Prof. Përparim Kabo: Aktet tronditëse që ngjallin  revolt  dhe protesta

544
Sigal

Aktet e shëmtuara të abuzimit seksual në shkolla, apo jashtë tyre, janë të shpeshta. Ato ngjallin revoltim dhe protesta. Pjesa e shëndetshme e shoqërisë përpiqet të reagojë, e bashkë me të edhe mediat e ndryshme. Por pas pak kohe gjithçka zbehet dhe jeta e përditëshme, që prodhon aq shumë marrëzi në shoqërinë tonë, të sjellë në vëmëndje një ngjarje po aq tronditëse në një aspekt tjetër,  dhe harrohet ajo që ndodhi dje. Nuk ka një ndalesë serioze dhe me vetëdijen e thellë e përgjegjësinë gjithashtu, për të analizuar çfarë po ndodh, pse ndodh, si mund të parandalohet, cilët janë shkaqet, çfarë faktorësh të dorës së parë dhe ata më pak të drejtëpërdrejtë, luajnë role në sjelljen e këtyre pasojave? Kur ngjarja është e nxehtë, ndaj ka edhe një qasje akuzuese për të drejtuar gishtin ndaj të tjerëve, dhe jo një sjellje të vetëdijes së përgjegjësisë. Një vajzë ishte shfrytëzuar seksualisht nga një i moshuar, roje i shkollës, në një zonë periferike. A mundet me qetësi të shtrojmë disa pyetje dhe të përpiqemi që secili nga ne të japë një përgjigje?

1-Cila është qasja institucionale, edukuese dhe kuruese, për të parandaluar abuzivizmin ndaj fëmijëve dhe të rinjve e të rejave?

2-A shtrohet për diskutim të vazhdueshëm, jo në hotelet e bukura të Tiranës ku mblidhen gratë e OJF dhe vetë flasin e vetdëgjojnë, por nëpër atdhe; në fshatra dhe krahina të largëta, pra a organizohen për t’u shpjeguar adoleshenteve, që ç’është raporti i njeriut me trupin e vet, si ndryshon ky i fundit për shkak të rrymave hormonale, çjanë raportet seksuale, dhe si duhet të nisin dhe kur duhet të nisin ato? Shumë nga këta adoleshentë nuk mund t’i pyesin prindërit e tyre, sepse sipas mentalitetit që ata kanë, kjo është një gjë turpe, është imoralitet dhe kurvëri.

3- A ka studime të vazhdueshme me % , se si ndodh akti i parë seksual te breznitë e reja, sa abuzim, dhunim apo trauma shkaktohen dhe si trajtohen ato në realitetin tonë shoqëror? Psh. vajza tha se roja e kishte bërë këtë edhe me vajza të tjera që tani janë në Greqi.

4- Erotika, dashuria, seksualiteti nuk janë tabu, janë procese që njeriu, vajzë apo djalë të jetë, duhet t’i njohë në jetë, dhe me moshën e duhur t’i provojë duke mos u abuzuar. Por çfarë ndodh tek ne? Në mënyrë të pakontrolluar ngacmimet e brendëshme mishore dhe instiktive nxiten,  jo nga një dëshirë njerëzore normale, por nga provokime instiktive të erotikës,  apo pornografisë online, çka shkaktojnë turbullime të pa kontrolluara tek adoleshentët, kuriozitetet dhe moskontrollim, si thuhet në filozofi. Gruas dhe kombit nuk i falet çasti, sepse edhe më kurvari atë e përdhunon.

5- Shpesh mendohet se ne kemi si shoqëri probleme vetëm tek të rinjtë, si ndodhi në Fier para ca kohësh, në Kavajë para pak vitesh apo gjetiu, apo në Sarandë së fundmi…Pra, ne ngremë zërin kur ngjarja ndodh, dhe bëjmë mirë, por kështu nuk zgjidhim ashtu si duhet problematikën. Mëse njëherë kam nënvizuar se te ne si shoqëri,  në mënyrë të pakontrolluar, përzjerë me tabu dhe me liri pa kushte, me moral dhe me indiferentizëm, kanë ndodhur gjatë viteve të tranzicionit,  ata që njihen si “revolucioni seksual”, revolucioni rinisë, dhe revolucioni feminist, që kanë ndodhur herët  në Europë, por ndryshe nga atje, këto rrymëzime të fuqishme antropologjike, shoqërore, shpirtërore, institucionale, etike dhe instiktive,  rrjedhin shpërthyeshëm jashtë kontrollit  në realitetin tonë, ndaj viktimat janë të shumta. Mos heshtim për atë që meshkujt tanë bënë, që morën vajzat tona dhe nga të fejuara i nxorën rrugëve të Europës për të prostituar nën peshën e shtrëngimit të dhunshëm. Kjo është një njollë turpi te ne, sepse po këta tutorë,  me ato para erdhën dhe u bënë investitorë, drejtues bashkish, pronarë hotelesh dhe lokalesh buzë detit ku ne, po shkojmë për pushime për relaks, për banjo shkumë…

6- Mediat nuk duhet t’u shfaqen fëmijëve me një modernitet të shtirur, me një jetë që nuk është e tyre por e disa familjeve në Tiranë që ndrijnë nga luksi…

7- Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave duhet të kujdesen për shëndetin mendor të fëmijëve dhe në veçanti të vajzave,  tek të cilat sipas statistikave dhe të dhënave shkencore,  ka vite që cikli menstrual ju vjen  shumë më herët se dekada më parë.

8- Ata që punojnë në arsim, duhet të kontrollohen çdo vit psikologjikisht, mos harroni,  se si sillej ai pedagogu  në Universitetin e Elbasanit, edhe mësuesit në shkollën e Fierit.

9- Psikologu në shkollë duhet të jetë një factor  prezent  real,  dhe jo i shpallur,  por jo i takuar. Në disa fshatra  të thella të Pukës dhe Malësisë Madhe,  provova para dy vitesh të takoja psikologun e shkollës që figuronte si emërtesë,  por realisht nuk ishte. Ne kemi nevojë për  psikologun kudo, jo vetëm në shkolla, por edhe në administratën publike dhe sektorin privat, sepse jemi shoqëri e dhunshme dhe maskiliste, por jemi edhe një antropologji posesive, ku mungon tradita e mendimit në shumës toleranca dhe empatia.

10- Rasti më i fundit duhet të na shkundë të gjithëve,  për të bërë një pyetje, a rriten fëmijët tanë me fëmijëri dhe a kemi ne institucionalisht atë që quhet projektet e jetës me objektiva në çdo brez  moshe që mbështeten dhe  financohen nga fondet publike dhe dhënie të tjera alternative?