qeverisja është gjithmonë problemi, jo zgjidhja; megjithatë, mesa shihet, qeveria do të vazhdojë ta udhëheqë procesin ekonomik, përfshirë në veçanti investimet në edukim, shkencë, etj. 

II. Ekonomia e gjelbër. Një element i dytë çelës është dhe do të mbetet ekonomia e gjelbër, duke synuar konservimin e burimeve, reduktimin e humbjeve, një balancë shumë më të drejtë në binomin: rritje ekonomike/mbrojtje mjedisore. 

III.Produktiviteti- Organizimi. Një element i tretë me peshë do të mbetet një organizim më i mirë i vendeve të punës dhe një produktivitet më i lartë, me një përmirësim në vazhdimësi për trajtimin dhe rritjen e interesit të punonjësve. 

IV.Përkujdesja njerëzore. Një çështje tjetër do të jetë dhe përmirësimi në vazhdimësi i cilësisë së përkujdesjes shëndetësore dhe shërbimeve përkatëse, kujdesit ndaj fëmijëve, edukimit, asistencës e shërbimeve të ndryshme ndaj të moshuarve, etj. 
Ndryshime kyçe të deritanishme 

Për të hedhur një vështrim mbi të ardhmen, kërkohet një analizë e thellë mbi zhvillimet ekonomike-sociale dhe politike-institucionale të shekullit të 20-të. Për këtë qëllim, ekonomisti francez Thomas Piketty u fokusua, në librin e tij “Le Capital au XXIe siècle” (2013), mbi analizën e pabarazisë pasurore dhe të ardhurave në Evropë e ShBA në shekujt e fundit. Teza qendrore e tij është se kur norma e kthimit për kapitalin është më e madhe se norma e rritjes ekonomike në një kohë relativisht të gjatë, një rezultat i saj është përqendrimi i pasurisë. Kjo shpërndarje e pabarabartë e pasurisë provokon jo stabilitet politik dhe shoqërohet me një paqëndrueshmëri sociale e ekonomike. Madje, për këtë, Piketty propozon një sistem taksimi progresiv mbi pasurinë për të reduktuar e minimizuar pabarazinë. Në tërësi, për të kuptuar më mirë të ardhmen ne duhet të analizojmë në detaje procesin e globalizimit. Në fakt, në ditët e sotme, një shkallë e lartë integrimi në ekonominë botërore është mbështetur nga ndryshime teknike, që kanë ulur kostot në prodhim, sidomos në transport e komunikim; nga kooperim i gjithanshëm shumëdimensional, i kombinuar nga një reduktim thelbësor i tarifave dhe barrierave tregtare në qarkullimin ndërkombëtar të mallrave, etj. Po ashtu, zhvillimi relativisht i suksesshëm i 50 viteve të fundit të shekullit të 20-të ka qenë i lidhur ngushtë me: 1) marrëdhëniet tregtare, 2) marrëdhëniet financiare, dhe 3) evolucionin e diferencuar të vendeve të industrializuara dhe atyre të varfra. Mbi të gjitha, një hapje gjithnjë në rritje e intensifikoi më tej aktivitetin ekonomik ndërkombëtar. Në mënyrë të veçantë, interneti, dhe shtrirja e shpejtë e tij, është shoqëruar me rezultate të dukshme në prodhim e drejtim, në rrjedhje të mallrave, kapitalit dhe ideve, deri duke nxitur ndryshime të thella në telekomunikim. Si rezultat, mund të pohohet se: 

I. Progresi teknik-teknologjik dhe reduktimi i tarifave dhe barrierave të tjera në tregti kanë luajtur një rol të rëndësishëm në hapjen e ekonomisë globale. Dhe kjo do të vazhdojë dhe në të ardhmen. Po ashtu, edhe kompozimi i tregtisë do të pësojë ndryshimet e veta, ndërkohë që dhe tregtia e shërbimeve do të fuqizohet më tej, sidomos e mbështetur nga internet. 

II. Një ndryshim i dytë është përfshirja e aktorëve të rinj me peshë në ekonominë globale jo vetëm duke ndryshuar strukturën (arkitekturën e saj), por dhe duke rritur paralelisht standardin e jetesës së njerëzve dhe duke reduktuar varfërinë në nivel global. 

III. Një ndryshim i tretë ka qenë dhe rritja e dukshme në integrimin e tregjeve globale financiare. 

Tre leksione 

– Një leksion i parë është që politikat ekonomike në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare do të mbeten të rëndësishme në arritjen e rezultateve apo mundësimin e rritjes ekonomike.
– Një leksion i dytë është theksimi i stabilitetit makroekonomik, garantimi i qëndrueshmërisë së çmimeve dhe një inflacion i moderuar. 
– Një leksion i tretë është se përmasa, roli dhe rëndësia e disa vendeve (si Kina, India, Brazili, etj.) do të bëhet akoma më e dukshme në rritjen e ekonomisë globale. 

Sfida 

Një sfidë e parë mbetet liberalizimi i mëtejshëm i tregtisë dhe i sistemit të pagesave. Po ashtu, një tregti ndërkombëtare krejtësisht e hapur do të vazhdojë të jetë një nga çelësat për rritjen ekonomike globale, përfshirë dhe tregtinë e mallrave bujqësore apo të shërbimeve në këtë integrim. Po aq të rëndësishme mbeten dhe përpjekjet për të dobësuar apo eliminuar masat dhe presionet proteksioniste në kontekstin e liberalizimit të gjithanshëm të tregtisë. Një sfidë e dytë është dhe sistemi financiar ndërkombëtar, duke përfshirë aty apo duke i dhënë peshën e duhur aktorëve të rinj ekonomikë (si Kina, India, Brazili, etj.). Po ashtu, edhe vetë integrimi i tregjeve financiare do të ketë një ecuri të mëtejshme. Në periudhë më të afërt, një shqetësim tjetër do të jenë pabarazitë në shkallë globale, përfshirë deficitin e llogarisë korrente në ShBA, reformën strukturore në Evropë dhe Japoni, konsumin e brendshëm tepër ulët në Azi, etj.; apo gjetja e mekanizmave të duhur në përballimin e tyre. Sfida e tretë është e brendshme. Kështu: i) në një shtrirje kohe një edukim më cilësor do të luajë rol tepër vendimtar (sepse një forcë punëtore e mirë-edukuar i shërben shumë më mirë rritjes ekonomike); ii) rrjetet e sigurisë sociale (të orientuara drejt dhe jo ekonomikisht shtrembëruese) janë po aq vitale; iii) ndryshimet demografike, sidomos efektet e moshës së vjetër duhet të vlerësohen qartë, madje në vendet e industrializuara nevojitet një aksion i shpejt për të shmangur një rrënim fiskal të skemave sociale (pensione, asistencë, etj.), ndërkohë që vendet në zhvillim kanë akoma kohë për t’u përballuar me këtë sfidë serioze të vetë sistemit të mirëqenies sociale. Një sfidë tjetër është dhe ajo e vendeve të prapambetura, të paafta të ndjekin ritmin e zhvillimit, që do të jenë burime konflikti dhe emigrimi të pakontrolluar. 

Disa vërejtje 

Disa vërejtje rekomanduese, sipas aspekteve kryesore, mund të jenë:
– Në teknologji: Teknologjia e informacionit mund të avancojë deri në atë pikë që të bëhet tërësisht bashkëshoqëruese nga biznesi në kulturë, duke e bërë shumë më të barabartë botën tonë. Po ashtu, bio-teknologjia do të furnizojë mjete shumë më të fuqishme në luftën kundër sëmundjeve, infeksioneve e epidemive, por dhe duke reduktuar mbetjet industriale. Një çështje në vete do të jetë dhe kapaciteti social në administrimin e këtyre mjeteve të reja, në shmangien e problemeve etike, në përmirësimin e cilësisë së prodhimit dhe të formave të organizimit, në ruajtjen e traditave dhe të vlerave, dhe për më tepër për moslejimin e kontrastit të dhimbshëm apo skizmat e tjera midis njerëzve të pasur dhe atyre të varfër, e kështu me radhë.

– Në ekonomi: Midis mundësive mund të konsiderohen: 1) transformimi pozitiv i organizimit dhe i teknikave të reja në prodhim e konsum; 2) një integrim më i gjerë, i bazuar në rrjedhjen më të shpejtë të njohurive, njerëzve e ideve, kapitalit e mallrave; 3) një ndryshim real në marrëdhëniet e njeriut me mjedisin rrethues, duke shtuar më tej gamën e prodhimeve ekologjike. 

– Në shoqëri: Ndryshimet, sidomos transformimet sociale në strukturën demografike dhe shpërndarjen e të ardhurave, pa politika të mirë-studiuara, mund të pengojnë ruajtjen e domosdoshme të diversitetit social apo mund të ushqejnë homogjenizimin kulturor të mëtejshëm, tepër shqetësues për popujt e vegjël. Po ashtu, një çështje bazike do të mbetet reduktimi i mëtejshëm i veçimit (segregacionit) të grupeve anësore, për të mos ushqyer diskriminimin, që mund të thellohet më tej deri në forma të dhunshme të nacionalizmit e fundamentalizmit fetar. 

– Në qeverisje: Forma të reja të qeverisjes mund të bëhen fundamentale për rigjallërimin e demokracisë dhe shfrytëzimit të avantazheve të ndryshimeve të pritshme teknologjike, ekonomike e sociale. E rëndësishme është që çdo individ i angazhuar në sektorin publik apo privat të ketë mundësinë dhe kapacitetin për të jetuar e ushtruar lirinë e vet, pavarësisht nga inercia institucionale apo konflikti midis grupeve të ndryshme të interesit. 
– Në lidhje me aftësitë individuale në shekullin e 21-të: Në një ekonomi të bazuar në të dhëna të gjithanshme, punonjësit duhet të kenë një përgatitje gjithnjë e më të thellë, një përzierje më të madhe aftësish se në të kaluarën apo në ditët e sotme. Po ashtu, përveç kapaciteteve e aftësive të lidhura me shkrim-këndimin e numërimin dhe më tej një shkollim të mirë, kërkohet një përafrim i drejtë ndaj veçorive të tilla si bashkëpunimi, kreativiteti e orientimi i shpejtë në zgjidhjen e problemeve, apo të cilësive të karakterit si vendosmëria, iniciativa, kuraja, etj. Gjithashtu, dixhitalizimi dhe automatizimi do të zëvendësojnë më tej punën e dorës, duke depërtuar thellë në të gjitha aspektet e jetës dhe punës. Veçse një shtrirje dhe thellim në kërkesën për aftësitë individuale mund të ekspozojë një problem shqetësues në furnizimin e këtyre aftësive (p.sh., në 2014, më shumë se një e treta e kompanive globale kanë raportuar jo pak vështirësi në mbushjen e vendeve të lira për aftësi kryesore. 

Një përfundim i pritshëm http://widgets.weforum.org/nve-2015/chapter1.html – footnotes. 

Edhe në vitet në vijim, trajektorja e ndryshimeve teknologjike do të vazhdojë ngjitjen e vet, ndërkohë që dhe procesi i globalizimit do të thellohet më tej. Megjithatë, shqetësuese do të vazhdojë të mbetet edhe më tej lufta kundër varfërisë në zona të ndryshme të botës, duke reduktuar apo shmangur ndarjen e sotme teknologjike. Disa kolona që mund të konsiderohen më mirë apo dhe të rindërtohen në të ardhmen e afërt mund të jenë:
a. Instalimi i ekonomisë morale të tregut të lirë në nivel global (me përbërëse qartësisht sociale në nivel kombëtar); 
b. Edukimi i “ideologjisë” së paqes, lirisë dhe të drejtave të njeriut si një “fe” globale për çdo individ; 
c. Fuqizimi i mekanizmave ndërkombëtarë të politikë-bërjes, sigurisë dhe drejtësisë; 
d. Një lloj revolucioni “common sense” në të menduarit dhe sjelljen hapësinore-kohore, brenda dualizmit ndërvarësi-sovranitet, në kuadër të marrëdhënieve të individit me fqinjësinë, komunitetin, shtetin e strukturat legale ndërkombëtare, përfshirë dhe përbërësen e ndërvarësisë deri në nivelin e qytetarit. 

Do të vazhdojnë të jenë akoma më intensive kërkimet në fushën e shkencës e teknologjisë dhe, akoma më kohë-shkurtra, zbatimet e tyre. Mbi të gjitha, besohet se do të mbeten tepër ndikuese rezultatet në fushën e bio-teknologjisë. Një vëmendje të veçantë do t’u kushtohet sfidave përkatëse etike; kërcënimeve ndaj mjedisit dhe degradimit të tij; dhe e gjitha kjo në një eksplozion të gjithanshëm të një shoqërie, që do të “notojë” brenda një oqeani të dhënash numerike në rritje progresive, tepër të rëndësishme në administrimin politik e ekonomik…
Sigal