Prof.Qemal Lame: Europa të bëhet fuqi gjeopolitike

270
Sigal

Miratimi unanim i busullës së re strategjike të BE-së, në mars 2022, sanksionet ekonomike, mbështetja me fonde financiare për dërgesat e armëve në Ukrainë, përballimi i migrimit, bashkëpunimi i ngushtë me SHBA dhe NATO-n janë ndryshime, që tregojnë fillimin e periudhës së re të një “BE gjeopolitike”. Prandaj kërkohen ndryshime dhe legjitimimi kushtetues i Bashkimit Evropian me stausin e një supershteti dhe një fuqie të re gjeopolitike krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

Dobësitë e bashkësisë dallohen lehtë në çarjet dhe përçarjet brenda BE-së midis grupeve të shteteve që mbrojnë interesa nacionale të njëanëshme duke shkaktuar kriza dhe pengojnë thellimin e reformimit dhe zgjerimit ttë vonuar sidomos me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Së pari, zhvillimi i politikës unike evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes. Këto masa kishin një pikë të dobët që në fillim: ndarjen midis vendeve me orientim të fortë transatlantik, si Polonia apo Britania e Madhe, dhe atyre, që mbështesnin një Bashkim Europian të pavarur në aspektin e politikës së sigurisë. Koha vërtetoi se luhej me të drejtën e pavarësisë dhe sovranitetit shtetëror duke penguar reformën në shërbim të gjithë bashkësisë. Në thelb, politika e sigurisë e BE-së ishte krijuar për të funksionuar brenda një rendi ndërkombëtar funksional, liberal dhe për të marrë përsipër detyra më të vogla stabilizimi brenda tij. Përçarja midis dy kampeve çoi në debate të pafundme rreth ndarjes së punës midis BE-së dhe NATO-s, të cilat prodhonin një mori formulash kompromisi, por nuk bënë përparim në thelb. Masat e BE-së për sigurinë e mbrojtjen evropiane u vlerësuan si një përparim i madh, pasi nuk u arrit të realizohen.

Lufta e Rusisë në Ukrainë vuri në pah paaftësinë mbrojtëse të BE-së dhe domosdoshmërinë jetike të aleancës transatlantike. U morën masa të shpejta për rivitalizimin e NATO-s për të përballuar të papriturat e një lufte të mundëshme ndaj anëtarëve të aleancës. Ndihma e menjëhershme amerikane demonstroi rolin dhe pazëvendësueshmërinë e aftësive parandaluese amerikane për sigurinë evropiane. Qeveria amerikane e Joe Biden po ofron ndihmat konkrete me ushtri dhe armatin të teknologjisë së lartë dhe tregon me dashamirësi nevojën për të krijuar më shumë siguri në Evropë nga vetë evropianët, sepse SHBA do të fokusohet më shumë në Kinë. Forcimi i politikës evropiane të sigurisë është jetik për BE-në dhe do ta bëjë atë një fuqi me rol vendimtar edhe në NATO. Ky ndryshim do të duhet të përshtatet më pas me rendin e ri të sigurisë në Evropë dhe jo thjesht të vazhdojë në rrugën që është ndjekur duke ja lënë përgjegjësinë kryesore SHBA-së. Nëse kjo mundësi humbet dhe nëse një i riardhur si Donald Trump ose ai vetë vjen në pushtet në Vashington në 2024, Evropa mund të lihet e vetmuar! Rikujtojmë se Trump e cilësoi të vjetëruar NATO-n dhe ky ishte gabim. Por kritika e tij kryesore ishte për shpenzimet e mëdha amerikane në krahasim me kontributin modest të shteteve evropiane. Për këtë kishte të drejtë. Prandaj evropianët, në veçanti Gjermania, rritën shpenzimet deri në 2 për qind të buxhetit.

Qëllimet e sovranitetit strategjik të BE-së, siç janë formuluar në marrëveshjen e koalicionit gjerman, ristrukturimi i Ushtrisë gjermane, fondi me 100 miliard euro për armatimin dhe parashikimet deri në vitin 2030 për shpenzime ushtarake në nivelin e Kinës janë ndryshime thelbësore. Pozitive është edhe reformimi i ushtrisë franceze si fuqi atomike dhe autonomia strategjike më e gjerë, siç e quajti presidenti i rizgjedhur francez Emmanuel Macron. Këto kërkojnë mbështetjen e gjerë pasi rrezikohen të dështojnë nga vetë mekanizmi i të drejtës së vetos së shteteve, që kanë interesa kombëtare të kundërta. Duhen vlerësuar edhe kundërshtimet e opinionit publik për armatimet dhe kritikat ndaj politikanëve luftënxitës.

Shqipëria është një shembull unik që në vitet 1995-1997 shkatërroi plotësisht e barbarisht Forcat e Armatosura. Pasuria ushtarake më shumë se 200 miliard dollarë u grabit, u shit në tregun e zi duke u maskuar me dërgimin e hekurishteve për “skrap”. Asnjë fajtor nga drejtuesit e shtetit e të ushtrisë nuk u vu para përgjegjësisë penale. Rikrijimi i Forcave të Armatosura ishte një sfidë dhe po ndihmohet nga SHBA dhe partnerët e tjerë, por nuk ka akoma forca, armë e mjetet e domosdoshme për t’u përballuar me një sulm të papritur si parashikon neni 2 i Traktatit të NATO-s. Dikur kishin më shumë se 75 000 ushtarakë të inkuadruar në 27 divizione, mbrojtjen kundërajrore, flotën luftarake detare, aviacionin luftarak, etj. Kishim më shumë se 100 000 qendra zjarri, 4000 gryka zjarri, 1500 take, 240 raketa, 240 avionë, 100 anije luftarake, 80 katëra silurues, etj, tani nuk ka pothuajse asnjë në pronësi të ushtrisë! Prandaj merr përparësi jetike garantimi i sigurisë dhe mbrojtjes krahas garancive nga NATO dhe SHBA. Open Balkan është miratuar për lëvizjen e lirë të njerëzve, automjeteve dhe mallrave! Por Serbia armatoset çdo ditë me armë të reja moderne. Armët nuk janë për miqësinë, por për Serbinë e Madhe kundër shqiptarëve! Edhe ky është një problem që kërkon masa nga të papriturat e politikës serbe dhe të ndërhyrjes ruse.

Së dyti, kriza e euros ka minuar besimin në solidaritetin evropian dhe ka lënë përçarje të thella midis jugut dhe veriut të Evropës. Fokusi thjesht ekonomik, i cili u promovua në atë kohë kryesisht nga ministri gjerman i Financave Schäuble, ka nxitur dy zhvillime që po vënë në pikëpyetje sovranitetin strategjik të Evropës. E pafalshme është verbëria strategjike e Evropës. Për të balancuar buxhetin shtetëror, Greqia, u detyrua të shiste pasuri strategjike në dëm të interesave kombëtare dhe atyre evropiane. Si rezultat, porti i pestë më i madh evropian i Pireut tani i përket një kompanie shtetërore kineze dhe porti i Selanikut një oligarku me origjinë ruse, i cili thuhet se ka kontakte me separatistët e Donbasit. Në kurriz të partnerëve evropianë, konkurrentët apo edhe kundërshtarët u ftuan për të blerë, marrë koncesion ose partneritet pasuritë strategjike evropiane, të cilat në të njëjtën kohë u mundësojnë atyre të pengojnë unitetin europian. Duke ushtruar presion mbi shtetet që varen nga investimet e tyre, ato mund të ndikojnë në vendimet e Këshillit Evropian. Kjo përvojë historike, e kombinuar me shqetësimin se Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes do të kërkohet të ndryshohet sërish në mënyrë tërësore në të ardhmen, është trauma e dytë e thellë e krizës së euros. Sepse për sa kohë një politikë e përbashkët ekonomike është e mundur vetëm në një masë të kufizuar dhe investimet evropiane aktivizohen vetëm në kohë krize, kohezioni evropian do të mbetet i brishtë. Prandaj zhvillimi i mëtejshëm i eurozonës në një entitet të integruar ekonomikisht dhe financiarisht shtron detyrën për të ndërmarrë me përgjegjësi një reformë tjetër thelbësore për krijimin e një qeverisjeje ekonomike si ka propozuar Franca.

Së treti, kriza e migracionit dhe, mbi të gjitha, refuzimi për të gjetur një zgjidhje të përbashkët nga ana e vendeve anëtare të Evropës Lindore ka lënë gjithashtu çarje të thella.

Së katërti, ristrukturimi i sistemeve politike në Poloni dhe Hungari. Ato kanë krijuar përshtypjen se qeveritë e këtyre vendeve nuk janë të interesuara të marrin pjesë aktive në zhvillimin e integrimit evropian, por vetëm në marrjen e fondeve evropiane për përfitime të politikës nacionale. Roli i tyre në BE pengohet me idenë e Trekëndëshit të Vajmarit, për lidhjen midis motorit franko-gjerman dhe Evropës Qendrore. Retorika antigjermane e qeverisë polake dhe afërsia e dëshiruar me Presidentin Trump, forcojnë përshtypjen se pushtetarët në Varshavë nuk janë të interesuar të forcojnë BE-në. Thirrja e Polonisë për solidaritet në trajtimin e lëvizjeve të refugjatëve nga Ukraina ndihmon që përçarja të riparohet. Fronti midis Polonisë dhe Hungarisë po shkatërrohet për momentin, për shkak të afërsisë së kryeministrit hungarez Viktor Orbán me regjimin e Putinit. Impulsi i fuqishëm ideologjikisht i qeverisë Biden për ndryshime dhe për një bashkim të demokracive kundër autokracive mund të jetë një nxitje e mëtejshme për Varshavën dhe Budapestin.

Shtetet anëtare po binden se BE-ja është e domosdoshme të veprojë në unitet, të mënjanohen qëndrimet e njëanëshme, të ketë mundëinë për të manovruar me shpejtësi në marrjen e masave në interes të gjithë bashkësisë, të ndryshojë praktika me kompromise me formulat e deritanishme të ruajtjes së statukuosë me frikën e përçarjeve apo ndarjeve si me Britaninë. Fakt është se edhe britanikët nuk po shohin ndryshimet e premtuara nga militantët e Brexit.